PS shtyn projektin e Gjykatës Administrative
Socialistët kontestojnë kalimin e draftit të ri për “Gjykatën Adminsitrative”, duke kërkuar më tepër kohë në shqyrtimin e neneve të riformuluara nga grupi i ekspertëve. Pandeli Majko dhe Besnik Dervishi u shprehën se ekspertët e PS-së nuk kanë qenë prezent në disa mbledhje dhe duhet të njihen më nga afër në lidhje me ndryshimet e realizuar. Kryetari i komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali e ka cilësuar si një mungesë të vullnetit politik të PS-së. “Kjo që kemi bërë ne është ofertë kompromisi, nëse juve thoni se neve nuk fillojmë punën pa zgjidh problemet, kjo pastaj nuk është një respekt ndaj njeri-tjetrit më tutje, sepse është praktikisht ti thuash shumicës në komision se ju jeni dele ne dimë që të manovrojmë”, tha Rusmali. Ndërsa deputeti i PD-së, Aldo Bumçi pranoi kërkesën e PS-së për shtyrjen për një javë të diskutimit të këtij drafti. “Kemi shtatë muaj që e zvarrisim, nëse kërkojnë edhe një javë tja japim edhe një javë kohë”, tha Bumçi. Ai së bashku me deputetin tjetër të PD-së, Prenga dhe të PBDNJ-së, Peçi votuan pro shtyrjes së këtij diskutimi, duke bashkuar votat me deputetët e opozitës të pranishëm në këtë komision si Majko, Klosi, Braho, Dervishi, Sherifi.