“Mallrat kineze e turke, zhdoganim në Shkodër”
SHKODER – Tregtarët e Shkodrës i kanë bërë peticion Drejtorisë së Përgjithshme e Doganave, për të kryer në qytetin e tyre zhdoganimet e mallrave që vijnë nga Kina e Turqia. Prej muajsh, doganës së Shkodrës, e cila mbulon të gjithë veriun, i është hequr kjo e drejtë, duke i detyruar që për çdo sasi malli të kryejnë veprimet në Tiranë. Ata janë ankuar publikisht dhe me anë të shkresës, drejtuar në rrugë zyrtare kreut të doganave. Sipas tregtarëve, një favor i tillë është lënë për doganat e Tiranës, Durrësit, Fierit dhe atë të Elbasanit. Për ta dhe vetë burime nga dogana, urdhri për të përjashtuar doganën e Shkodrës për mallrat me origjinë kineze dhe turke është paradoks, nisur dhe nga fakti se qyteti më i madh në veri ka tri pika kalimi kufitar, pikën doganore të Hanit të Hotit dhe e vetmja zonë në të cilën bëhet transporti ndërkombëtar hekurudhor i mallrave. r.d