E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vajza e Abaz Kupit:Enver Hoxha e quajti hero të 7 prillit, më pas e bëri tradhtar

 

afrim imaj

"Të besuan detyrën e komandantit, mësohu të nderosh martirët! U ktheve krahët atyre, ka për të mallkuar historia. Se heronj si Mujo Ulqinaku, nuk i bëjnë nder vetëm eprorit të vet, por krejt kombit" I ka mbetur në kujtesë Hyjrie Kupit kjo rrëfenjë e të atit për heroin e 7 prillit '39 dhe sa herë bie fjala për ngjarjet e ditëve të para të pushtimit nga fashistët italianë, mundohet t'i ritregojë ashtu siç i ka dëgjuar nga goja e njeriut, që ka dashur më shumë në jetë. Për të, Mujo Ulqinaku, i martirizuari në ballë të frontit për mbrojtjen e Durrësit nga invazioni fashist, është shumë më tepër se një simbol. E bija e majorit që drejtoi operacionin e mbrojtjes ditën e parë të pushtimit, risjellë për gazetën "Panorama" përjetimet e 7 prillit 1939 sipas kujtimeve të së atit. Ka jetuar larg tij gjysmë shekulli me një brengë të thellë në shpirt për mënyrën e retushimit, që i bëri pushteti komunist kontributit të së atit në luftën antifashiste. Goditja ndaj tij nuk do të mjaftonte me kaq. Propaganda e Enver Hoxhës do ta anatemonte si tradhtar e kjo do t'i kushtonte jo pak njerëzve të saj. Një jetë të tërë e ka kaluar bashkë me familjarët e tjerë nëpër kampet e internimeve. Gjithsesi, shprehet Hyjrija, asnjëherë nuk e kam ulur kokën kur më kanë thënë vajza e Abaz Kupit. Përkundrazi jam ndjerë krenare...
 
Zonja Hyjrije! Dita e pushtimit nga Italia fashiste, ka qenë për ju dhe dita e ndarjes me babain. Çfarë mbani mënd nga 7 prilli i 1939...
Në fakt, me babain jemi ndarë jo në 7 prill, por më vonë. Ishte kapërcyelli i luftës kur familja jonë u copëtua në dy pjesë. Babai me  dy nga vëllezërit, pas shumë peripecish u vendosën në SHBA. Ne të tjerët mbetëm në Shqipëri. Fill pas 7 prillit '39, jeta jonë mori rrugën e një drame pafund... 
Mbani mënd si u gjend Abaz Kupi në Durrës ditën e 7 prillit '39?
Babai shkoi aty disa ditë para 7 prillit. Ishte caktuar me urdhër komandant i operacionit për mbrojtjen e Durrësit. Me sa di unë është thirrur për këtë në Tiranë. Isha e vogël atëherë, po të them të drejtën, çastet e tensionit të atyre ditëve nuk i kam harruar kurrë...
Me se merrej Abaz Kupi para se t'i caktonin detyrën e komandantit të operacionit për mbrojtjen e Durrësit?
Ne jetonim familjarisht në Krujë. Babai bënte detyrën e komandantit të xhandarmërisë së rrethit. E kishin caktuar aty si dorë të fortë. Pas një situate kaosi që kishte përjetuar zona, autoritetet zyrtare i kishin besuar Abaz Kupit detyrën e kreut të policisë. Ai iu përkushtua detyrës me të gjitha energjitë dhe në një kohë të shkurtër mundi të qetësojë rendin. Nga ajo periudhë mbaj mënd ankesat e shumta  për rastet e vjedhjeve, të rrahjeve e deri për vrasjet e ndryshme. Kam parë lot nënash për djemtë e pushkatuar, klithma tregtarësh për grabitje mallrash, dënesë vajzash për sjellje poshtëruese të banditëve etj. I kam edhe sot në sy momentet kur babai i qetësonte me durim e maturi. "Do t'i kapim e do t'i vëmë para ligjit!" Pas këtij reagimi, ai ikte dhe bënte ç'ishte e mundur për ta mbajtur fjalën. Dhe atë që thoshte, e bënte patjetër. Mori një farë kohe vrull fenomeni i gjakmarrjes. Ideja e babait për të ngritur një komitet të përbashkët dhe këmbëngulja e tij për t'iu drejtuar besës së malësorëve, ndikuan ndjeshëm në mbylljen e kësaj plagë shfarosëse. E vërteta është se në pak kohë gjendja u përmirësua... 
Çfarë kujtoni nga momentet kur Abaz Kupi u nis me detyrë në Durrës?
Tani me detaje gjërat nuk i mbaj mënd. Ajo që më kujtohet nga ditët e para 7 prillit '39, është paniku i luftës. Ne të vegjlit që nuk ishin në gjendje të kuptonim se çfarë do të thoshte kjo mundoheshim të numëronin avionët italianë, që fluturonin pa pushim në ajër. Fletushkat që hidhnin nga lart, mjaft herë bëheshin objekt i lodrave tona. Të keqen që kanosej e ndjenim vetëm kur futeshim në shtëpi. Tendosja dhe makthi i të rriturve na bënte të binim për një çast në mendime. Pikërisht në këtë situatë një mbrëmje babai i porsa kthyer nga Tirana i tha nënës se do të shkonte me detyrë në Durrës. Rregulloi shpejt e shpejt pajimet, vuri koburen në brez dhe pasi na përqafoi të gjithëve u nis. Nëna na tha se do të shkonte për t'u bërë pritë italianëve, që ishin nisur nga matanë Adriatikut. Kaq ishte ndarja me të, pastaj gjërat morën rrjedhën e luftës... 
Pra, Abaz Kupi ishte zgjedhur për t'i bërë ballë pushtuesit në vijë të parë...
Atë lufta e gjeti ushtarak. Me sa më kujtohet mbante gradën e majorit. Kishte qenë më parë toger, pastaj kapiten, ndërkohë që shumëkush e thërriste kapedan. Pikërisht, në çastet kërcënuese e caktuan me detyrën e komandantit që do t'i priste okupatorët në vijë të parë. Ndoshta emri i mirë që kishte krijuar deri atëherë ishte bërë shkas për t'i besuar këtë detyrë. Ai iku i bindur se do të bënte të pamundurën për t'i bërë ballë ofensivës së okupatorit. Sidoqoftë, gjendja shfaqej kritike dhe orë pas ore vendi ballafaqohej me të papritura serioze...
Gjithsesi, Shqipëria u fut në luftë, taborët e parë u shfaqën në det. Si e përjetonte këtë familja e komandantit që i ishte besuar sektori më i vështirë...
Lufta nuk ishte e papritur. Më herët kishte dështuar përpjekja për t'i detyruar shqiptarët, që ta aneksonin vëndin paqësisht me Italinë. Në vijim kishte mbërritur ultimatumi për ta kthyer Shqipërinë në një koloni italiane. Era e luftës ndihej kudo. Në mbarë vendin filluan protestat antifashiste. Sakaq okupatorët ishin shfaqur në det me vaporë të mëdhenj...
Ndërkaq, babai juaj operonte në Durrës në krye të operacionit për zbrapsien e okupatorit...
Çastet e asaj përballje i kam dëgjuar më vonë nga rrëfimet e tij. Babai u gjënd në Durrës disa ditë para 7 prillit '39. Studioi gjëndjen dhe menjëherë bëri organizimet përkatëse. I duhej të kompletonte trupat e mbrojtjes dhe u nis  në Krujë, Kurbin e Burrel ku mobilizoi me qindra vullnetarë. Amnistoi të burgosurit me lejen e autoriteteve për ti organizuar në reparte mbrojtjeje. Drejtoi punimet për hapjen e fortifikatave dhe ndau armatimet luftarake. Në një kohë fare të shkurtër e vuri ccdo gjë në gatishmëri. Ai na tregonte se jo çdo gjë i kishte kaluar mbarë. Kur nga momenti në moment Durrësi pritej të binte në duart e italianëve, ishin larguar pa adresë prefekti dhe kryebashkiaku i qytetit(!). Sidoqoftë edhe pa praninë e tyre, reagimi   ishte i menjëhershëm...
Mbani mënd të jetë kthyer në shtëpi gjatë këtyre ditëve Abaz Kupi?
Me sa më kujtohet ka ardhur një ditë para 7 prillit. Në fillim shkoi   në xhandarmërinë e Krujës. Pastaj erdhi për disa çaste në shtëpi. Dukej i shqetësuar jashtë mase. Nuk e kisha parë asnjëherë në atë gjendje. Herë-herë çonte zërin dhe aty për aty alarmohej. Nëna që e njihte mirë na porositi mos ta shqetësonim. Mënyra e sjelljes së tij na linte të kuptonim se diçka e rëndë kishte ndodhur ose të paktën pritej të ndodhte. Erdhi një moment një miku i tij. Folën për situatën në Durrës. "Ç'të duhet, ke fëmijë, mund të tërhiqesh!", e këshilloi ai. Babai e kapi për fyti dhe i egërsuar i tha të delte jashtë. Kush dezerton tani, tha me zë të lartë do ta vë në plumb! Para se të ikte foli me nënën. Ne ishim të vegjël dhe nuk ia vumë veshin. I tha të kujdesej për ne dhe i kujtoi emrin e Aqif Lleshit, një mikut të tij që e çmonte shumë. Siç na shpjegoi nëna më vonë kjo do të thoshte se situata ishte shumë e rëndë dhe për çdo të papritur duhej të iknim për t'u strehuar në Dibër të Madhe në besën e mikut të tij. Do të ndiqnim këtë rrugë, nëse babai vritej apo italianët do pushtonin vendin...
Fatmirësisht, babai shpëtoi, megjithëse Durrësi pas shumë orësh rezistence ra në duart e italianëve. U kujtohet rrëfimi i tij për ngjarjet e 7 prillit?
Ka qenë vetëm një rast që e kam dëgjuar babain të tregojë për atë që ndodhi në Durrës ditën e zbarkimit të fashistëve. Agresioni kishte filluar në orën pesë të mëngjesit të 7 prillit. Në fillim ishin shfaqur avionët, pastaj ishin dukur në det anijet. Me t'u afruar kishin rënë në breshërinë e armëve. Dyluftimi do vazhdonte disa orë. Trupat fashiste do gozhdoheshin për një moment në vijën e ujit. Nga deti do vinin përforcime të tjera. Situata e krijuar diktoi   tërheqjen në bulevardin kryesor të Durrësit, për tu ripozicionuar në afërsi të Bankës. Repartet kundërvepruan rrufeshëm. Rrugët e qytetit u mbushën me gjak. Teksa vazhdonte beteja ra Mujo Ulqinaku...
Si e përshkruante Abaz Kupi vrasjen e Mujo Ulqinakut?
Në kujtesën e babait Mujo Ulqinaku ishte fiksuar si një trim i çartur, që gjatë gjithë kohës kishte qenë në ballë të frontit. Ishte vrarë, kur edhe mund të tërhiqej, por zgjodhi qëndresën burrërore deri në fund. Kur e pa të shtrirë në tokë, babai thoshte se ishte tronditur jashtë mase. Doli nga pozicioni dhe me pistoletë në dorë qëlloi disa herë andej nga kishin ardhur plumbat fatalë. Me urdhrin e tij një skuadër luftëtarësh tërhoqën mes breshërive trupin e Mujos. Ai, thoshte babai, ishte vërtetë një kapter, por qëndroi si gjeneral. Që nga ky moment betejat në qytet u bënë më të ashpra. Repartet italiane pësonin humbje të njëpasnjëshme, por nuk tërhiqeshin. Herë pas here futeshin në luftime forca të reja që dukej sikur mbinin nga dheu. Nga pozicionet gjatë bulevardit, luftëtarët u tërhoqën në thellësi të qytetit. Për orë të tëra vazhdoi dyluftimi zjarr për zjarr. Futja në luftim e artilierisë së anijeve që ishin afruar në breg, e bënte situatën edhe më të rëndë. Sakaq nga ajri aviacioni vazhdonte me bombardime të pandërprera mbi qytet. Ishte momenti kur kishte rënë Shkodra, Shëngjini, Vlora e Saranda. Durrësi do të binte i fundit...
Gjatë viteve të komunizmit rezistenca e 7 prillit 39 u personalizua me emrin e Mujo Ulqinakut, ndërkohë që për Abaz Kupin nuk përmendej asnjë kontribut...
Jo vetëm kaq, po Enver Hoxha harroi edhe ato që kishte thënë vet për  Bazin e Canes në vitet e luftës. Ai "heroi i 7 prillit '39", pas Konferencës së Mukjes për të u konvertua në "tradhtar". Sidoqoftë e vërteta nuk mund të burgosej tërë jetën...
Kur u takuat me babain pas rënies së Durrësit?
Mbaj mënd që ne sipas porosisë së tij ishim nisur për në Dibër të Madhe. Kufirin e kaluam nga Bllaca. Jemi takuar me të në rrugë e sipër. I shpjegoi nënës diçka përmbledhtas duke i kujtuar se vendi kishte rënë në duart e fashistëve. I tha se mbreti ishte larguar bashkë me familjen. Në postën e kufirit disa çaste debatoi me zyrtarët që kërkonin t'i merrnin pistoletën. Deri në fund nuk pranoi të çarmatosej. Me sa duket eprorët jugosllavë diçka dinin për të dhe nuk ja morën pistoletën. Natën e parë në Dibër na mbajtën në xhandarmëri. Të nesërmen shkuam në shtëpinë e Aqif Lleshit. Preja aty shkuam në Gostivar. Sakaq babai u largua. Shkoi në Larisa të Greqisë ku u takua me Zogun. Aty gjeti dhe Petritin që kishte shkuar nga Korcca. Pas disa ditësh u rikthye në Maqedoni. U takua me nënë Havanë dhe ne të tjerët. Atë natë na përcolli për në Shqipëri. Vetë u nis prapë për në Larisa…

Kupi, historia e familjes që lufta e ndau në dy kontinente

Me të premten e zezë të 7 prillit ‘39, fillon drama pafund e familjes së Abaz Kupit, njeriut që atë ditë drejtoi rezistencës antifashiste në Durrës. Prej këtej, në strehën e Kapedanit, siç njihej ndryshe Bazi i Canes, nuk u mblodhën më kurrë të gjithë bashkë. Për gjysmë shekulli jetuan të ndarë nga njëri-tjetri, madje në dy kontinente të largëta. Abazi me dy djemtë, Petritin e Rustemin në SHBA. E shoqja, Havaja dhe fëmijët e tjerë Fatbardhi, Xhumaja, Ferideja, Nezmija, Bukuria, Dudia dhe Hyjria në Shqipëri. I larguar nga shtëpia në fillimin e prillit 39, kapedani do të takohej me fëmijët në arrati në bjeshkët e Dibrës për të kaluar me ta vetëm një natë. Luftëtarët e lirisë me strehën në male do të bëheshin “familja” tjetër e tij. Më tej, andrallat e luftës do ta fusnin në tjetër hulli fatit të tij duke e degdisur larg, shumë larg të dashurve të vet. Pjesa tjetër e familjes do ti nënshtrohej kalvarit të tmerrshëm të vuajtje me internime të njëpasnjëshme. Në fillim në Siena të Italisë, pastaj në Himarë e Gjirokastër, për ta mbyllur në Gradishtë të Lushnjës. Një jetë në arrati, në ferrin e kampeve famëkeqe. Një jetë të ndarë me brengën dhe mallin e pashuar për njëri-tjetrin…

perkthyesi
“Abaz Kupi e bënte mik gjithkënd që i kushtohej luftës. Njerëzit që i bënin bisht dhe e tradhtonin atë, ishin armiqtë e betuar të tij” Me këtë konsideratë Shaqir Trimi, përkthyesi i Bazit të Canes gjatë luftës, përmbyllte intervistën për “Panorama” pak ditë para se të ndërronte jetë. Sakaq, i besuari i Abaz Kupit, ish-nxënësi i “Harri Fulz” ofroi për gazetën mjaft nga kujtimet e britanikëve për njeriun, që e çmonin si protagonistin e papërsëritshëm të fitores mbi pushtuesin.

poeti
“Prite, prite Bazin e Canes!” Balada e panjohur me autor Vedat Kokonën është recituar nga autori në një shfaqje gjatë viteve të luftës. Jehona e kontributit të Abaz Kupit në qëndresën antifashiste, thonë bashkëkohësit, zuri një vend të rëndësishëm në krijimtarinë e fillimviteve ‘40. Duke iu kthyer interpretimit të zjarrtë të Kokonës gjatë një shfaqje në kinema “Kosova” në Tiranë në ‘42-in, ai kujton brohoritjet e ndezura të publikut “Kapedani”, “Kapedani” në nderim të Abaz Kupit.

Enver Hoxha në shkurt 43: Bazi i Canes, heroi i 7 prillit

Abaz Kupi i anatemuar si tradhtar në periudhën e komunizmit, për Enver Hoxhën nuk ka qenë i tillë gjatë luftës antifashiste! Madje, njeriu që drejtoi Shqipërinë me dorë të hekurt për 50 vjet me radhë, e ka cilësuar si një nga heronjtë e kombit. Pavarësisht se në vitet e komunizmit ky opinion i Enverit është retushuar e “burgosur”, fatmirësisht ka mbetur diku në dosjet e rezervuara të arkivit. Nuk bëhet fjalë këtu për vlerësime të shprehura në këmbë apo në takime miqsh, por për një dokument autentik të botuar në gazetën e Partisë Komuniste “Zëri I Popullit”. Në artikullin e Enver Hoxhës “Bazi i Canes, Myslim Peza e Babafaja Martaneshi” të 13 shkurtit ‘43, Abaz Kupi himnizohet si një nga legjendat e rezistencës antifashiste. Po kreu i komunistëve shqiptar, menjëherë pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, do ta ndërronte mendjen për “heroin e 7 prillit ‘39" dhe prej andej për të Bazi i Canes do të mbetej thjesht një tradhtar. Gjithsesi, çfarë shkruan Enveri në dokumentin e panjohur të shkurtit ‘43...
Dokumenti
Ditët e para të prillit 1939, populli shqiptar ishte në këmbë, me një zemër, me një parullë: Luftë invazorit! I madh e i vogël bërtiste, bërtiste: në Durrës, Shëngjin, Vlorë për të mbrojtur Atdheun. Në Durrës luftonte Abaz Kupi kundra mijëra e mijëra fashistëve që po zbarkonin. Bazi i Canes dhe djemtë e Shqipërisë të frymëzuar prej një dashurie të madhe për Atdheun me të vetmen pushkë të shqiptarit, e bënë armikun të kthehej në vapore e të linte në Molo me qindra të vrarë. Major Bazi ishte kudo, në çdo pozicion dëgjohej zëri i tij: “Djema! Godisni armikun pa mëshirë, se kështu e lyp ndera e Atdheut!” Nga çdo anë, nga çdo mur, derë, nga çdo penxhere e Durrësit gëlonte pushka. Bazi i Canes nuk po ja lëshonte vendin, megjithëse armiku përdori topa e aeroplanë, djemtë e Shqipërisë nuk trembeshin. Lufta vazhdoi me orë, armiku hidhte si në furrë me mijëra bersalierë dhe përpara kësaj hordhie të madhe të veshur me çelik, Bazi i Canes u tërhoq, por i pathyer, i papërkulur, me zemrën plotë dashuri për Atdheun dhe me urrejtje për okupatorin. Në emigracion këtij nuk i rrihej...prandaj çau malet me borë, çau bjeshkët e Veriut dhe u fut në Atdhe, atje ku e lyp detyra, ku e lyp ndera e Atdheut, u fut me forcat e tij, me atë të shokëve shqiptarë që ishin çue në këmbë. Fshatrat e Krujës zienin, fshatarët rrokën pushkët, pse era e hakmarrjes kish arritur, pse Bazi i Durrësit ishte kthyer me marrë pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar...Bazi i Canes që luftonte për një qëllim të shenjtë: Çlirimin e Atdheut nga zgjedha italiane, e ka kuptuar fare mirë se trimi i mirë me shokë shumë, se ky hall i madh ka mbuluar gjithë Shqipërinë dhe se një bashkim i fortë i gjithë shqiptarëve do të jetë shpëtimi i vendit tonë. Bazi i Canes nuk tutej por thoshte “Vallja vjen pas”. Patrioti i vërtetë nuk lufton me fjalë, por me vepra dhe Bazi i Canes mendimet e tij i realizonte në fushën e luftës dhe solidar deri në vdekje u hodh në luftën Nacionalçlirimtare... Bazi i Canes, Bazi i Krujës, Bazi i Pezës do ta vazhdojë luftën deri në fitore....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›