Vera e dytë e nxehtë e përplasjeve mes PD-së dhe Topit
Marrëdhëniet mes Partisë Demokratike dhe Presidentit Bamir Topi në tre vitet kur ky i fundit ka qenë në zyrë, kanë pasur uljet dhe ngritjet e tyre. Por ajo që mund të thuhet me bindje të plotë lidhet me faktin se luhatjet e këtyre marrëdhënieve i ka “shënjuar” kompetenca e kreut të shtetit për të dekretuar kandidaturat e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë. Për ironi të fatit, acarimi i marrëdhënieve mes palëve ka përkuar me muajt e nxehtë të verës, kohë në të cilën vendet vakante në dy gjykatat e rëndësishme kërkonin dekretet e Presidentit.
Viti 2008Pothuajse një vit nga zgjedhja e nënkryetarit të PD-së, Bamir Topi, si President i Republikës, marrëdhëniet e tij me partinë në të cilën bënte pjesë morën një “krisje” të madhe. Shkak për këtë situatë u bënë vendet vakante në Gjykatën e Lartë, ku në fund të majit të vitit ‘08, Presidenti Topi dekretoi kandidaturat e pesë anëtarëve të rinj. Por moskonsultimi paraprak i Presidentit me Parlamentin për sa i përket emrave të dekretuar do të shkaktonte edhe “stuhinë” e parë në marrëdhëniet mes palëve. Në seancën plenare të 17 qershorit, mazhoranca e drejtuar nga demokratët rrëzoi të pesta kandidaturat e ardhura nga kreu i shtetit. Kështu presidentit iu refuzuan kandidaturat e Altina Xhoxhajt, Artan Zenelit, Kristaq Trajës, Medi Bicit dhe Zamir Podës për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Por përpara se të ndodhte ky rrëzim, palët nisën edhe “luftën” e deklaratave. Si rezultat i moskonsultimit të emrave nga ana e Presidentit me mazhorancën në pushtet, kryeparlamentarja Jozefina Topalli deklaroi se “Presidenti është një funksion ceremonial” dhe sipas saj, Parlamenti duhet të ishte institucioni kyç në përzgjedhjen dhe emërimin përfundimtar të këtyre gjyqtarëve.
Viti 2010Ndonëse kësaj radhe ka qenë Presidenti Topi ai që ka kërkuar konsultim dhe PD ka refuzuar të përzgjedhë paraprakisht kandidaturat për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, marrëdhëniet mes palëve konsiderohen më shumë se të “ndera”. Kësaj radhe, rrëzimi që shumica i bëri kandidaturës së Vangjel Kostës për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese rindezi debatet. Më pas PD, në Parlament, votoi kundër kandidaturave të Sokol çomos dhe Vexhi Muçmatës për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Përsëritja e situatës me rrëzimin e kandidaturave ka sjellë edhe reagimin e ashpër të Presidentit Topi, i cili në një prononcim për mediat, ka theksuar se “tashmë do të ishte më i matur në dhënien e pëlqimit për ato nisma që do të vinin nga Parlamenti”. Por nga ana tjetër, më i fortë ka qenë reagimi i PD-së, kësaj here për akuzën se kreu i shtetit ka tejkaluar afatet kushtetuese për dekretimin e kreut të Kushtetutës. Përfaqësuesit e PD deklaruan se Topi ka shkelur Kushtetutën dhe ai duhet të depozitojë menjëherë kandidaturën e kreut të Kushtetueses. Por Presidenti Topi, nëpërmjet përfaqësuesve të tij ligjorë, ka theksuar se kjo kandidaturë do të vijë vetëm në muajin shtator.
#