E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjokovic eshte kualifikuar per ne gjysmefinalet e Masters

Ishin sërish 17 000 njerëz me fat që kishin blerë një biletë në sallën e shkëlqyer londineze për të ndjekur një ndeshje të nivelit tepër të lartë në tenis. Numri 1 i botës, Novak Gjokoviç fitoi takimin e tretë radhazi në grupin A, në turneun Masters, veprimtari që mbyll vitin dhe ku marrin pjesë 8 më të mirët e botës.

Tenisti serb fitoi 2-0 me sete ndaj çekut Tomas Berdih, duke mos humbur asnjë nga 3 ndeshje në grup. Novak fitoi setin e parë lehtësisht 6-2 dhe pastaj luftoi shumë në të dytin duke triumfuar vetëm pas lojës vendimtare, taj-brejk, pra 7-6.
Me këtë sukses ai zuri vendin e parë në grup, pra sipas të gjitha gjasave do të shmangë numrin 2 të botës, Rozhe Federer në gjysmëfinale, ndoshta për t’u takuar në një finale fantastike.

Po në grupin A, britaniku Andi Marrej siguroi kualifikimin me një fitore 2-0 ndaj francezit Zho Vilfrid Conga. Suksesi i tenistit vendas ishte identik me atë të Gjokoviçit, pra 6-2 e 7-6 sipas seteve dhe do të jetë pikërisht Marrej që do të duhet të përballet me Federerin në katërshe.
Në grupin B, më të fortët janë Federer dhe spanjolli David Ferrer, të cilët janë në pozicion më të mirë. Zvicerani do të ndeshet me argjentinasin Huan Martin Del Potro, ndërsa spanjolli do të ketë një detyrë pak më të lehtë përballë serbit Janko Tipsareviç.
Tenisti i fortë spanjoll, Rafa Nadal, nuk merr pjesë në Masters për shkak dëmtimi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›