Gjobat e gjyqësorit hapin dyert e burgut për gratë
KORÇE/ JORGJETA GJANÇI
Për të varfrit, gjobat e gjyqësorit hapin dyert e burgut. Kjo është kthyer në një fenomen evident në Korçë. Të dënuarit me gjobë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Korçës për vepra të lehta penale, janë detyruar të pranojnë konvertimin e saj me burg, në pamundësi për ta paguar atë. Kancelari i Gjykatës së Faktit në Korçë, Shkëlqim Kajmaku, pohoi se ky fenomen po shtohet dukshëm. Sipas tij, pamundësia për të shlyer gjobën e vënë në lekë për shtresën e varfër, u hap atyre dyert e burgut. Dhe burgu, veçanërisht për adoleshentët, vajzat e gratë, është një përvojë që lë gjurmë shumë gjatë. Dënimet me masë administrative aplikohen nga trupat gjykues në rastet e veprave të lehta penale. Sipas statistikave në Gjykatën e Korçës, gjatë vitit të kaluar janë dënuar me gjobë 212 persona. Në 35 raste të pandehurit e kanë konvertuar atë me burg. Vetëm për periudhën janar deri më 31 mars, sipas statistikave të gjykatës janë dënuar me gjobë 58 persona, 14 prej të cilëve në pamundësi për ta paguar atë kërkuan ta konvertonin me burg. Vërehet se këtij rregulli të konvertimit i janë nënshtruar gjobat e vogla deri në 100 mijë lekë. Kështu është vepruar me të dënuarin për veprën penale të plagosjes së lehtë Leonard K. Për shkak të moshës, (17 vjeç), gjykata e dënoi atë me një masë administrative prej 90 mijë lekësh. Por 17-vjeçari sërish nuk i shpëtoi dot qelisë. Familja e tij jeton në gjendje të vështirë ekonomike ndaj gjykata më pas vendosi t’ia konvertonte masën e dënimit me 6 muaj burg. Javën e kaluar 42-vjeçarja L.E., nënë e katër fëmijëve, u detyrua t’i linte këta të fundit vetëm e të shkonte në burg, pasi nuk kishte mundësi të shlyente dënimin prej 40 mijë lekësh. Ajo akuzohej për fyerjen e një personi, gjë të cilën e pagoi me 8 ditë heqje lirie. Aktualisht është duke kryer 10 ditë burg edhe Përparim Shkëmbi, pasi nuk mundi të shlyente 50 mijë lekë për veprën penale “dëmtime të tjera me dashje”. Një tjetër qytetar, Lulëzim Krasta nuk kishte pasur mundësi të paguante gjobën prej 60 mijë lekësh, ndaj po kryen dënimin me 12 ditë burg për veprën penale të “Plagosjes së lehtë me dashje”.