E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: “Të hetohet ministri Olldashi për shpërdorim detyre”



Shaban Sulçe

Partia Socialiste kërkon hetimin e ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi, duke e akuzuar atë për shpërdorim detyre. Deklarata ka ardhur nga deputeti socialist Erion Braçe, i cili iu referua Raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2008, që konstatonte tejkalimin me gati 2 herë të vlerës së kontraktuar për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Braçe kërkoi gjithashtu nga Prokuroria sqarime se përse institucioni i akuzës është shfaqur indiferent ndaj denoncimeve të njëpasnjëshme që Partia Socialiste ka bërë kohët e fundit në lidhje me abuzimet financiare për ndërtimin e kësaj rruge.

Raporti

Duke cituar raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Braçe përmendi se Ministria e Transporteve ka refuzuar të zbatojë rekomandimin e detyrueshëm të KLSH-së. Sipas Braçes, ky rekomandim konstatonte se është tejkaluar dyfish vlera kontraktuale për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Deputeti socialist theksoi se një gjë e tillë përbën shpërdorim detyre dhe për këtë arsye kërkoi nga Prokuroria që të nisë hetimet ndaj ministrit Olldashi. “Në raportin e KLSH-së ‘Mbi veprimtarinë e KLSH-së për vitin 2008’ thuhet se refuzimi i zbatimit të këtij rekomandimi të detyrueshëm të KLSH-së, në kushtet e tejkalimit me dy herë vlerën e kontraktuar nga qeveria e Shqipërisë përbën vepër të rëndë penale të parashikuar nga Kodi Penal, duke nisur nga më e lehta: shpërdorim detyre! Ndaj sot, Partia Socialiste i kërkon Prokurorisë të nisë procedim penal ndaj ministrit përgjegjës, ministrit Sokol Olldashi për veprën penale të shpërdorimit të detyrës me pasojë tejkalimin me gati 2 herë të vlerës së kontraktuar për ndërtimin e rrugës! Refuzimi i zbatimit të këtij rekomandimi të detyrueshëm të KLSH-së, në kushtet e rritjes së kostos për një kilometër me gati dy herë gjatë 6 muajve të parë të vitit, konstatuar, faktuar e paguar nga Ministria e Financave, përbën vepër penale parashikuar nga Kodi Penal, duke nisur nga vjedhja publike e parave publike. Ndaj sot, PS i kërkon prokurorisë të nis procedim penal ndaj ministrit përgjegjës, ministrit Sokol Olldashi për veprën penale të vjedhjes me pasojë tejkalimin me gati 2 herë të kostos së programuar nga vetë qeveria për ndërtimin e çdo kilometri të rrugës”, - u shpreh Braçe.

Prokuroria
Deputeti socialist kritikoi gjithashtu edhe qëndrimet e Prokurorisë ndaj denoncimeve publike të bëra nga Partia Socialiste për abuzimet financiare në rrugën Durrës-Kukës. Braçe tha se ky hezitim është shprehje e kapjes së shtetit. “Refuzimi i Prokurorisë për të bërë detyrën ndaj një krimi të denoncuar, të hetuar, por të pa gjykuar deri në dështim të qëllimshëm të vetë organit denoncues, krim i cili po kushton gjithnjë e më shumë para për buxhetin në krizë të Shqipërisë, dëshmon edhe më qartë për kapjen politike të shtetit dhe agjencive ligjzbatuese të përfshira në instalimin kriminal të ‘ligjit të pandëshkueshmërisë’, më i fortë edhe se ‘omerta’ e famshme e mafia-s. PS-ja e konsideron të rëndë këtë situatë, e cila po precipiton si kriminale e me pasoja të jashtëzakonshme”, - përfundoi Braçe.

25 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›