E Shtunë, 31 Tetor 2026

NBA - fitojne te medhenjte

Numri 13 i ndeshjeve të luajtura së fundmi në NBA nuk është se i prishi shumë punë ekipeve të mëdha. Shumica e tyre fituan, madje bindshëm duke treguar se ekuilibrat nuk mund të ndryshojnë lehtë. Majemi Hit arriti sukses në fushën e Atlantës, 95-89, ndonëse Lebron Xhejms nuk ishte i jashtëzakonshëm si shënues. Vendasit luftuan fort, ndërsa Xhejms realizoi 21 pikë, kapi 11 topa në tabela dhe shërbeu 9 asistë, ndërsa ylli tjetër i madh Duejn Uejd nuk ishte fare në përbërje të kampionëve për shkak se ishte i sëmurë. Majemi ka tani 5 fitore në 6 ndeshje të këtij sezoni.

Nju Jorku fitoi në fushën e vet 104-94 ndaj ish-kampiones Dallas dhe lider i skuadrës ishte Karmelo Entoni me 31 pikë, ndërsa Çendlër kapi 9 topa në tabela dhe Felton dha 9 asistë.
Edhe Oklahoma po ecën mirë duke fituar në shtëpi 105-94 ndaj Detroitit të lavdishëm. Oklahoma u tregua e fortë në çerekun e dytë dhe në të katërtin, ndërsa Kevin Durant ishte i shkëlqyer me 27 pikë dhe 13 topa në tabela. Spanjolli Serg Ibaka ishte gjithashtu tepër i rëndësishëm me 25 pikë të realizuara, 7 topa në tabela dhe 3 gjuajtje të bllokuara.

Lejkërsat u rikthyen tek fitorja, ndërsa luajtën pa ish-trajnerin e tyre, Majk Braun. Në Los Anxhelos, skuadra e Kobi Brajantit theu bindhsëm Golden Stejtin me rezultatin 101-77, duke u shkëputur që në çerekun e dytë. Brajant shënoi 27 pikë, kapi 9 ribaunde dhe shërbeu 7 asistë, ndërsa spanjolli Gasol kapi 16 topa në tabela si dhe shënoi 14 pikë. Ky ishte suksesi i dytë i Lejkërsave në plot 6 ndeshje.
Së fundi, San Antonio vazhdon të jetë në formë si në kohët e vjetra, duke fituar në fushën e Sakramentos, 97-86. Veterani Tim Dankën udhëhoqi skuadrën me 23 pikë të shënuara dhe 12 topa të kapur në tabela. Po ashtu, Dankën i rrëmbeu 3 topa kundërshtarëve dhe bllokoi 4 gjuajtje të tyre.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›