KQZ: Parlamenti të rishikojë Kodin
BLEDAR HOTI
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i kërkon Kuvendit, që të vendosë mbi një pasaktësi të hasur në nenin 6 të Kodit Zgjedhor për vëzhguesit e partive politike.Kreu i KQZ-së, Arben Ristani ka bërë të ditur se është në pritje të Kuvendit të Shqipërisë, në lidhje me pasaktësinë e hasur në nenin 6 të Kodit Zgjedhor. Përplasjen e nenit të konstatuar nga ana e anëtarëve të KQZ-së ka detyruar kreun e KQZ-së, që t’i drejtohet Kuvendit për të zgjidhur këtë ngërç. Pra nëse duhej të realizohet ndryshimi i Kodit Zgjedhor apo bëhet fjalë për një ndonjë pasaktësi në zbardhjen e neneve të Kodit nga zyrat përkatëse të Parlamentit. Kur duhen më shumë se dy muaj nga dita e zgjedhjeve, Kuvendi duhet të vihet përpara kësaj përgjegjësie. Në mbledhjen e djeshme, kreu i KQZ-së, Arben Ristani deklaroi se “presim Kuvendin që të shqyrtojë një çështje të tillë. Le ta konsultojnë partitë dhe më pas ne do të marrim vendimin përkatës”. Kjo ka bërë që udhëzimi për vëzhguesit të shtyhet nga ana e KQZ-së deri në pritje të një përgjigjeje zyrtare nga ana e Kuvendit, mbi të vërtetën e nenit 6, pika 6 të Kodit Zgjedhor. Në këtë pikë të këtij neni është përcaktuar se: “KQZ-ja ka të drejtë, me udhëzim të veçantë, t’u delegojë KZAZ-ve kompetencën e akreditimit të vëzhguesve, sipas pikave 2 dhe 3 të këtij neni”. Sipas anëtarëve të KQZ-së janë përcaktuar jo drejt pikat 2 dhe 3 të nenit 6, por duhet të ishin pikat 1 dhe 2 të këtij neni. KQZ-ja duhet të delegojë kompetencat drejt KZAZ-ve për të caktuar vëzhguesit e partive në çdo KQV dhe në GNV. Ky mos saktësim shkakton përplasje, pasi në bazë të kësaj përllogaritjeje i bie që mbi 5 mijë vëzhgues të partive politike, që ka çdo qendër votimi duhet të vijnë në Tiranë për të realizuar akreditimin, e cila duket e pamundur për t’u realizuar. Ndërsa përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj deklaroi për “Panorama” se nuk bëhet fjalë për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, pasi, sipas tij, është konstatuar se ka një gabim në zbardhjen e ligjit nga zyrat e Kuvendit. “Mendoj se Kuvendi duhet të rregullojë atë përplasjen që ndodhet në nenin 6 dhe të realizojë ndryshimin e kërkuar në ligj. Pastaj këtë ndryshim duhet ta botojë në Fletoren Zyrtare. Ne si PS jemi kundër ndryshimit të Kodit Zgjedhor”, deklaroi Gjonçaj. Dy ditë më parë KQZ-ja debatoi në lidhje me dokumentet e identifikimit, që duhet të paraqesin vëzhguesit në zgjedhjet parlamentare. Shkak për këtë u bë fakti se anëtarët mund të paraqiten pranë KZAZ-ve me certifikatë dhe fotografi me foto. Anëtarët e majtë në KQZ kanë qenë kategorikisht kundër idesë që vëzhguesit mund të paraqiten me dokumente të tjera të identifikimit. Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi ka kërkuar që vëzhguesit të paraqesin pranë KZAZ-ve vetëm dy dokumente që njihen për votimin e shtetasve shqiptarë në zgjedhjet e 28 qershorit, kartën e identitetit dhe pasaportën për jashtë shtetit. Sipas saj, dokumentet e tjera janë për t’u vlerësuar, duke kërkuar në të njëjtën kohë që Qeveria të paraqesë vendimin se kush janë dokumentet e identitetit që njihen zyrtarisht në Shqipëri. Kjo hasi kontestimin e anëtarit të KQZ-së, Klement Zguri, i cili theksoi se nuk mund të përdoren dy standarde për dokumentet e identifikimit. “Ne kemi pranuar certifikatat me foto për anëtarët e KZAZ-së, përse duhet të përdorim standard tjetër për çështjen e vëzhguesve”, deklaroi Zguri. Këto përplasje bënë që udhëzimi për vëzhguesit të mos votohet ende nga ana e KQZ-së.
Pikat që përplasen në nenin 6
E drejta për të caktuar vëzhgues
1. Çdo parti politike, e regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor, ka të drejtë të caktojë nga një vëzhgues në KZAZ, në KQV dhe për çdo tavolinë në Vendin e Numërimit të Votave pas regjistrimit të kandidatit/kandidatëve për zonën zgjedhore përkatëse ose pasi ka paraqitur listë shumemërore. Në rast se partitë politike paraqiten në zgjedhje si koalicion, të drejtën për të caktuar vëzhgues e ka vetëm koalicioni. Kandidatët e partive politike nuk kanë të drejtë të caktojnë vëzhgues.
2. Organizatat joqeveritare shqiptare dhe të huaja, si dhe organizatat ndërkombëtare të specializuara ose të angazhuara në mirëqeverisjen dhe demokratizimin, përfaqësuesit e shteteve të huaja dhe të medies kanë të drejtë të dërgojnë vëzhgues në zgjedhje.
3. Kandidatët e paraqitur nga një grup zgjedhësish në zonat e tyre përkatëse kanë të drejtë të caktojnë nga një vëzhgues në KZAZ, në KQV dhe në Vendin e Numërimit të Votave.
6. KQZ-ja ka të drejtë, me udhëzim të veçantë, t’u delegojë KZAZ-ve kompetencën e akreditimit të vëzhguesve, sipas pikave 2 dhe 3 të këtij neni.
PS: Policia, urdhër për
verifikimin e emigrantëve
Anëtari i Asamblesë Kombëtare socialiste, Ilir Gjoni, akuzoi strukturat e policisë se po dalin jashtë funksionit të tyre kushtetues në lidhje me zgjedhjet. Duke iu referuar një telegrami me nr. 898 të datës 17.02.09 drejtuar gjithë strukturave të policisë, ku kërkohet të evidentohen të gjithë shtetasit që deri në datën 28 qershor mbushin moshën 18 vjeç dhe që aktualisht janë emigrantë, duke pyetur njëkohësisht nëse do të kthehen apo jo për të votuar, Gjoni u shpreh dje përmes një konference për shtyp se kjo shkel rëndë misionin kushtetues të Policisë së Shtetit. Sipas tij, kjo përbën një sinjal të qartë të një skenari në fermentim për mundësinë e keqpërdorimit të Policisë së Shtetit në funksion të partisë në pushtet, me synim manipulimin e të dhënave sa i përket listave të zgjedhësve dhe numrit të shtetasve të pajisur me letërnjoftime elektronike.
“Romët karta
falas në
zgjedhje”
Kryeministri Berisha i premtoi dje komunitetit rom dhënien e kartave të identitetit falas. Berisha mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga PNUD, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, me rastin e ditës ndërkombëtare të romëve, zhvilluar në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Gjatë fjalës së tij kreu i ekzekutivit u shpreh se “ne duhet të kemi dialog konstant me njëri-tjetrin dhe të jeni të sigurt se propozimet dhe sugjerimet tuaja do të merren seriozisht parasysh. Tani po shkojmë drejtë zgjedhjeve. Qeveria do t’i japë komunitetit tuaj kartat e identitetit falas. Por ju duhet të bashkëpunoni në këtë proces të regjistrimit që po bëjmë. Regjistrimi i fëmijëve, regjistrimi i të rriturve është në interesin tuaj më të mirë, sepse në çdo plan, çdo projekt ne duhet ta bazojmë në të dhëna të sakta dhe tani kemi edhe letërnjoftimet e reja”.
Berisha: Task-Force për kartat
adi shkembi
Pas vendimit për uljen e çmimit të kartave të identitetit për disa kategori, qeveria ndërmerr një tjetër nismë për të përshpejtuar pajisjen e qytetarëve me dokumentin e ri. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave u miratua vendimi për ngritjen e një Task Force, e cila do të parashikojë lehtësira për transportin e organizuar të banorëve të fshatrave, që ndodhen larg qendrave të aplikimit. Duke folur për mediat kryeministri Berisha theksoi se kryetarët e komunave në zonat e largëta duhet marrin masat për të vënë në dispozicion të banorëve të fshatin mikrobuza edhe të shtunat e të dielat, kur do të jenë të hapura qendrat e aplikimit për pajisjen e kartën e identitetit. “Tani që qendrat e aplikimit fillojnë aktivitetin edhe në ditët e shtuna dhe të diela, kjo kërkon që edhe kryetarët e komunave, këshillat e komunave të përcaktojnë edhe krijimin e lehtësirave të transportit, me autobusë, apo me mikrobusë kur janë lagje të shkëputura, në mënyrë që t’i krijojmë lehtësi çdo qytetari shqiptar, i cili do të marrë pjesë në votime, të aplikojë”, u shpreh kryeministri Berisha, i cili u bëri sërish thirrje qytetarëve që të aplikojnë për tu pajisur para zgjedhjeve me dokumentin që u mundëson atyre të votojnë. Sipas kreut të ekzekutivit marrja e kartës bën të mundur edhe përshpejtimin e procedurave për liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Evropian. “Një komision kontroll për këtë ishte. Dua të garantoj qytetarët shqiptarë se është në dorën e tyre, më shumë se çdo gjë tjetër, të kontribuojnë në këtë proces, duke u pajisur me këto dokumente. Nuk duhet të kemi iluzione. Ne jemi në një proces vlerësimi, por dua të rikujtoj se jemi në një proces vlerësimi me vende, të cilat kanë 6 apo 7 vite që janë të pajisura me dokumente elektronike, por ne kemi avantazhin se janë më të avancuara”, theksoi më tej kryeministri Berisha.
Aplikimet
Ndërkohë zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni bëri të ditur mbrëmë për gazetën “Panorama”, se deri ditën e djeshme kishin aplikuar pranë stacioneve të ngritura në gjendjet civile mbi 452 mijë qytetarë, nga të cilët 102 mijë janë paraqitur pranë këtyre zyrave dhe kanë tërhequr dokumentin e ri. Vetëm në 7 prill kanë qenë 7660 qytetarë, të cilët kanë tërhequr kartën e identitetit. Ndërkohë Poni bëri të ditur gjithashtu se deri tani kompania koncensionare ka prodhuar mbi 360 mijë karta dhe 248 mijë prej tyre janë të shpërndara në zyrat e aplikimit në pritje për tu tërhequr nga qytetarët. Vetëm ditën e martë kanë aplikuar pranë stacioneve të ngritura në gjendjet civile mbi 10 mijë qytetarë. Veç uljes së çmimeve për disa kategori, për të përshpejtuar procesin e pajisjes së qytetarëve me kartat e identitetit qeveria ka marrë vendim për të pezulluar deri në 1 maj aplikimin e qytetarëve, të cilët janë të pajisur me pasaportë si dhe deri në 15 maj aplikimet e qytetarëve, që duan të marrin pasaportat biometrike.
Treguesit e pajisjes me kartat e identitetit
452.085 qytetarë kanë aplikuar deri ditën e djeshme 102.925 karta janë tërhequr nga qytetarët 7660 karta janë tërhequr vetëm në 7 prill nga aplikuesit 360.741 karta të prodhuara deri tani nga kompania koncensionare 248.701 karta të shpërndara në zyrat e aplikimit dhe që janë gati për qytetarët 10.861 qytetarë kanë aplikuar vetëm në 7 prill për pajisjen me kartat e identitetit 15 mijë karta prodhon kompania koncensionare çdo ditë
Rama me egjiptianët: Të mos taksohet e drejta e votës
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ishte dje pranë komunitetit egjiptian që jeton në Bregun e Lumit në periferi të kryeqytetit. Rama u shpreh se është e patolerueshme që të taksohet një e drejtë kushtetuese, siç është e drejta e votës. “Të gjithë duhet t’i marrin kartat për të votuar, në mënyrë që një e drejtë themelore e njeriut, që është në Kushtetutë, qofshin gra apo burra, romë apo egjiptianë, në fshat e në qytet, nuk mundet dot të shitet dhe nuk mundet dot të blihet”, theksoi Rama. Po dje, dhjetëra anëtarë të këtij komuniteti kanë protestuar përpara Kryeministrisë. Kreu i komunitetit egjiptian, Arjan Lile, i ka bërë apel qeverisë të marrë parasysh kërkesat e tyre për karta falas. Anëtarët e këtij komuniteti shprehen kundër tarifës prej 1200 lekësh, për letërnjoftimin e ri elektronik.