Haxhinasto: LSI negociata me PD për programin qeverisës
Kreu i Këshillit Drejtues Kombëtar i LSI-së, Edmond Haxhinasto, shprehet se negociatat me PD-në për krijimin e qeverisë do të zhvillohen në ditën e ardhshme. “Nuk ka akoma një datë, por sigurisht që negociatat do të zhvillohen. Besoj se ka kohë të mjaftueshme, duke pasur parasysh dhe afatet kushtetuese na e lejon këtë gjë. Gjithë kjo kohë do të përdoret në mënyrë efikase për të bërë negociatat përkatëse dhe për të arritur ato objektiva politike dhe atë program të përbashkët që ne dëshirojmë të realizojmë”, tha Haxhinasto për mediat. Sipas kreut të KDK-së, prioriteti kryesor që LSI-ja do të parashtrojë në tryezën e negociatave, sigurisht janë të lidhura me ato që kjo forcë politike ka paraqitur politikisht gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit. “Ato konsistojnë në çështjet e zhvillimit me ritme më të shpejta të vendit, zhvillimin e sektorëve të caktuar, sikurse është zhvillimi ekonomik, çështjet që kanë të bëjnë me papunësinë, gjithashtu një pjesë e rëndësishme e prioriteteve tona ka të bëjë me rritjen e cilësisë së shërbimeve publike, sikurse është shëndetësia dhe arsimi”, tha Haxhinasto. Gjithashtu prioriteti tjetër për LSI-në konsiston dhe në paketën për përkujdesjen sociale, ku sikurse dihet tashmë është hartuar dhe një projektligj për “Moshën e Tretë”. “Në mënyrë të veçantë dua të theksoj se LSI-ja ka përgatitur një paketë të posaçme për t’u ardhur në ndihmë të gjithë asaj kategorie të shoqërisë sonë që përfitojnë nga ‘përkrahja sociale’, ku sipas asaj që ne kemi detajuar rezulton në rritjen e kësaj përkrahje, në krijimin e vendeve të punës për këtë kategori shoqërore”, theksoi Haxhinasto. Sipas tij, për herë të parë në këto negociata nuk diskutohen vetëm portofolet ministrore që mban partia, por diskutohen prioritetet qeverisëse dhe kontribute të përbashkëta për hartimin e buxhetit që do të mbështesë prioritetet qeverisëse.