OKB: Kriza greke do të ulë rritjen ekonomike
Shqipëria mund të vuajë drejtpërdrejt efektet e krizës greke në dy aspekte: eksportet dhe remitancat, ndërkohë që investimet e huaja parashikohen të jenë në nivele modeste. Kështu shprehet raporti i fundit i Kombeve të Bashkuara, i cili bën një përmbledhje të situatës ekonomike botërore dhe perspektivës për 2010-ën. Trajtuar në total si rajon, Europa Juglindore ku përfshihet edhe Shqipëria, pritet që të ketë një rritje mesatare të GDP-së, prej 1.1 për qind për këtë vit ndërsa për 2011-ën parashikimi është më pozitiv, favorizuar kjo nga kushtet e jashtme pritet një rritje 3 për qind. Situata aktuale e ekonomisë paraqitet e përmirësuar, krahasuar me 2009-ën, edhe pse për vitin e kaluar raporti thekson se Shqipëria ishte i vetmi vend me një performancë pozitive të ekonomisë në rajon. “Shumica e ekonomive u stabilizuan në fillim të 2010-ës, si rezultat i kthimit të ritmit pozitiv në ekonominë globale në total, ndërsa në rajon rritja ishte më e mirë nga sa pritej në fillim. Kjo erdhi si efekt i dhënies së asistencës ndërkombëtare Bosnjë-Hercegovinës dhe Serbisë, dhe politikës stimuluese në Shqipëri dhe Maqedoni”, thuhet në raport. Edhe pse situata paraqitet më optimiste pas krizës globale, Kombet e Bashkuara theksojnë se ekonomia në tërësi është ende delikate dhe janë një sërë faktorësh që do të kufizojnë rritjen në Shqipëri dhe në rajon. “Përmirësimi do të kufizohet nga rritja e pakët e eksporteve, nivelit modest të investimeve të huaja direkte, dhe përkeqësimit të situatës së likuiditetit në biznese shkaktuar nga ulja e kreditimit. Rritja e papunësisë dhe taksave do të kufizojnë edhe rritjen e konsumit privat. Politikat kundër recensionit pritet që të vazhdojnë në vendet e Europës Juglinore edhe gjatë 2010-ës, edhe pse mundësitë për stimul të drejtpërdrejtë fiskal janë përgjithësisht të limituara” thekson raporti. Kombet e Bashkuara dalin në përfundimin se qeveritë do të synojnë kthimin e rritjes në ekonomi, duke ndjekur një sërë orientimesh, si përmirësimi i klimës së biznesit dhe nxitja e kreditimit për këtë kategori, ndërkohë që inflacioni i ulët do të lejojë politikat monetare të jenë rregulluese. “Nga ana tjetër, kriza fiskale aktuale në Greqi mund të prekë drejtpërdrejt Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, përmes eksporteve të dobëta dhe remitancave të pakta”, përfundon raporti lidhur me parashikimin për Shqipërinë dhe vendet e rajonit gjatë këtij viti. Raporti bën klasifikimin e ekonomisë shqiptare si ekonomi në tranzicion, ku ende nuk ekziston një stabilitet i garantuar. Gjithsesi, panorama për gjithë rajonin paraqitet më optimiste, krahasuar me raportin e parë të Kombeve të Bashkuara, dalë në fillim të vitit.