Nëse gjykojmë kështu, nuk do të vonojë tragjedia e radhës
Tragjedia e liqenit të Butrintit na i tronditi thellësisht zemrat ne shqiptarëve të thjeshtë. Ndihem i mërzitur dhe i revoltuar nga kjo ndodhi e rëndë që, kurrsesi, nuk është pa shkaktar dhe përgjegjës të drejtpërdrejtë.
Ështe absurde, cinike, e pasinqertë dhe tingëllon tepër ironike që, ndërsa opinioni publik shqetësohet seriozisht për pasojat e kësaj tragjedie, individë të veçantë, thjesht dhe vetëm për kapital politik, në konfuzion dhe çoroditje, nxituan dhe vlerësuan ngjarjen si një “rast sporadik e gati-gati rastësor dhe të parëndësishëm”.
T’i quash dhe vlerësosh ngjarje të tilla si raste sporadike dhe të veçuara, është pak t’i thuash papërgjegjshmëri, amoralitet politik dhe mungesë e theksuar serioziteti e sidomos kur bëhen deduksione të tilla krejt apriori dhe pa kurrfarë analizash.
T’i klasifikosh gjëma të tilla si raste të veçuara, do të thotë as më shumë dhe as më pak që të mos vlerësosh dhe garantosh jetën e shtrenjtë të njerëzve, do të thotë që të mungojë ndjenja, sensi, keqardhja njerëzore ndaj viktimave dhe të afërmve të tyre.
Për të freskuar sadopak memorjen e këtyre deklaruesve, që kjo tragjedi nuk është sporadike, po ju kujtoj tragjedinë e marsit të vitit 1997, atë të Karaburunit 2004, atë të liqenit të Farkës, tetor 2007, shpërthimin atomik të Gërdecit dhe, së fundmi, tragjedinë në fjalë.
Ja pra që paskemi një zinxhir tragjedish. Mos vallë janë pak gjithë këto raste? Mos jemi milingona ne shqiptarët e varfër që të na kositin tragjeditë e shkaktuara nga paaftësia e politikës për ta bërë këtë vend të jetueshëm për të gjithë?
Mos vallë duhet të na ndodhin tragjedi të tilla muaj për muaj, që qeveritë të mos i quajnë raste sporadike? Shkurt, ngjarje si këto, nuk janë rastësore, përkundrazi ato kanë pasuar periodikisht njëra-tjetrën, pasi kanë shkak themelor varfërinë, skamjen dhe urinë, paaftësinë e organeve ekzekutive për të luftuar trafiqet dhe korrupsionin. Dhe, për sa kohë që këto ngjarje të rënda do t’i klasifiokojmë si të veçuara dhe nuk marim masa efektive që t’i parandalojmë, atëherë na duhet që fatkeqësisht të presim tragjedinë e radhës.