Shalsi: Qeveria po gllabëron pronat e qytetarëve
Partia Socialiste ka akuzuar sërish qeverinë se po shet trojet publike që mund të përdoren në dobi të komunitetit. Deklarata është bërë nga një prej krerëve të selisë rozë, përkatësisht nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Eduard Shalsi, i cili theksoi dje se qeveria “Berisha” po gllabëron trojet publike. Shalsi u shpreh se kjo pronë është pjesë e pronave të paluajtshme të Bashkisë së Tiranës dhe se vendimi i Këshillit të Ministrave cenon autonominë vendore. “Qeveria e Sali Berishës ka përgatitur vendimin skandaloz të radhës, me të cilin kërkon të privatizojë ish-kopshtin nr. 26 që ndodhet tek Njësia Bashkiake nr. 1, pranë rrugës ‘Ali Demi’. Kjo pronë është pjesë e listës së inventarit të pronave të paluajtshme të Bashkisë së Tiranës e miratuar me Vendimin e Këshillit Bashkiak nr. 69, datë 20.12.2005 për ‘Miratimin e listës së pjesshme të inventarit të pronave të paluajtshme, të cilat janë në territorin nën juridiksionin e Bashkisë së Tiranës’; si dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 834 datë 13.12.2006 për Miratimin e Listës së Pjesshme të Inventarit (pjesa e parë + pjesa e dytë) të pronave të paluajtshme shtetërore, në Bashkinë Tiranë, të Qarkut të Tiranës”, deklaroi Shalsi. Sipas argumentimit të nënkryetarit të grupit parlamentar të PS-së dhe njëkohësisht parlamentar i zgjedhur në Qarkun e Tiranës, me këtë vendim, Këshilli i Ministrave heq nga administrimi një pronë publike e cila shërben për përmbushjen e një prej funksioneve të njohura nga ligji organik nr. 8652, datë 31.07.2000 për “Organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” (i ndryshuar), përkatësisht të funksionit të arsimit parashkollor, duke rrezikuar të sjellë si pasojë, mosofrimin e këtij shërbimi publik për komunitetin e zonës ‘Ali Demi’, në një kohë kur nevoja për prona publike për ofrimin e shërbimeve publike vjen në rritje, për shkak të rritjes së popullsisë dhe lëvizjes demografike të saj. Deputeti Eduard Shalsi ka shkuar më tej në akuzat e tij, kur ka deklaruar se “shqiptarët kërkojnë të dinë se përse përditë, kjo qeveri po gllabëron troje publike, ky komunitet ka të drejtë të dijë se çfarë po ndodh me këtë pronë, ka të drejtë të informohet se përse kjo pronë, ish-kopsht, do të privatizohet, banorët e kësaj zone kërkojnë të mësojnë se përse po u hiqet e drejta për të pasur edhe ata një kopsht në zonën e tyre. Këto janë pyetjet që mundojnë prej kohësh shqiptarët, të cilët ndjehen të braktisur nga ky pushtet që mendon vetëm e vetëm për veten e tij dhe nuk ka asnjë lidhje me hallet dhe problemet e shqiptarëve”.
#