“Serbëve iu përgjigja në fushë”
Lorik Cana ka qenë më i lumtur se kurrë pas ndeshjes kun-dër OFK Beogradit. Jo vetëm se Gallatasarai i tij arriti një fitore të thellë dhe u kualifikua, por më shumë edhe për faktin se kjo ndodhi pikërisht në kryeqytetin serb. Mesfushori kosovar ka komentuar në një intervistë për uebsajtin zyrtar të klubit turk, emocionet e kësaj sfide dhe ofendimet që mori nga tifozët gjatë ndeshjes. “Atyre iu përgjigja me lojën time në fushë. Ndoshta, sikur të shënoja edhe unë një gol, do të ishte më bukur”, - ka thënë ndër të tjera lojtari 27-vjeçar.
E prisnit një rezultat kaq të thellë në Beograd?
Unë mendoj se pas rezultatit të ndeshjes së parë, gjithçka u bë e vështirë. Nuk ishte e lehtë, pasi përballë kishim një skuadër të mirë. Megjithatë, pas golit të parë që shënuam, çdo gjë u thjeshtësua për ne. Luajtëm lirshëm dhe arritëm të shënonim shumë shpejt edhe golin e dytë. Ambiciet tona në Ligën e Evropës dihen. Gallatasarai do të arrijë në fazën e grupeve dhe më pas të shpresojë për të shkuar sa më larg. Një rezultat i tillë ishte detyra jonë dhe mendoj se ne e kemi përmbushur misionin.
Kur merrje topin në këmbë, të gjithë tifozët brohorisnin kundër teje. Duke qenë se është e njohur urrejtja mes shqiptarëve dhe serbëve, çfarë mund të thoni për këtë?
Me çështje të tilla nuk dua të shpenzoj shumë kohë. Në fakt, nuk është normale por kjo nuk ka rëndësi tashmë. Unë u futa në fushë me mendimin e vetëm për të ndihmuar skuadrën time, Gallatasarain. Nuk mendova fare për faktorët e tjerë, por gjithsesi në fund shkoi ashtu siç dëshiroja. Festova suksesin e skuadrës dhe isha shumë i lumtur. Nëse do arrija të shënoja një gol, do të kënaqesha edhe më shumë.
Domethënë nuk kishe dëshirë t’u thoshe diçka atyre?
Përgjigjen më të mirë për tifozët serbë, unë mendoj se e kam dhënë në fushë. Kaq mjafton, nuk ia vlen të merrem me të tilla diskutime të cilat i konsideroj të pavlera.
Tashmë të kalojmë tek një çështje tjetër. është folur se jeni mbipeshë, si është e vërteta?
Kalova një periudhë pushimi të gjatë, kështu që nuk isha i sigurt se do të kisha një peshë normale. Unë mendoj se po përmirësohem ditë pas dite. Besoj se do të jem në peshën ideale kur të filloj kampionatin turk. Në këtë moment mund të them se jam afër kësaj peshe, por ndoshta nuk jam plotësisht i gatshëm. Po vazhdoj të bëj ‘fitnes’ dhe besoj se kjo do të më bëjë mirë në këtë aspekt.