“Procesi i zgjedhjes së kryetarit një farsë, tentativa të rënda për manipulimin e procesit”

Ish-kryetarja e Komisionit të Zgjedhjeve të PS-së, Zamira Çaka denoncon zgjedhjet sipas parimit “një anëtar-një votë”
TIRANE - Ish-kryetarja e Komisionit të Zgjedhjeve të Partisë Socialiste, Zamira Çaka, e cilëson farsë, procesin e votimit të anëtarësisë socialiste për të zgjedhur kryetarin e saj. Ndërsa Zamira Çaka i ka cilësuar antistatutore veprimet e kryeadministratorit të zgjedhjeve në parti Genci Gjonçajt, ajo kërkon dorëheqjen e tij nga pozicioni i kreut aktual të këtij komisioni. Sipas Zamira Çakës, kreu i Komisionit Zgjedhor në PS, Genci Gjonçaj nuk duhet të administrojë këtë proces pasi ka konflikt interesi për shkak të lidhjeve me bashkinë e Tiranës dhe sipas zonjës Çaka ai duhet të japë dorëheqjen. Përfshirja e Genci Gjoncajt në projektet e bashkisë së Tiranes, hedh dyshime mbi paanshmërinë e strukturave që numërojnë votat, thotë Çaka. “Duhet të japë dorëheqjen. Nëse është i punësuar krijon lidhje direkt. Pavarësisht se statuti ka vendosur pengesa të tjera, por kjo është një lidhje direkt e zotit Gjonçaj i cili nuk duhet të pranojë të bëhet pjesë e kësaj farse elektorale në PS. Ky është një proces farsë. Është një pabarazi midis dy kandidatëve sepse zoti Rama ka të gjitha emërtesat në strukturat e partisë, ndërsa kandidaturat e tjera nuk kanë asnjë mbështetje përveçse vullnetit”, shprehet Çaka.
Ish-kryetarja e Komisionit të Zgjedhjeve të Partisë Socialiste, Zamira Çaka vëren më tej se tentativat për manipulime të procesit zgjedhor të zgjedhjes së kryetarit të partisë sipas parimit “një anëtar-një votë”, janë më të rënda se dy vjet më parë, gjatë një procesi të tillë të ngjashëm.
Duke iu referuar eksperiencës së 12 majit të vitit 2007 kur Edi Rama u zgjodh kryetar i partisë sipas parimit “një anëtar-një votë”, Zamira Çaka deklaron se këtë herë procesi është në dorë të Edi Ramës dhe gara nuk është barabartë. Në vitin 2007, kur Edi Rama u zgjodh kryetar i socialistëve me parimin “një anëtar, një votë”, Zamira Çaka dha dorëheqjen për shkak të manipulimeve gjatë procesit.
Dy vjet më pas, Çaka thotë se po vihen re shenjat e para të një procesi të parregullt. “Po shikoj që këtu ka filluar ajo farsë elektorale që ishte edhe në vitin 2007. Do të ketë manipulim dhe sa jam në dijeni po bëhen manipulime edhe për sa i përket thirrjes së delegatëve të kongresit. Do të thërriten delegatët që janë pro Ramës dhe nuk do të thirren delegatët që kanë pasur zërin e tyre në PS që para se të vinte Edi Rama dhe tashmë që është zoti Rama” thotë Çaka.
Por veç tentativave për manipulimin e këtij procesi zgjedhor, ish-kryetarja e Komisionit të Zgjedhjeve në Partinë Socialiste, vëren se që në fillimet e saj, kjo garë është antistatutore.
Socialistja që administroi procesin e parë zgjedhor sipas parimit “një anëtar-një votë”, Zamira Çaka deklaron se nuk mund të filloje procesi zgjedhor në parti për sa kohë që gara nuk është shpallur dhe pozicioni i Edi Ramës është ende i paqartë.
Dy shkresa të Genc Gjonçajt, kreu i Komisionit të Zgjedhjeve në Partinë Socialsite, për degët në rrethe, janë interpretuar nga pararendësja e tij në këtë post Zamira Çako, si shkelje statutore. Sipas Çakos, mësohet se, “përzgjedhja e komisionerëve që do të menaxhojnë procesin e dytë zgjedhor sipas parimit një anëtar një votë në PS duhet të bëhet pas kongresit të 29 gushtit, kur dhe do të zyrtarizohet gara mes kandidatëve”.