Gjobitet firma e menaxhimit të mbetjeve urbane
Pas ankesave të banorëve të fshatrave Otllak e Orizaj dhe të lagjeve "Çlirim" e "Barrikada" të qytetit të Beratit, dje paradite ekspertë të Agjencisë Rajonale të Mjedisit kanë ushtruar një kontroll operativ në vendgrumbullimin e mbeturinave urbane të qytetit. Gjatë këtij kontrolli u konstatua se prej kohësh firma sipërmarrëse "Infinit Construcion" depozitonte mbetjet të qytetit të Beratit, në një parcelë të palicencuar nga KRRT-ja, nga Agjencia e Mjedisit në këtë qark, si dhe nga Këshilli i Komunës Otllak. Banorët e fshatrave dhe lagjeve përreth, prej vitesh ishin ankuar te drejtuesit e institucioneve lokale të shtetit, ku kishin kërkuar penalizimin e firmës sipërmarrëse dhe bllokimin e hedhjes së mbeturinave në këtë vend. Drejtori i ARM, z.Ajet Veleshnja, pohon për gazetën se u konstatua një shkelje flagrante e ligjit "Për Mjedisin", dhe ndaj firmës sipërmarrëse është vendosur një gjobë prej 300 mijë lekësh, si dhe iu lanë disa detyra për disiplinimin në mënyrë urgjente të grumbullimit të këtyre mbetjeve urbane.