Prokuroria e Përgjithshme fillon të bëjë analizën e fundvitit
Kryeprokurorja e Përgjithshme, znj. Ina Rama, ka zhvilluar disa takime të veçanta me Njësitë e Specializuara kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit duke marrë në analizë rezultatet e punës së kryer. Njësitë e qyteteve kryesore kanë paraqitur raportet e tyre mbi punën e kryer gjatë këtij viti si dhe ecurinë e hetimeve që janë në proces. Në takimet e kryera kryeprokurorja ka theksuar se “lufta ndaj veprave penale të korrupsionit, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave mbeten prioritet për organet e prokurorisë dhe suksesi ndaj tyre mund të arrihet nëpërmjet zbatimit të plotë dhe rigoroz të ligjit si dhe me rritjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shtetërore”. Gjatë takimeve janë evidentuar problemet që hasen gjatë kryerjes së detyrave si dhe janë diskutuar rrugët për rritjen e efikasitetit në rezultatet e punës. Në analizën e kryer është marrë në evidencë kontributi i çdo pjese përbërëse të Task-Forcës, që janë prurje nga institucionet e tjera si dhe problematikat që hasen në këtë bashkëpunim. Në këtë aspekt në këto takime një theks i është kushtuar rritjes së rolit të oficerëve të policisë gjyqësore pranë këtyre njësive në sigurimin e informacioneve për veprat penale të veprave të korrupsionit dhe krimit financiar.