E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli, rishikim historisë së Parlamentit para '91

TIRANË Historiku i Kuvendit të Shqipërisë do të rishikohet nga e para. Kjo është nisma më e fundit e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, e miratuar në mbledhjen e byrosë së Kuvendit, me praninë vetëm të deputetëve të mazhorancës. Sipas vendimit të byrosë, së shpërndarë dje nga zyra e shtypit e Kuvendit, ky historik pritet t’i nënshtrohet një studimi të thellë, që do të lejojë përcaktimin e fillimit të historisë institucionale të Parlamentit. Ky studim do të ndiqet nga një grup historianësh dhe juristësh, të cilët në bazë të përcaktimit të fillimit të parlamentarizmit, do të bëjnë edhe rillogaritjen e numrit të legjislaturave. Grupi i historianëve dhe juristëve do të përbëhet nga anëtarë, të cilët duhet të jenë historianë dhe juristë të shquar dhe me një përvojë të gjatë akademike. Grupi i historianëve dhe juristëve do të zhvillojë veprimtarinë e tij pranë Kuvendit të Shqipërisë, ku do t'i sigurohet bashkëpunim i ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave apo institucione të tjera si dhe, do të asistohet nga stafi i Kuvendit.

Debati i parë

Ende pa u ngritur zyrtarisht grupi i historianëve, burime zyrtare nga Kuvendi deklaruan dje për gazetën “Mapo” se gjatë këtij studimi do të rishihet edhe periudha e pasluftës, e konkretisht periudha pas mesit të muajit mars 1946, ku Asambleja Kushtetuese u kthye në Kuvend Popullor, e deri tek Parlamenti i parë pluralist, i dalë nga zgjedhjet e 31 marsit 1991 (250 deputetë). Referuar burimeve, kjo është periudha për të cilën do të diskutohet, nëse duhet të përfshihet në historinë e parlamentarizmit ose jo, një kërkesë kjo që në fakt do të hapë një debat sa të madh, aq edhe shterpë, pasi historikisht një periudhë e tillë nuk mund të fshihet. Ndërkohë, në historikun e Kuvendit thuhet specifikisht se, “roli i parlamentit gjatë periudhës së komunizmit mbetej fiktiv, sa kohë që nuk sanksionoheshin zgjedhje të lira dhe as që mund të flitej për pluralizëm”. Megjithatë, përpos debatit që mund të hapë rishkrimi i historisë së Kuvendit, nisur jo vetëm nga kërkesat që do të trajtojnë, referencat ligjorë, mekanizmat që do të përdorin e deri te përbërja e këtij grupi, iniciativa në fjalë duket se do të jetë edhe akti i parë parlamentar i rëndësishëm që do të korrigjojë vetveten.

Historiku

Më 27 mars 1920, delegatët e zgjedhur nga Kongresi i Lushnjës u mblodhën në Tiranë në atë që quhej “Këshilli Kombëtar”, organi legjislativ i përbërë nga 37 anëtarë. Në historikun e Parlamentit dhe në çdo studim tjetër të botuar deri më tani, ky këshill përbën institucionin e parë zyrtar të Parlamentit në Shqipëri. Në këtë periudhë afirmohen për herë të parë parimet e parlamentarizmit: emërimi dhe shkarkimi i qeverisë nga Senati, si dhe ushtrimi i kontrollit parlamentar ndaj saj. Megjithatë, referuar historikut të parlamentarizmit, institucioni i parlamentarizmit në Shqipëri i ka fillimet e veta prej ditës së Pavarësisë, me mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Vlorës. Pas Kuvendit Kombëtar të Vlorës, parlamentarizmi si institucion u sanksionua në të gjitha statutet, që pasuan konsolidimin e shtetit shqiptar. Për herë të parë, ai parashikohet në Statutin Organik të Shqipërisë, të hartuar nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, më 1914, megjithëse, më pas u bë i pamundur krijimi i një organi të tillë. Sipas statutit, Asambleja Kombëtare, si organ legjislativ, përbëhej nga anëtarë të zgjedhur prej popullit, anëtarë të emëruar nga princ Vidi dhe anëtarë “ex officio” (gjithsej 36 anëtarë).

N.Perndoj

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›