Gjobiten 20 subjekte politike
Prishtinë - Parregullsitë në zgjedhjet e zhvilluara në Kosovë nga viti 2001 deri në 2007, kanë vënë para përgjegjësisë plot 20 subjekte politike. Komisioni i Zgjedhjeve për Ankesa dhe Parashtresa ka gjobitur financiarisht subjektet në fjalë, duke shtuar se asnjëri prej tyre nuk do të mund të paraqesë kandidatura për pjesëmarrje në zgjedhjet e ardhshme pa shlyer detyrimet në fjalë. Shuma e gjobës arrin deri në 168 mijë euro. Ndërkohë, afati i fundit që subjektet politike të regjistrohen është deri më 31 janar të vitit 2009, kurse afati për shlyerjen e borxhit është deri në fund të marsit.