E Diel, 1 Nëntor 2026

Infrastruktura, rrugët e reja që do të fillojnë të ndërtohen gjatë vitit 2010



Ervin KOÇI

Ndërtimi i rrugëve dhe rehabilitimi i tyre do të jenë në qendër të projekteve dhe investimeve të qeverisë edhe për vitin që vjen. Në Buxhetin 2010, infrastruktura mbetet një sektor parësor, duke marrë sërish “pjesën e luanit” të fondeve që parashikohen për investime publike. Këto fonde do të jenë në një total investimesh prej 9 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto. Projektet kryesore të parashikuara janë rruga e “Arbrit”, rruga Elbasan-Tiranë, “Boshti i Jugut” etj. Këto çështje janë diskutuar edhe dje gjerësisht nga Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave, i cili po shqyrton nen për nen Buxhetin 2010, për t’i hapur rrugë miratimit të tij në tërësi nga parlamenti në seancën plenare të ditës së enjte. Gjatë mbledhjes së djeshme të komisionit është diskutuar për projektet e infrastrukturës rrugore, të cilat janë parashikuar të realizohen vitin e ardhshëm. Drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve kanë deklaruar se ka vonesa në projektet me financim të huaj, për shkak të problemeve me shpronësimet. Ndërkohë edhe vitin që vjen rruga Rrëshen-Kalimash pritet të hajë edhe 6 miliardë lekë të tjera me gjithë se vetëm në vitin 2009 ajo shpenzoi edhe 40 miliardë lekë të tjera.

Financimet

Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit do të përfitojë pjesën më të madhe të fondeve të parashikuara për investime publike. Kështu, ajo do të përfitojë 47 miliardë lekë ose rreth 55 për qind të totalit të investimeve publike. Në projektbuxhetin 2010 parashikohet që 68 për qind e investimeve publike për këtë ministri të jenë investime me financim të brendshëm. Në buxhetin e kësaj ministrie, zëri “Ndërtim rrugësh”, kap edhe pjesën më të madhe të financimeve nga të gjithë sektorët e tjerë. Parashikohen të investohen gati 40 miliardë lekë vetëm në akset nacionale nga 45 miliardë lekë që është fondi në total për të gjitha rrugët. Sipas informacioneve zyrtare nga Ministria e Financave, ndër objektivat për vitin 2010 janë ndërtimi dhe rehabilitimi i 156 km rrugë të rrjetit kombëtar me dy dhe katër korsi si: Kukës-Morinë, Bulqizë-Bllatë-Ura e Cerenecit, Leskovik-Tri Urat, Levan-Vlorë, Ura e Shkodrës-Fushë-Arrës, etj.. Në vitin që vjen gjithashtu parashikohen investime për sistemim, asfaltim dhe riveshje të rreth 217 km rrugë si: Dardhë-Ura e Drinit, Bajram Curri-Has, rruga e Voskopojës, Traget-Fierzë, Kuçovë-Belsh-Cërrik etj. Por Ministria e Financave përveç shumës së programuar në projektbuxhet për zërin “investime në infrastrukturën rrugore”, ka parashikuar që për të plotësuar mangësitë në këto investime të përdorë edhe fondin rezervë që shkon në rreth 50 milionë dollarë.

Fondet

Në sektorin rrugor janë parashikuar gjithashtu në vlerën 4.1 miliardë lekë edhe projekte me financim të brendshëm për sistemimin, asfaltimin dhe riveshjen e rrjetit të rrugëve nacionale. Një shumë prej rreth 287 milionë lekësh është parashikuar për supervizionin e punimeve të ndërtimit dhe sistemimit të rrugëve nacionale. Janë parashikuar gjithashtu 336 milionë lekë për studime projektime, 1.78 miliardë lekë për kontributin e Qeverisë Shqiptare në projektet me financim të huaj, si dhe 1 miliard lekë për shpronësime. Të gjitha projektet e investimeve të përfshira për financim në këtë program janë me kontrata të lidhura dhe në vazhdim nga viti i mëparshëm. Në të njëjtën kohë, sektori rrugor zë edhe pjesën më të madhe të financimit të huaj (rreth 57% të totalit të financimeve të huaja) me projekte për ndërtim rrugësh.

Serbia, Korridorin 10 e mbarojmë në vitin 2012

Ministri serb i Infrastrukturës, Milutin Mirkonjic, deklaroi për median vendëse se pjesa që i takon këtij vendi nga Korridori Paneuropian numër 10 do të vijojë të ndërtohet vitin e ardhshëm pavarësisht kushteve të vështira financiare të buxhetit, njoftoi "Balkaninsight". Sipas tij, "qeveria e Serbisë garanton se seksioni i fundit prej 307 kilometrash do të përfundojë së ndërtuari nga maji i vitit 2012". Korridori 10 fillon nga Austria në drejtim të Sllovenisë, Kroacisë, Serbisë e Maqedonisë për të arritur Greqinë. Korridori e shmang territorin e Kosovës. Korridori përfshin 2500 kilometra hekurudha dhe 2300 kilometra autostrada. Sipas Mirkonjic, Serbia ka siguruar deri tani 1.1 miliardë euro kredi ndërkohë që kostoja totale e segmentit të saj vlerësohet të jetë 1.5 miliardë euro. Rruga Durrës-Kukës mund të përfundojë në të ardhmen dhe të jetë një degë e Korridorit 10.

Projektet e rrugëve për vitin 2010

1. Ndërtimi i rrugës Rrëshen-Kalimash
2. Ndërtimi i rrugës by Pass Plepa-Kavajë-Rrogozhinë, me 10 lote
3. Ndërtimi i rrugës Milot- F. Krujë (dublimi i superstradës), me 10 lote
4. Ndërtimi i rrugës së Arbrit (dalja e urës së Vashës Bulqizë), me 3 lote
5. Ndërtimi i rrugës së Arbrit (seg.ura e Brarit- Hyrje tuneli Qafë Murrizë), loti 1
6. Ndërtimi i rrugës Dhërmi-Vuno, me 2 lote
7. Ndërtimi i rrugës Porto Romano- Durrës, me 2 lote
8. Ndërtimi i rrugës Kukës- Morinë
9. Ndërtimi i rrugës Kardhiq-Delvinë, loti 2
10. Ndërtimi i segmentit rrugor Fier-Vlorë (Levan-Vlorë)
11. Ndërtimi i segmentit rrugor Fier (Levan) - Tepelenë
12. Ndërtimi i By Passit të Fierit
13. Ndërtimi i rrugës Kalimash- Rexhepaj (Loti 8) 40 milionë
14. Ndërtimi i segmentit rrugor Konispol– Sarandë
15. Ndërtimi i segmentit rrugor Shkodër-Hani i Hotit

25 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›