E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, 200 milionë USD për shirita

Qeveria shqiptare është duke vënë në zbatim planin e fillimvitit për të inauguruar rreth 180 projekte, kryesisht infrastrukturore. Një pjesë e mirë janë fillim punimesh, që i takojnë sektorit rrugor, ndërsa një pjesë janë në arsim dhe shëndetësi. Brenda pesë muajve të parë të vitit 2009 janë shpenzuar 1.43 miliardë dollarë, gati 400 milionë më tepër se në vitin 2008. Ministria e Financave, ndër të tjera, paraqet një tregues në rritje të investimeve publike, me nivel rekord historik deri në 113 për qind. Pak kohë më parë, "Shqip" publikoi direktivën e qeverisë drejtuar komunave në rang vendi, për t‘i mbyllur të gjitha shpenzimet për investime brenda pjesës së parë të vitit. Diferenca e investimeve publike mes dy viteve 2008-2009 është 200 milionë dollarë më tepër, që i atribuohet më së shumti fushatës elektorale, e cila stimulon qeverinë për të pasur një ritëm më të lartë të punëve publike. Tjetër ndikim në rritjen e shpenzimeve vjen nga rruga Durrës-Kukës, ecuria e së cilës po thith miliona dollarë nga buxheti i shtetit. Treguesit e ministrisë paraqesin një të dhënë interesante: shifra 200 milionë dollarë është e njëjtë me deficitin buxhetor të periudhës janar-maj 2009.

Shifrat e fushatës

Nuk ka asnjë shpjegim tjetër se sa plani për të mbyllur pjesën dërrmuese të shpenzimeve para datës (28 qershor) së zgjedhjeve parlamentare. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se shpenzimet e qeverisë kanë arritur në këtë vit elektoral nivelin më të lartë historik, rreth 141 miliardë lekë (1.43 miliardë dollarë), me një rritje prej mbi 35 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Në 2008-ën, po si 5-mujor, ishin shpenzuar rreth 1 miliard dollarë (105 miliardë lekë), me nivel realizimi 88 për qind. Rritje të konsiderueshme të shpenzimeve ka edhe tek investimet publike. Po sipas Ministrisë së Financave, janë lidhur kontrata me firmat private me vlerë 370 milionë dollarë, ose me nivel realizimi afërsisht 113 për qind. Një vit më parë, niveli i investimit ishte 170 milionë dollarë, duke realizuar vetëm 67 për qind të planit, kurse në 2007 nuk shkonte më shumë se 47 për qind.

Projektet

Pjesa dërrmuese e projekteve të inauguruara lidhet me akset rrugore që përshkojnë komunat dhe vetëm pak objekte u takojnë akseve nacionale, si tuneli i Thirrës në Rrëshen-Kalimash apo rruga Lushnjë-Fier, Levan-Tepelenë etj. Kryeministri ka lejuar të marrë pjesë edhe në ceremoni inaugurimi, vlera e të cilave nuk kalonte 100 mijë dollarë, madje ka marrë pjesë në disa projekte njëherësh brenda ditës. Ky fakt solli reagimin e opozitës, e cila në deklarata zyrtare ka evidentuar faktin se, projektet me fondet e pushtetit lokal, po përdoren nga Kryeministri për qëllime elektorale.

185 milionë USD

Durrës-Kukës, rruga

merr gjysmën e fondeve

Gjysma e investimeve publike vazhdon të shkojë për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash, pjesë e autostradës Durrës-Kukës. Brenda pesë muajve i janë dhënë rrugës rreth 185 milionë dollarë financime, nga 370 milionë që është totali i investimeve publike. Ende pa mbaruar, Kryeministri Sali Berisha inauguroi hapjen e njërit tunel rreth 6 km, ndërsa pritet një tjetër ceremoni inaugurimi, më 25 qershor, për lejimin e qarkullimit. Aktualisht nuk ka ende një shifër zyrtare se sa do të kushtojë i gjithë aksi Rrëshen-Kalimash, i gjatë rreth 60 km, por zyrtarë të qeverisë pretendojnë shifrën totale të 760 milionë dollarëve, nga 418 që ishte në kontratën fillestare.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›