E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjonçaj: Vendimi ishte flagrant dhe i pritshëm

Nuk ka qenë aspak surprizë vendimi i KQZ-së, për përfaqësuesit ligjorë të Partisë Socialiste të cilët tanimë nisin betejën e radhës me Kolegjin Zgjedhor. Genc Gjonçaj akuzoi kreun e këtij institucioni se, me qëllim nuk specifikoi vendin ku ankimohej vendimi nr.1158 për të ngatërruar aksionin juridik të opozitës dhe se refuzimi i shqyrtimit ishte flagrant por njëkohësisht i pritshëm. “Më 25 qershor kërkova paraprakisht të më tregoni se ku palët do duhet të ankohen, nëse nuk do ishin dakord me vendimin që do merrnit. Praktika e detyron KQZ të tregojë vendin ku ankimohet vendimi i KQZ dhe kohën në dispozicion. Kërkesë që nuk mori përgjigje atë ditë, por sot është e kuptueshme që nuk u shkrua për të ngatërruar aksionin juridik të opozitës”, theksoi Gjonçaj. Ai këmbënguli se kërkesa është totalisht e bazuar në dispozitat e Kodit Zgjedhor dhe se jemi para një tabele përmbledhëse të re, që shpall rezultat krejt të ri, të ndryshëm nga ai me 81 vota “pro” kandidatit Basha. “Vendimi 711 që ju i referoheni është i anuluar nga Kolegji me vendimin nr. 67. Ky i fundit thotë në dispozitiv, në pikën 3 se, anulohet vendimi 710, datë 23.05.2011 dhe vendimin 711”, argumentoi Gjonçaj. Në këtë linjë, ai insistoi se vendimi i KQZ është bërë nul dhe kemi një vendim të ri dhe një tabelë përmbledhëse, duke shpallur fitues kandidatin e “Aleancës për Qytetarin” me 93 vota më shumë. PS mbron idenë se kundër vendimit të KQZ, për miratimin e tabelës përmbledhëse të zonës zgjedhore, ankimimi bëhet në KQZ. “Kolegji përcakton anulimin e vendimeve 710 dhe 711 të KQZ dhe urdhërohet ky institucion të bëjë rivlerësimin e votave të kontestuara, duke shpallur tabelën përmbledhëse mbi këto rezultate. Jemi përpara faktit se s’ka më vendim të KQZ për tabelën e rezultatit dhe me vendimin 1158 sapo është miratuar ajo”, u shpreh Gjonçaj. Përveç kësaj, vijoi ai, vet KQZ ka disponuar se do të miratojë tabelën përfundimtare të grupeve të numërimit dhe më pas të hartojë tabelën finale. Mbi këtë bazë, shtoi ai, ankimimi i paraqitur nga PS është plotësisht në afat, plotëson kriteret e përcaktuara nga neni 126 dhe 160 i Kodit dhe është paraqitur përpara organit kompetent për ta gjykuar atë. Juristi Eno Bushi argumentoi nga ana e tij se, KQZ është kompetent të shqyrtojë kërkesën ankimore, duke qenë se elementët e tjerë të ankimit i pranuat edhe vet se ekzistojnë. Duke vazhduar debatin me anëtarët e KQZ-së, Gjonçaj këmbënguli se jemi në çështjet e nenit 130 dhe se objekti i verifikimit paraprak duhet të kishte qenë në bazë të diskutimit në mbledhjen e KQZ. “Fatkeqësisht nuk zgjova nga parafolësit të merren me këtë kërkesë, por kaluan te përmbajtja e ankimimit. Nuk dua të konfondohet fakti se kemi të bëjmë me dy kërkesa ankimore. Vet PD me kërkesat ankimore ka vepruar njësoj. Ne kundërshtojmë vendimin nr. 1158, për shkak të paligjshmërive që kanë ndodhur. Fakti se kemi një tabelë me diferenca votash, ne e konsiderojmë se ka ndodhur në kufijtë e pavlefshmërisë në disa qendra. Për pjesën tjetër të mos flasim kush harton më mirë. Ne nuk jemi konfuz, kolegët e PD mund të jenë konfuz”, theksoi Gjonçaj. Përfaqësuesi ligjor i Partisë së Unitetit Kombëtar, Hydajet Beqiri, tha se Ristani nuk duhet ta rehatonte çështjen pasi është në konflikt interesi. “Ju keni drejtuar procesin, i cili kontestohet. Për të dyja problemet është diskutim pakuptim, pasi kjo çështje ka ardhur tek ju për tu plotësuar”, tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›