E Diel, 1 Nëntor 2026

Pro NATO-s virtualisht

BELINA BUDINI* 

Retorika bashkëkohore sugjeron që ne jetojmë në një botë ‘media-centrike’. Vetë mediat janë të interesuara në ndërtimin e këtij miti, në përpjekje për ta legjitimuar veten si qendër. Kjo do të thotë që mediat pretendojnë të jenë pikërisht aty ku ndodh lajmi, ku bëhet historia, ku jepet shfaqja kryesore. Kësisoj, evente publike si ceremonia
për pranimin e Shqipërisë në NATO ofrojnë mundësi të shkëlqyera për mediat që ta krijojnë veten si qendër. Megjithëse evenimente publike si ato të pranimit të Shqipërisë në NATO nuk janë të iniciuara nga vetë mediat, ato mbeten një formë
konstruksioni retorik i rolit dhe pozicionit të mediave si interpretuesit e privilegjuar të qendrës. Mediat e bëjnë këtë edhe pasi ngjarja ka përfunduar duke kujtuar sa herë që bie rasti, në çdo përkujtimore, se si e rrëfyen ato historinë. Në përpjekjen për t’u faktorizuar, mediat shkojnë edhe më larg. Ato krijojnë një virtualitet gjithëpërfshirës për shoqërinë nga qendra në periferi, duke përcjellë në fakt një pamje të ngushtë të dinamikave sociale. Ky deformim virtual ngërthen edhe mëkatin e flirtimit me pushtetin shtetëror dhe proceset qeverisëse, që nga ana tjetër janë të interesuar që t’i ndikojnë mediat dhe t’i promovojnë ato si qendër.
Por një shpjegim i thjeshtë me anë të tezës së manipulimit politik është i pamjaftueshëm për të kuptuar rolin e mediave në mbulimin e ngjarjeve, ritualeve, ceremonive ose maratonave publike të tilla si ato që shoqëruan pranimin e Shqipërisë në Aleancën Ushtarake të Atlantikut të Veriut. Duhet pranuar se, së paku formalisht, mediat janë të diferencuara nga qeveria. Ato kanë potencialin t’u thonë jo propozimeve të establishmentit për të montuar ngjarje publike. Gazetarët duhen bindur përpara se të heqin dorë nga mosbesimi i tyre profesional, për të përqafuar spektaklin politik. Madje, roli i mediave mund të jetë shpesh që të veprojnë si frenuese të tundimit qeveritar për të mobilizuar mbështetje masive përmes spektaklit politik. Mediat e sotme janë të mbrojtura nga teprimet e spektaklit politik që karakterizuan ditët e Hitlerit apo Musolinit, pasi spektri i tyre është sot kritik dhe ato shpesh negociojnë dhe thonë jo, megjithëse mbrojtja profesionale ndaj manipulimit nuk është e garantuar njëherë e përgjithmonë dhe nuk duhet hequr dorë nga një lloj vigjilence në këtë drejtim.
Në fakt, mediumi që përfshihet më drejtpërdrejt në performimin e evenimenteve publike (jo thjesht në raportimin e tyre) është televizioni. Kjo është arsyeja që kemi kryesisht televizionin në mendje kur flasim për pushtetin mediatik për të ndërprerë veprimtaritë e tjera shoqërore (gjatë transmetimeve televizive maratonë të gjitha aktivitetet e tjera ndërpriten, pezullohen, shtyhen për t’ia lënë gjithë terrenin eventit mbret), për të provokuar një metamorfozë të kuptimit që ka ngjarja (Tv shpesh ka forcën që të natyralizojë mesazhe dhe kuptime të caktuara), për ta trajtuar ngjarjen si një spektakël me një narrativë të vetme (prirja për të ndërtuar një tablo hegjemonizuese). Pa rolin e televizionit, është e pamundur që t’i kuptojmë sot evenimentet publike me gjithë kompleksitetin e tyre. Diskursi televiziv në rastin e evenimenteve publike të tilla si ceremonialet e pranimit të Shqipërisë në NATO ofron më së shumti një angazhim të vetin ndaj evenimentit, sesa një riprodhim të tij. Pra televizioni nuk ofron as riprodhim, as akses, por evenimentin e vet origjinal. Kjo nuk do të thotë se eventet mediatike janë pseudo-evente, edhe pse mund të përmbajnë edhe ndonjë syresh. Por, në tërësi ato shfaqen si ‘origjinale’ ose ‘autentike’.
Pas parashtrimit të mësipërm, interpretimi i rastit konkret, në lidhje me mediatizimin dhe fanfarën e ‘Shqipërisë në NATO’, mund të duket i deshifrueshëm.
Zëra të ndryshëm në spektrin e analizave dhe komenteve e kanë denoncuar entuziazmin e ekzagjeruar, sipas tyre, që shoqëroi procesin burokratik të pranimit formal të Shqipërisë në NATO. Ka pasur nga ata që i kanë vënë këtij entuziazmi edhe etiketën ‘histeri kolektive’, të tjerë, në kahun e kundërt, që kanë shprehur zhgënjim pse ky entuziazëm nuk përfshiu Kosovën, pra si pamjaftueshmërisht hemogjenizues dhe unifikues. Duket se në këtë tablo, si rëndom, lihet jashtë faktori Media. Media nuk llogaritet si faktor, ndërkohë që perceptimet dhe interpretimet e bëra, në një masë të madhe, bazohen pikërisht në pasqyrimin dhe performimin mediatik të evenimentit. Thënë këtë, versioni i ‘histerisë masive’ duket i dyshimtë, pasi histeria është fenomen që prodhohet nga turmat dhe jo nga spektatorët televizivë. Shumica e njerëzve e ndoqën këtë ngjarje nga televizioni dhe nuk ishin vetë fizikisht ‘atje’, në festime. Edhe si spektatorë, nuk mund të thuhet asesi që shumica ishin ‘atje’, as virtualisht. Të pohosh të kundërtën, do të thotë të neglizhosh faktin që ka pasur një numër të madh njerëzish që nuk kanë parë asgjë nga e gjithë kjo dhe nuk kanë ndjerë ndonjë emocion apo entuziazëm të veçantë, për t’u shënuar.
Totaliteti shoqëror është një kategori e rrezikshme që priret të fiksojë kuptimin e proceseve shoqërore dhe të ndërtojë një tablo unifikuese aty ku tabloja është përkundrazi e fragmentuar, e diversifikuar, ku nuk mungojnë komunitetet e ndryshme në shije dhe preferenca. Kritika dhe skepticizmi, rezistenca dhe opozicioni, mungesa e konsensusit janë pjesë e pamohueshme e tablosë. Pra, nuk do të ishte e drejtë të linim pa zë këtë spektër të gjerë të opinionit publik. Për fat të keq, narrativa mediatike shpesh luan rol të konsiderueshëm në unifikimin e kësaj tabloje shumëzërëshe dhe kjo është akoma më e dukshme në rastin e mbulimit të evenimenteve publike si ‘Shqipëria në NATO’. 
Përballë kësaj narrative hegjemoniste, ‘realiteti’ jashtë mediave, në rastin e evenimenteve publike, mund të jetë i ndryshëm. Nuk duhet mohuar që roli i TV ishte thelbësor në krijimin e pjesëmarrjes masive, emocionale, në mbështetje të këtij evenimenti. Kjo ngjarje ‘historike’ u komentua dhe u pasqyrua në detaje të nevojshme e të panevojshme, hyri në shtëpitë e njerëzve, pra u domestifikua dhe u socializua. Por nuk mund të mohohet, që në realitetin përtej mediave, trendi fragmentarizues nga ana e publikut ose audiencave, është i pranishëm. Këto zëra mund të paraqiten si pakicë dhe të dëgjohen jo aq dendur sa zërat entuziastë, por nuk mund të themi që munguan ose që mungojnë. Skeptikët ose dyshuesit i kemi dëgjuar madje edhe në mediat alternative. Megjithatë, në vend që ta cilësojmë shprehjen entuziaste të pranimit të Shqipërisë në NATO (për aq sa ishte e tillë) si shenjë nderimi kolektiv të verbër (apo në versionin e histerisë kolektive), mund të konstatohet se ka një logjikë racionale pas kësaj shfaqje entuziazmi, pasi shqiptarët ndihen më të fuqizuar nga kjo marrëdhënie e re pushteti me Kombet e NATO-s dhe procesi i ritualizimit e përforcon këtë ndjesi.
Edhe mediat ndërkombëtare kanë të njëjtën prirje për ta unifikuar tablonë e kësaj ngjarjeje kur ‘The Guardian’ shkruante në një vit më parë, në 3 prill të vitit të 2008 kur Shqipëria mori ftesën për t’iu bashkuar NATO-s se ‘Ndryshe nga shtetet e tjera perëndimore që janë anëtare të NATO, në Shqipëri pak kritika ka ndaj aleancës ushtarake’ (Guardian, 3 April 2008). Një vit më pas zërat kritikë dhe skeptikë janë shtuar, ndërsa nuk kanë munguar që në krye të herës. Ato nuk duken të kenë munguar sidomos në shtyp, po të kemi parasysh spektrin e analizave dhe komenteve. Do të ishte e gabuar ndoshta që këtë lloj skepticizmi dhe kritike ta përkthenim thjeshtë si snobizëm apo dalje kundër rrymës. Përgjithësisht kolumnistët e bëjnë mirë rolin e zëdhënësit popullor dhe vetë ngritja e dyshimeve dhe rezistenca e tyre për të përqafuar narrativën unifikuese, mund të jetë domethënëse.

*Pedagoge në Uiversitetin
Europian të Tiranës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›