E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjobat për ndërtuesit, sipas ligjit të ri, nga 1 deri në 10 milionë lekë, sipas shkeljes

Ndëshkim dhe për zyrtarët që shmangin shkeljet e ndërtuesit. Shkelja e detyrimeve nuk përbën vepër penale, por dënohet me gjobë

Ervin Koçi

Ligji i ri “Për urbanistikën”, që pritet të hyjë në zbatim vitin e ardhshëm, parashikon një mori gjobash dhe ndëshkimesh për të gjitha subjektet ndërtuese që do të shkelin rregullat e përcaktuara në lejen e zhvillimit, apo që nuk do të respektojnë rregullat e urbanistikës. Po kështu, nga rregullat e ashpra dhe ndëshkimet nuk do të shpëtojnë as zyrtarët shtetërorë, të cilët do të krijojnë pengesa dhe burokraci për ndërtuesit, apo në rastin më të keq, kur bëhen bashkëpunëtorë me të në fshehjen e shkeljeve. Dënimi financiar në rastet e dhënies së lejeve të zhvillimit në kundërshtim me këtë ligj, por edhe shkelja e këtyre lejeve nga ana e ndërtuesve varion me gjoba nga 100 mijë lekë deri në dhjetëfishin e vlerës së gjobës, në rast përsëritjeje. Të gjitha gjobat dhe kundërvajtjet parashikohen në nenin 68 të projektligjit, i cili flet për kundërvajtjet administrative. Sipas tij, çdo shkelje e detyrimeve të përcaktuara në ligj, kur nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë. Në rastet kur një zyrtar lëshon një leje të zhvillimit, leje të ndërtimit apo vërtetimi të përputhshmërisë në kundërshtim me këtë ligj, qoftë edhe me pranimin në heshtje, ai cilësohet përgjegjës dhe dënohet me gjobë nga 100 mijë lekë deri në 10 për qind të vlerës së shpenzimeve që janë kryer apo do të kryhen sipas kërkesës përkatëse për zhvillim. Por edhe nëse nuk ka botuar në regjistër aktet për të cilat botimi konsiderohet i detyrueshëm sipas këtij ligji dhe akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij, zyrtari përgjegjës dënohet me gjobë nga 10 mijë lekë deri në 300 mijë lekë.

Gjobat për ndërtuesit

Për çdo shkelje të kushteve të përcaktuara në lejen e zhvillimit, zhvilluesi (ndërtuesi) dënohet me një gjobë nga 500 mijë lekë deri në vlerën e barabartë me më të madhen e dy vlerave, që shkojnë nga 10 për qind e vlerës totale të shpenzimeve që do të kryhen sipas përcaktimeve të lejes së zhvillimit dhe 100 për qind të vlerës shtesë të shpenzimeve të punimeve apo ndërtimeve shtesë, jashtë atyre të përcaktuara në leje. Nga ana tjetër projektligji parashikon se kryerja e veprimeve zhvilluese pa leje zhvillimi dënohet me gjobë nga 500 mijë lekë deri në vlerën maksimale, të barabartë me shpenzimet e zhvillimit të kryera pa leje (verën e gjithë ndërtimit). Projektligji parashikon se masa e gjobës në çdo rast të veçantë është në proporcion të drejtë me masën e kundërvajtjes së konstatuar, me përgjegjësinë dhe pjesëmarrjen në vendimmarrje të zyrtarit ose subjektit kundërvajtës dhe me faktin nëse subjekti kundërvajtës është përsëritës apo jo. Kur për të njëjtën kundërvajtje përcaktohen dy a më shumë dënime nga legjislacioni në fuqi, zbatohet dënimi më i rreptë. Në rast përsëritjeje, subjekti dënohet me dhjetëfishin e vlerës së gjobës. Gjobat vendosen nga çdo autoritet inspektues përgjegjës për çështjen dhe territorin ku kryhet shkelja, ndërsa të ardhurat nga gjobat dhe interesat arkëtohen dhe administrohen sipas legjislacionit në fuqi.

Gjobat për inspektorët

Kur një zhvillim (ndërtim) është bërë në kundërshtim me këtë ligj, autoriteti përkatës përgjegjës merr vendim dhe masat përkatëse për kthimin e tokës, sipas rastit, në gjendjen e lejes së dhënë apo në gjendjen fillestare para dhënies së saj. Të gjitha shpenzimet e detyrimit i takojnë kundërvajtësit. Kur në këtë çështje përfshihen edhe zyrtarë në kundërvajtje, qofshin ata edhe eprorë të strukturave inspektuese, procesi i inspektimit dhe gjobat përkatëse vendosen nga një autoritet inspektues tjetër. Inspektimi ka për mision bazë parandalimin e zhvillimeve të paautorizuara në territor apo shkelje të kushteve të lejeve sipas këtij ligji dhe akteve të nxjerra në zbatim të tij, si dhe ndëshkimin e drejtë të kundërvajtësve. Çdo autoritet organizon strukturat inspektuese dhe nxjerr rregulloret e metodologjitë e detajuara të inspektimit bazuar në përcaktimet bazë të rregulloreve të kontrollit të zhvillimit.

Refuzimi i lejes së zhvillimit, ndërtuesi ankohet në njësinë vendore ose në gjykatë

Nëse një ndërtuesi i refuzohet leja e ndërtimit, apo e zhvillimit, projektligji parashikon edhe të drejtën e ankimit në nenin 69 të tij. Në këtë rast kërkuesit ankohen ndaj refuzimit të dhënies së lejeve pranë kryetarit të njësisë së qeverisjes vendore. Çdo palë e interesuar e ka këtë të drejtë, kur konstaton parregullsi ose mospërputhje ndërmjet lejes dhe një instrumenti të detyrueshëm të planifikimit ose dispozitave të këtij ligji, e akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij. Zhvilluesi dhe organi i inspektimit njoftohen njëkohësisht për përmbajtjen e ankimit. Në përfundim të ankimit administrativ bëhet ankim në gjykatë sipas dispozitave ligjore në fuqi. Ankimi ndaj vendimeve të autoriteteve kombëtare të planifikimit është i mundshëm edhe nga autoritetet vendore të planifikimit, por edhe nga palët e interesuara, të cilat mund të ankohen në gjykatë. Çështjet e ankesës mund të jenë në lidhje me përcaktimin e rëndësisë kombëtare të një çështjeje në planifikim kur pretendojnë se ekzistojnë mospërputhje me kërkesat e këtij ligji apo konflikti me përgjegjësitë e njësive të qeverisjes vendore të dhëna me ligj, pasi kanë ndërmarrë më parë procedurën e ndërmjetësimit sipas këtij ligji. Gjithashtu palët mund të ankohen edhe ndaj një instrumenti të detyrueshëm të planifikimit apo ndaj ndonjë rregulloreje të kontrollit të zhvillimit, nëse instrumenti i detyrueshëm nuk është i nevojshëm për realizimin e qëllimit për të cilin është nxjerrë. Në rastin e ankimit ndaj instrumentit vendor të planifikimit, në nenin 70 të këtij projektligji përcaktohet se “palët e interesuara ose çdo autoritet kombëtar i planifikimit paraqesin kundërshtimet e tyre pranë këshillit të njësisë së qeverisjes vendore ndaj një instrumenti vendor të planifikimit dhe zbatimit të tij ndaj tyre”. Me afat ky këshill shprehet brenda 45 ditëve. Më tej, çdo palë mund të ankohet në gjykatë për mosveprimin e këshillit në afat apo çdo vendim të këshillit në lidhje me ankimin.

Neni 68 i ligjit/ Kundërvajtjet administrative dhe dënimet

1. Çdo shkelje e detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj, kur nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë, sipas kufijve të përcaktuar më poshtë:
a) Për lëshimin e lejes së zhvillimit, lejes së ndërtimit apo vërtetimit të përputhshmërisë në kundërshtim me këtë ligj qoftë edhe me pranimin në heshtje, zyrtari përgjegjës dënohet me gjobë nga 100 mijë lekë deri në 10% të vlerës së shpenzimeve që janë kryer apo do të kryhen sipas kërkesës përkatëse për zhvillim.
b) Për mosbotimin në regjistër të akteve për të cilat botimi konsiderohet i detyrueshëm sipas këtij ligji dhe akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij, zyrtari përgjegjës dënohet me gjobë nga 10 mijë lekë deri në 300 mijë lekë.
c) Për çdo shkelje të kushteve të përcaktuara në lejen e zhvillimit, zhvilluesi dënohet me një gjobë nga 500 mijë lekë deri në vlerën e barabartë me më të madhen e dy vlerave
të mëposhtme:
1) 10% të vlerës totale të shpenzimeve që do të kryhen sipas përcaktimeve të lejes së zhvillimit;
2) 100% të vlerës shtesë të shpenzimeve të punimeve apo ndërtimeve shtesë jashtë atyre të përcaktuara në leje.
ç) Kryerja e veprimeve zhvilluese pa leje zhvillimi dënohet me gjobë nga 500 mijë lekë
deri në vlerën maksimale, të barabartë me shpenzimet e zhvillimit të kryera pa leje.
Nga 500 mijë lekë deri në 10 për qind të vlerës së shpenzimeve.

5 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›