Strehimi, gati procedurat për sistemimin e 1800 familjeve të pastreha
Ministria e Punëve Publike ka gati bazën ligjore dhe financiare për sistemimin me strehim të rreth 1800 familjeve. Këto familje do të përfitojnë nga fillimi i zbatimit të projektit të banesave sociale me qira dhe projektit të kreditimit të strehimit. Deri në mesin e këtij viti sipas ministrit është siguruar strehimi për rreth 900 familje. “Është përgatitur blerja nga tregu i lirë me një fond prej rreth 80 milionë lekë i banesave për 55 familje. Është realizuar transferimi i fondeve për subvencionimin e kredisë të Raiffeisen Bank në masën 33 për qind me një vlerë 10 000 milionë lekë bazuar kjo në fondet e çelura nga thesari”, - tha ministri Olldashi. Nga ana tjetër është bërë realizimi faktik i fondeve të investimeve, në masën prej 90 për qind me një vlerë 5,159 milionë lekë të rrjetit për ndërtim banese në Shkodër, i cili është në proces përfundimi. Në Kavajë është realizuar në masën 90 për qind investimi për rrjetin inxhinierik me vlerë 6024 milionë lekë. Por një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe projektit për “Përmirësimin e kushteve të banimit për komunitetin rom”, për të cilin janë alokuar fondet për bashkitë e Tiranës, Korçës, Bilishtit, Pojanit, Kuçovës. Ky fond në total, sipas Ministrisë së Punëve Publike, është në vlerën 30.000 milionë lekë.
5 Shtator 2008