Berat, gjykata lë në burg burrin që masakroi gruan
Burg pa afat ka qenë masa e vendosur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat për 61-vjeçarin, i cili, pasi dhunoi bashkëshorten, e mbajti "peng" dy ditë në shtëpi, pa i dhënë ndihmë mjekësore. Prokop Mici, banor i lagjes " Çlirim" në qytetin e Beratit, është përballur dje me togat e zeza, në seancën e parë gjyqësore, atë të vendosjes së masës së sigurisë. Prokuroria e Rrethit të Beratit ka kërkuar në seancën e zhvilluar mesditën e djeshme, cilësimin e ligjshëm të arrestimit të 61-vjeçarit dhe i kërkoi gjykatës të vendosë ndaj tij masën e sigurisë "burg pa afat", deri në përfundim në hetimeve. Ndaj tij rëndon akuza penale "plagosje e rëndë me dashje". Gjykata ka pranuar kërkesën e organit të akuzës dhe në fund të seancës ka vendosur që Mici të lihet në burg, deri në përfundim të procesit gjyqësor. Burri u arrestua nga policia katër ditë më parë pas denoncimit të së bijës, për dhunim fizik të së ëmës, Lizheta Mici. 63-vjeçarja përfundoi në spital në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi u dhunua rëndë nga bashkëshorti i saj, pas një grindjeje banale mes tyre. 61-vjeçari, pasi e dhunoi bashkëshorten, e mbajti atë dy ditë në banesë, duke mos e transportuar në spital, për t‘i dhënë ndihmë mjekësore, deri sa gruaja u gjet nga e bija.