E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjoka paralajmëron:Do largoj disa lojtarë



Ka rezultuar pozitive miqësorja e parë e Apolonisë me Elbasanin, e luajtur në qytetin e Pogradecit. Goli i lojtarit Kalemaj, që i dha fitoren verdhejeshilëve, la mbresa tek të pranishmit. Me përforcimet e bëra së fundmi, ku dominojnë lojtarët e rinj, që u alternuan mjaft mirë me pjesën tjetër të grupit, skuadra fierake duket se po u dërgon një mesazh të qartë të gjitha skuadrave pjesëmarrëse të Kategorisë së Parë, se gara e sivjetme me ta do të jetë tepër e fortë. Apolonia e ardhur nga Superiorja, në miqësoren me Elbasanin ka treguar sa ka një grup cilësor, kualitativ e të fortë, që do të pretendojë të arrijë synimin për t’u ringjitur sërish në elitën e skuadrave më të mira të vendit. Mirëpo mësohet se trajneri Gjoka pas aktivizimit në ndeshjen me Elbasanin, ka larguar nga skuadra brazilianin Bruno, i ardhur për provë te fierakët. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, tekniku shprehet se: “Vendimin për këtë largim, e kishim marrë më parë, madje do të bëhen dhe largime të tjera. Do të largohen ata futbollistë, të cilët nuk arrijnë të bëjnë diferencën me futbollistët që ne kemi në stërvitje. Apolonia nuk ka nevojë për lojtarë mbushës, por për talente”. Gjoka bën të ditur, se kapitulli i brazilianit Bruno te Apolonia është mbyllur tashmë. Ndërkaq në lidhje me miqësoren tekniku thotë se: “Jam vërtetë i kënaqur nga ajo çfarë paraqitën lojtarët e mi në këtë ndeshje. Ata zhvilluan një lojë të pëlqyeshme, duke krijuar një epërsi të plotë ndaj skuadrës së Superiores, Elbasanit. Djemtë e mi treguan se, përgatitjet për sezonin e ri janë në rrugë të mbarë. Në këtë miqësore të parë gjatë qëndrimit në Pogradec, ne aktivizuam të gjithë kontingjentin e lojtarëve që kemi në dispozicion, të cilët megjithëse janë nën efektin e ngarkesave të marra në seancat stërvitore, zbatuan me përpikëri detyrat taktike. Kjo na dha edhe fitoren. Kishim dhe disa raste të tjera shënimi, por nuk mundëm të finalizojmë”, - u shpreh kryepankina e fierakëve.
Përgatitjet - Gjithashtu, Gjoka thotë se, ekipi do të vazhdojë të qëndrojë në Pogradec deri në fund të javës së ardhshme, ku janë planifikuar dhe tri miqësore të tjera me Pogradecin, Skënderbeun dhe Lushnjën. Në testin e parë, Apolonia dëshmoi në fushë se ishte më e përgatitur, më e organizuar duke sjellë profesionalizëm në të gjitha repartet. Për Gjokën, ky është vetëm fillimi, pasi skuadra ka ende punë për të bërë gjatë 5 javëve të ardhshme, kur do të startojë kampionati.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›