E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pragtragjedi me nxënësit nga Struga



Aventura e një shoferi të pakujdesshëm në rrugën që bashkon Vorën me Rinasin, u ka prerë në mes imagjinatat, mbase edhe ëndrrat një numri të konsiderueshëm nxënësish 10-13 - vjeçarë nga Struga.Ata shkonin të vizitonin Kalanë e Krujës, simbolin që lidhet me shumë me Skënderbeun dhe të shkuarën e lavdishme të kombit që i përkasin. Për fat, përplasja e dy autobusëve me targa të Ohrit ka rezultuar me pasoja minimale – vetëm një nga mësuesit që shoqëronte nxënësit është plagosur seriozisht në kokë, ndërsa të gjithë të tjerët kanë shpëtuar mrekullisht.
“Një ditë më parë bujtëm në një hotel në Durrës dhe në mëngjes u nisëm me dy autobusët tanë për në Krujë. Rreth orës 10:00, në afërsi të rrugës që kthen për në Rinas, autobusit para nesh, i preu rrugën një furgon mallrash. Frenimi i fortë i të parit bëri që autobusi që ishte nga pas, ku ndodhesha edhe unë në vendin e parë, të përplasej pas tij”, rrëfeu për “Panorama” çlirim Dervishi, një nga mësuesit që shoqëronin nxënësit. Sipas të njëjtit, që ndodhej për mjekimin e një plage sipërfaqësore në krah në Spitalin Ushtarak, shoferi i autobusit të dytë nuk mundi të frenonte në kohë, edhe pse e kishte respektuar largësinë e ecjes në autokolonë pas autobusit të parë. “Në momentin e fundit ai devijoi paksa majtas, kështu që përplasja u bë në këndin ku isha unë me kolegun tjetër, Bekim Dauti, që u plagos më rëndë, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Vetëm fati na ndihmoi të mos kishim të dëmtuar ndër fëmijët ekskursionistë”, shpjegoi çlirimi momentin e fundit të aksidentit. Në të njëjtin aks rrugor, pak orë më pas, në mesditë, në afërsi të vendpërplasjes së dy autobusëve me targa te Ohrit, u regjistrua edhe një tjetër aksident i rëndë. Policia raportoi përplasjen e rrezikshme të dy mjeteve të tonazhit të rëndë edhe kjo fatmirësisht e pashoqëruar me të lënduar rëndë. re. kro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›