Ish-punonjësi i bankës tenton vetëvrasjen
Ka zgjatur 6 orë ankthi i familjarëve dhe i policisë së Tiranës se mos 40-vjeçari Artan Kadria, i cili kishte kaluar në gjendje depresioni, mund të kryente vetëvrasje. Ngjarja ka ndodhur pak minuta pas orës 22:00 të së dielës, në rrugën "Tefta Tashko", pranë ATSH-së, në një pallat 5-katësh të vjetër. Të frikësuar se mund të kryente një vetëvrasje, familjarët kanë kërkuar ndihmën e policisë. 40-vjeçari pretendonte se po mbante në ruajtje familjen e tij, pasi mund të vinin ta merrnin peng dhe nuk u përgjigjej thirrjeve të negociatorëve të policisë për t’u dorëzuar. Familjarët kanë pohuar se njeriu i tyre vuante nga një gjendje e rëndë psikologjike dhe se prej dy vitesh nuk ishte më punonjës i një prej bankave kryesore në kryeqytet. Forca të Reneas, policisë, kanë qenë në vendngjarje menjëherë pas sinjalizimit. Policia ka tentuar të hyjë në apartamentin e tij, por duke pasur një derë të blinduar e për të shmangur ndonjë situatë të paparashikueshme, kanë nisur negociatat me Kadrinë. E gjithë ngjarja ka përfunduar rreth orës 04:00 të mëngjesit të së hënës kur atë e ka zënë gjumi. “Në fillim u fol se kishim të bënim me një pengmarrje, por më pas familjarët sqaruan se njeriu i tyre kishte tentuar të vriste veten. Drejtori i policisë së Tiranës duke reaguar në lidhje me ngjarjen, mohoi se kishim të bënin me një pengmarrje. Sipas tij bëhej fjalë për “një person në depresion i cili vuante nga deliri i persekutimit dhe ishte i armatosur me një çifte me leje”.