E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjobat, mazhoranca kundër qeverisë

24/02/2009  Regjistrimi i fëmijëve, Komisioni i Ligjeve debaton mbi detyrimin e spitaleve për të deklaruar lindje

Vendoset sot nëse studentët do të votojnë në vendqëndrimet apo vendbanimet e tyre

Mazhoranca në Komisionin e parlamentar të Ligjeve është deklaruar dje kundër disa propozimeve të qeverisë në ligjin “Për gjendjen civile”. Gjatë diskutimit të projektit nen për nen, kryetari komisionit, deputet i Partisë Demokratike Ilir Rusmali, është deklaruar kundër përcaktimit ligjor të qeverisë për penalizmin e atyre subjekteve shëndetësore apo individëve që nuk përmbushin detyrimin për të dërguar në zyrat e gjendjes civile të gjitha rastet e lindjeve. Formulimet e propozuara prej komisionarëve do të marrin vulën përfundimtare gjatë mbledhjes së sotme të komisionit së bashku me ndryshimet e nenit 14 të ligjit. Ky nen, i cili parashikon që studentët për periudhën që janë në shkollë të regjistrohen nëpërmjet institucioneve arsimore në regjistrat themeltarë të njësive ku kryejnë studimet dhe rrjedhimisht do të votojnë në këto njësi vendore, pas kontestimeve të ashpra të opozitës është lënë të riformulohet pas një konsensusi që do arrihet mes palëve.

Penalizimet

Drejtori i përgjithshëm të Gjendjes Civile, Armand Teliti, sqaroi dje në komision parashikimin e qeverisë për të penalizuar me 50 mijë lekë gjobë të gjitha ata që shkelin nenin 32, pika 6. “Të gjitha subjektet shëndetësore publike dhe private që kanë të drejtë të vërtetojnë lindjen, janë të detyruara që çdo ditë të hënë të dërgojë në zyrat e gjendjes civile rastet e lindjeve dhe të regjistrimeve të tyre nga personat të tjerë, pikërisht në ato zona ku dhe i gjejnë fëmijët”, - thuhet në këtë nen. Mirëpo e cilësuar si kundërvajtje administrative nga qeveria, për kryetarin e komisionit, Rusmali, ky detyrim nuk u takon subjekteve apo qytetarëve, por Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile. “Kompetencën për regjistrimin e ka Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe jo spitalet apo qytetarët. Kodi Penal, në mos gaboj, e parashikon kundërvajtje penale këtë rast, ti e parashikon edhe si kundërvajtje administrative. Nuk mund t’i aplikosh të dyja. Duhet të kesh ti instrumentet për të kontrolluar lindjet, pasi nuk merren njësitë e gjendjes civile me këtë punë”, - iu drejtuar Rusmali drejtorit Teliti. Komisioni u shpreh dakord që të riformulojë këtë paragraf të nenit 66 të projektligjit për ta riparë gjatë mbledhjes së sotme të komisionit. Rreth këtij neni, konkretisht penalizimeve ndaj autoritetit të cilit i propozohet masë administrative për punonjësit e gjendjes civile, edhe deputeti i Partisë Socialiste Besnik Dervishi shprehu rezervat e tij. “Ju parashikoni gjobë në masën 50 mijë lekë për shkelje të propozimit të drejtorit të përgjithshëm të Gjendjes Civile drejtuar kreut të njësisë vendore ose prefektit për masa administrative ndaj punonjësit të gjendjes civile, kur ai vëren shkelje. Nuk mund ta vendosni në këtë mënyrë nën presion pushtetin vendor nga ai qendror”, - theksoi Dervishi.

Neni 14

Pas një kundërshtimi të hapur nga deputetët e opozitës lidhur me nenin 14 të projektit, komisioni vendosi shtyrjen e diskutimit të këtij neni dhe gjetjen e një konsensusi mes palëve. Ndonëse deri dje në mesditë ky konsensus mungonte, palët kanë rënë dakord ta zgjidhin në mbledhjen e sotme këtë çështje.

Relatori Klosi

Deputeti i PS-së, relatori i këtij projekti Blendi Klosi, e quajti antiligjor nenin 14 të projektit. Ai tha se detyrimi që studentët për periudhën që janë në shkollë të votojnë në vendqëndrimin dhe jo aty ku kanë vendbanimin e përhershëm është në kundërshtim me përcaktimet e Kodit Zgjedhor dhe Kushtetutën. “Ndryshoni nenin, në të kundërt opozita në bllok është kundër projektit, i cili hedh në erë gjithë përgatitjet zgjedhore të 2009-s”, - tha Klosi.

Ekzekutimi i gjobave

Komisioni parlamentar i Ligjeve me konsensus të palëve hoqi nga projekti përcaktimin sipas të cilit gjobat e parashikuara në ligj lidhur me masat administrative ndaj nëpunësve të gjendjes civile apo emërimin apo shkarkimin e tyre ekzekutohej nga ministri i Brendshëm. “Nuk mund të bëni përmbarues ministrin. Bëjeni ju si Drejtori e Përgjithshme e Gjendjes Civile sipas dispozitave të ligjit ‘Për kundërvajtjet administrative”, - tha Rusmali.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›