E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italianët vënë në zbatim rehabilitimin e 43 km rrugë të Shkodër-Hani i Hotit

Rikonstruksionit të rrugës Shkodër-Hani i Hotit nuk i ka mbetur veçse nisja e punimeve, pasi palët kanë rënë dakord për çdo detaj. Në ambientet e Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit është firmosur dje kontrata e fillimit të punimeve me Ambasadën Italiane. Kjo ndërhyrje është pjesë e programit për forcimin e rrugës ekzistuese, të realizuar me një donacion të Kooperacionit për Zhvillim të Ministrisë së Punëve të Jashtme Italiane, me vlerë 150.000 euro, pjesë e një kredie ndihmë me vlerë 21.700.000 euro. Pjesa e kredisë kontribuon për mbulimin e kostos së projektit, realizimin dhe drejtimin e punimeve në brendësi të aksit rrugor, që lidh rrugën Shkodër-Hani i Hotit me kufirin me Malin e Zi.

Në ceremoninë e nënshkrimit të kontratës morën pjesë ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, Ambasadori Italian, Saba D‘Elia, si dhe përfaqësues të firmës. Të dyja palët shprehën vlerësimet pozitive për bashkëpunimin, si dhe veçuan rëndësinë që ka rruga Shkodër-Hani i Hotit për zhvillimin e vendit.

Shoqëria e ngarkuar për realizimin e punimeve është italiania "ATI Claudio Salini & Salvatore Matarrese", e cila nënshkroi kontratën me një vlerë prej 25.329.730 eurosh.

Projekti për ndërtimin e rrugës Shkodër-Hani i Hotit ishte parashikuar të niste zbatimin në pjesën e parë të vitit 2007, kurse marrëveshja u miratua nga qeveria shqiptare në gusht 2006.

Sipas marrëveshjes, kredia e dhënë është me interes zero (0%) dhe me një afat shlyerjeje prej 39 vjetësh, nga të cilat 19 vjet janë periudhë pa pagesë. Pra shlyerja e kredisë fillon pas 19 vjetësh.

Projekti italian, "Shkodër-Hani i Hotit", parashikon rikonstruksionin e rreth 43 km rrugë, nga të cilat 34 km ndër urbane dhe 10 km rrugë urbane. Punimet e ndërtimit do të respektojnë normat dhe standardet evropiane dhe parashikojnë rehabilitimin mjedisor pas përfundimit, kurse seksioni rrugor ekzistues do të zgjerohet nga 6 m që është aktualisht në 10.5 m (me dy kalime x 4 m me dy bankina anësore me nga 1.25 m), si dhe ribërje e plotë e katër urave me nga 30 m gjatësi. Specialistët vlerësojnë se nga rehabilitimi i rrugës pritet një ndikim direkt në përmirësimin e qendrave kryesore urbane si Shkodër, Koplik dhe Bajzë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›