Beqiri: Kemi lidhur 98 kontrata hidrocentralesh
Interesi i investitorëve të huaj për sektorin energjetik në vend vazhdon të mbetet i lartë. Zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Leonard Beqiri, gjatë një konference për shtyp dje bëri një përmbledhje të situatës së koncesioneve që tashmë janë dhënë dhe atyre që pritet të jepen shumë shpejt. “Janë nënshkruar gjithsej 98 kontrata koncesioni dhe do të ndërtohen 264 hidrocentrale, me fuqi totale të instaluar rreth 1055 MW dhe prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike prej 4.5 miliard kwh. Vlera e investimit, e parashikuar për ndërtimin dhe rehabilitimin e këtyre hidrocentraleve, është 244.8 miliardë lekë” u shpreh Beqiri. Ndërkohë që lidhur me energjinë eolike(nga era), pranë ministrisë janë paraqitur 12 aplikime nga të cilat tre kanë marrë autorizim paraprak. Zëvendësministri theksoi se nga ana e investitorëve, sidomos atyre italianë, interesi për sektorin energjetik vazhdon të mbetet i lartë, çka e bën më real synimin për kthimin Shqipërisë në një superfuqi energjetike në rajon. Beqiri vuri në dukje se siguria që garanton ligji dhe procedurat e qarta dhe transparente japin siguri për sukses të investimeve.