Plani kombëtar në vitin 2011, rishikim planeve ekzistuese
Projektligji parashikon që dy vjet pas miratimit të këtij ligji të përfundojë edhe miratimi i Planit Kombëtar të Planifikimit të Territorit, që aktualisht mungon dhe është bërë shkak për konflikte të ndryshme në terren. Por edhe ato plane ekzistuese që bien ndesh me përcaktimet e këtij projektligji do të rishikohen. “Të gjitha planet dhe instrumentet vendore e kombëtare të planifikimit të miratuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji rishikohen, brenda një viti nga data e fillimit të efekteve të plota të këtij ligji, kur bien ndesh me përcaktimet e këtij ligji dhe me instrumente të miratuara sipas tij”, thuhet në projektligj. Për çdo instrument të planifikimit që është në proces hartimi, zbatohen dispozitat e këtij ligji pas hyrjes së tij në fuqi për pjesën e mbetur të procesit hartues, shqyrtues ose miratues. Këshilli i Ministrave ngarkohet për miratimin e Planit Kombëtar të Planifikimit të Territorit jo më vonë se 2 vite nga data e fillimit të efekteve të plota të këtij ligji. Autoritetet vendore të planifikimit ngarkohen për miratimin e planeve territoriale vendore të përgjithshme jo më vonë se 1 vit nga data e fillimit të efekteve të plota të këtij ligji kur kanë popullsi mbi 50 mijë banorë në territorin e tyre administrativo-territorial dhe jo më vonë se 2 vite nga data e fillimit të efekteve të plota të këtij ligji kur kanë popullsi mbi 10 mijë banorë në territorin e tyre administrativo-territorial.
Agjencia e Planifikimit të Territorit zëvendëson KRRTRSH-në
Me fillimin e funksionimit të saj, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit kryen funksionet e Sekretarisë Teknike të KRRTRSH-së deri në datën e shfuqizimit të ligjit të mëparshëm “Për Urbanistikën”. Këshilli i Ministrave do të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji me qëllim organizimin e fillimin e funksionimit të AKPT-së brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Pas kësaj date, AKPT-ja kryen të gjitha funksionet që me ligj i janë ngarkuar strukturës administrative përkatëse në ministrinë që mbulon çështjet e planifikimit të territorit. Brenda 6 muajve nga ngritja, por jo më vonë se data 1 korrik 2009, AKPT-ja harton projekt-aktet nënligjore në lidhje me rregulloret uniforme, rregulloret model të kontrollit të zhvillimit dhe regjistrin. Ato paraqiten për miratim në Këshillin e Ministrave. AKPT-ja zbaton planin e saj të punës për kalimin në sistemin e ri të planifikimit të territorit në përputhje me këtë ligj.
Skema.......................
Dokumentet për të përfituar Lejen për Zhvillim:
1) Dokumenti që vërteton identitetin e kërkuesit;
2) Dokumente që vërtetojnë të drejtat pasurore të kërkuesit dhe të së drejtës së tij për të kërkuar një zhvillim në pronën apo territorin e përcaktuar, përfshirë marrëveshjet me bashkëpronarët ose palë të treta, kur kjo gjë është kusht paraprak për fitimin e të drejtës së zhvillimit të pronës;
3) Dokumente që vërtetojnë qëllimin, natyrën dhe përshkrime të mjaftueshme të zhvillimit të kërkuar, si dhe afatet e kërkuara për kryerjen e veprimeve të zhvillimit;
4) Çdo dokument, analizë, studim, vlerësim që argumentojnë se kërkesa për zhvillim
është të paktën në përputhje me rregullat e detyrueshme të zhvillimit në atë territor;
5) Vërtetimin nga regjistri i pasurive të paluajtshme për regjistrime të mundshme të ndonjë barre a kufizimi mbi pasurinë e paluajtshme, që burojnë nga planifikimi në bazë të neneve 53 deri në 56 të këtij ligji.
5 Shtator 2008