Qeveria e re, nesër pritet fillimi i negociatave zyrtare

TIRANE – Nesër pritet që të fillojnë negociatat zyrtare mes dy krerëve të dy partive që do të mbajnë peshën kryesore në “qeverinë e integrimit evropian”. Sikurse është paralajmërua, nga kreu i PD-ës Sali Berisha dhe ai i LSI-së Ilir Meta, data 20 gusht, pritet ët jetë dita e parë e bisedimeve, për platformën e re qeverisëse, programin e saj, si edhe emrat për ministrat e mundshëm të qeverisë së re.
Ndërkohë, mësohet se, para takimit zyrtar të paralajmëruar midis kreut të PD-ës Sali Berisha dhe atij të LSI-së, Ilir Meta, ka pasur takime informale mes tyre, por që në përfundim, asnjëri nuk ka konfirmuar të jetë diskutuar për qeverinë dhe emrat e mundshëm të saj.
Koalicioni mes PD-ës dhe LSI-së, u zyrtarizua menjëherë pas zgjedhjeve të 28 qershorit të këtij viti, kur LSI, zyrtarisht ju përgjigj ftesës së PD-ës, për të bashkuar 4 mandatet e deputetëve të saj, me 70 mandatet e koalicionit fitues të këtyre zgjedhjeve. Ndërkohë, partitë e tjera aleate të PD-ës, të përfaqësuara në parlament, sikurse janë PR-ja dhe PDI-ja nuk e kanë fshehur ambicien e tyre, për përfaqësim në nivelet e larta drejtuese qeverisëse.
Nga ana tjetër, edhe partitë e tjera, aleate të PD-ës, megjithëse nuk mundën të hyjnë në parlament, kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuuar në qeverisjen e ardhshme 4-vjeçare.
Qeveria e re që pritet të krijohet, do të quhet “qeveria e integrimit evropian”. Ajo është qeveria e tretë e përbashkët midis të majtëve dhe të djathtëve, pas qeverisë së stabilitetit në vitin 1991 dhe asaj të pajtimit kombëtar në vitin 1997.
Qeveria e re parashikohet të ketë shumë objektiva.
Duke ju referuar deklaratave të kryeministrit Berisha, mësohet se prioritet do të jetë punësimi, zhdukja e varfërisë, vazhdimi i veprave të mëdha infrastrukturore, ndërsa epërsi të LSI-së paralajmërohet të jenë integrimi, arsimi, ekonomia, shëndetësia dhe bujqësia.