E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: “Rama proteston një ditë para liberalizimit të vizave”



Eljona Ballhysa
Gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, kryeministri Berisha tha se më pak se 48 orë i ndan shqiptarët nga vendimi më i rëndësishëm, që është ai i liberalizimit të vizave. Kreu i qeverisë e cilësoi këtë një ngjarje historike për vendin më të izoluar në botë për rreth 50 vjet. Gjatë fjalës së tij Berisha akuzoi opozitën, e cila, sipas tij, ka bërë përpjekje për të penguar procesin e liberalizimit të vizave. Për më tepër, tha Berisha, opozita ka vendosur të organizojë protesta vetëm një ditë para marrjes së vendimit historik të liberalizimit të vizave.
Akuzat
“Këta zotërinj u përpoqën, angazhuan shuma të mëdha, angazhuan një makineri të tërë dezinformimi, shkruan letra dhe bënë çdo gjë ky grup bllokmenësh të rinj që kjo të mos ndodhte, që heqja e vizave të mos bëhej. ‘Do të keni 1 milion shqiptarë që do të vërshojnë drejt jush’ u tha duke u bërë gënjeshtar dhe gënjeshtra e tyre e përhapur në mbarë botën. Bënë tur racist antishqiptar për të mbajtur fjalimet më primitive kundër shqiptarëve. Nuk lanë gurë pa lëvizur dhe nesër protestojnë, nesër janë në protestë. Pasnesër shqiptarët nisen të lirë pa viza në mbarë Europën, ndërsa bllokmenët e rinj protestojnë. Le të protestojnë sa të duan, shqiptarët do të lëvizin të lirë në mbarë Europën, dhe kjo është vepra e reformave tona të thella dhe të gjithanshme”, - është shprehur Berisha. Ai tha se Rama, me gjithë përpjekjet, nuk arriti t’i futë vizat në kuti. “Edvin Kristaq Rama nuk futi dot në kuti vizat tuaja. Bëri gjithçka që t’i pengojë, bllokojë dhe t’ju mashtrojë. Mos harroni kurrë se ditën e vendimit të parë më të rëndësishëm për vizat, ai ishte në atë të quajtur grevë urie, pasi nuk ishte grevë urie e mirëfilltë, por me tre vakte në ditë dhe nën kujdesin e kryeministrit, se unë nuk do të bëja viktima para shtëpisë sime.
Bëri grevë urie vetëm e vetëm për të penguar vizat dhe do të nisë letër në stilin e një njeriu të paskrupullt të nesërmen e marrjes së vendimit. Ndërmori fushatën elektorale pasi doli nga çadrat, ‘hap kutitë të çlirosh vizat’, u soll vërdallë nëpër Shqipëri dhe kudo, me qëllimin ogurzi të fuste vizat në kuti, por dështoi, mori atë që meritonte”, - është shprehur kreu i qeverisë.
Detyrimet
Kryeministri shprehu bindjen se qytetarët shqiptarë do të dinë të respektojnë detyrimet që rrjedhin nga procesi i liberalizimit të vizave. “Ky është vendimi më i rëndësishëm, më fisnik. Kam bindjen më të thellë se qytetarët shqiptarë, me dinjitet të madh, do të qëndrojnë para këtij vendimi dhe në mënyrën më të qytetëruar do të sillen ndaj tij pa i lejuar vetes abuzimin më të vogël. Këto vende hapën dyert për ne. Hapën dyert e shtëpive të tyre për ne. Na takon ne të gjithë shqiptarëve që të qëndrojmë në lartësinë e moralit tonë, e përgjegjësisë sonë, për të shmangur çdo lloj abuzimi”, - është shprehur kreu i qeverisë. Ai e cilësoi këtë një ndër vendimet më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë. “Ky akt përbën arritjen e dytë të madhe të jetës së qytetarëve shqiptarë. E para, sigurisht, ishte shembja e diktaturës, shembja e ‘murit të Berlinit’ në Tiranë 20 vjet më parë, po nga kjo forcë politike, e cila u themelua në një betejë legjendare, por sot kjo forcë politike shndërron në realitet një nga dy-tre premtimet e saj më kryesore. Shndërron në realitete heqjen e vizave, pas shembjes së diktaturës dhe anëtarësimit në NATO, ky është premtimi më madhor i mbajtur i kësaj maxhorance, i këtij koalicioni, i kësaj partie”, - është shprehur Berisha.

Rama: “Berisha refuzon ofertat tona, kërkon pushtet me vota të vjedhura”

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e ka akuzuar dje kryeministrin Berisha dhe maxhorancën qeverisëse se po kërkojnë të zvarritin krizën politike në vend duke refuzuar në vazhdimësi çdo ofertë të opozitës. Sipas Ramës, maxhoranca po refuzon jo vetëm kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet, por edhe rishikimin e buxhetit për përmbytjet, edhe kërkesën për mocion me debat për mosmarrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Sipas Ramës, e gjitha kjo është strategji e Berishës për të mbajtur pushtetin me votat e vjedhura. Ai gjithashtu tha se përveç propozimeve dhe ofertave, protestat e organizuara nga opozita janë një tjetër rrugë që synojnë rrëzimin e qeverisë.
Akuzat
“Sot Kuvendi dha një tjetër provë të faktit tashmë të njohur se pushteti i votave të vjedhura s’ka asnjë vullnet për të hetuar zgjedhjet, s’ka asnjë vullnet për të ndalur përmbytjet që shkakton, s’ka asnjë vullnet për të hapur rrugën e reflektimit mbi arsyet që sollën dështimin e rëndë të Shqipërisë në rrugën e integrimit në BE duke prodhuar refuzimin e statusit të kandidatit në BE. U refuzua sot futja në seancën e së enjtes e propozimit tonë që zgjidh krizën politike duke ngritur një komision hetimor për zgjedhjet e shkuara mbi bazën e Rezolutës së Parlamentit Europian. Pengesa pas pengesash, alibi pas alibish, refuzime pas refuzimesh që kriza politike të mos zgjidhet, që procesi politik të tërhiqet zvarrë pafundësisht, që pushteti të vazhdojë të shkatërrojë e plaçkitë Shqipërinë”, - është shprehur Rama. Sipas tij, Berisha ka dështuar dhe tani kërkon të rrijë në pushtet duke vjedhur përsëri votat. Rama gjithashtu e akuzoi kryeministrin Berisha edhe për përmbytjet në Shkodër. “U refuzua sot po ashtu marrja në shqyrtim për të futur në seancën e së enjtes propozimin tonë për ndryshimin e buxhetit të vitit 2011, me synim ndaljen e përmbytjeve të radhës, që Shkodra dhe e gjithë Shqipëria të mos përmbyten përsëri dhe që rikënetizimi i Shqipërisë të ndalet përpara se sa të jetë vonë. Shkodra u përmbyt për të pestën herë brenda një viti dhe për të pestën herë me radhë Saliu flet për fitore e heroizma të qeverisë, duke e përpjekur dëshpërimisht, por edhe paturpësisht ta mbulojë dështimin e madh përballë këtij fenomeni që nuk është vepër e natyrës, por pasojë e drejtpërdrejtë e keqqeverisjes”, - është shprehur lideri i opozitës.
Rama tha se opozita është e vendosur ta çojë deri në fund kauzën e transparencës së zgjedhjeve dhe të këmbëngulë në ndryshimin e buxhetit për t’u ardhur në ndihmë zonave të përmbytura. “Ne jemi gjithsesi të vendosur, përditë e më të vendosur, akoma dhe më të vendosur sa herë gjendemi përballë këtij muri kokëfortësie e mbrapshtësie që ta çojmë përpara kauzën e transparencës, që të këmbëngulim për ndryshimin e buxhetit në favor të zonave të përmbytura. Pa dyshim, jemi përditë e më të vendosur që ta kërkojmë largimin e domosdoshëm të kësaj qeverie që po rrënon ekonominë, që po rrënon demokracinë, se Drejtësinë tashmë e ka rrënuar dhe po rrënon perspektivën europiane të këtij vendi dhe të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi”, - është shprehur kryesocialisti, ndërsa ka deklaruar se rruga tjetër e opozitës janë protestat. “Kjo opozitë nuk është mjaftuar me një rrugë, por i ka konsideruar e përdorur të gjitha rrugët dhe do të vazhdojë t’i konsiderojë dhe përdorë që nga rruga e ofertave për zgjidhje deri te rruga e protestave për të larguar qeverinë”,- ka përfunduar kreu i PS-së.

Ngjela: “Opozita e Bashkuara nis sot turin e protestave në Durrës”

Opozita e Bashkuar do të rinisë sot protestat që i ndërpreu për shkak të situatës së përmbytjeve. Në emër të Opozitës së Bashkuar, Spartak Ngjela bëri të ditur dje për mediat se protestat, që do të kenë stacion të parë Durrësin, kanë si qëllim largimin e qeverisë së korruptuar. Sipas Ngjelës, qeveria e korruptuar u bë shkak për përmbytjet në vend dhe pavarësisht situatës ku ndodhet zona e përmbytur, nuk ka lekë të menaxhojë në përmirësimin e situatës. Ngjela i ftoi të gjithë qytetarët e pakënaqur nga qeverisja e keqe që të marrin pjesë në tubimet e opozitës që nisin sot nga Durrësi.

Konferenca e Kryetarëve
PD-PS nuk gjejnë kompromisin për komisionin hetimor

Edhe pse ka zgjatur më shumë se 2 orë Konferenca e Kryetarëve të grupeve parlamentare, maxhoranca dhe opozita nuk kanë gjetur konsensusin për datën kur do të votohet në Parlament komisioni hetimor për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. PS-ja ka kërkuar që në seancën e së enjtes, në datën 16 dhjetor, të ngrihet komisioni, ndërkohë që PD-ja ka kërkuar më shumë për t’u shqyrtuar në Komisionin e Ligjeve, duke propozuar datën 23 dhjetor si seancë të votimit të projektvendimit për hetimin e zgjedhjeve. Për shkak të mungesës së konsensusit do të jetë seanca plenare që do të votojë datën kur do të kalojë në Parlament komisioni hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Përtej datës, maxhoranca dhe opozita kanë diskutuar edhe për dy pika të projektvendimit; pikën 3, që ka të bëjë me përbërjen e komisionit dhe pikën 4 që ka të bëjë me objektin e hetimit.
PD-ja ka nënvizuar se ligji për komisionet hetimore shumicën ia jep maxhorancës qeverisëse, ndërkohë që ka shprehur rezerva për nenin 119, sipas të cilit, PS-ja kërkon materialet zgjedhore. Këto dy çështje janë lënë të zgjidhen me negociata mes dy krerëve të grupeve kryesore parlamentare, Ruçi e Patozi. Pavarësisht këtyre mosmarrëveshjeve, duket se kërkesa e PS-së, e dorëzuar në Parlament në datën 2 dhjetor, ka bërë që kompromisi për të zgjidhur ngërçin politik të jetë më afër se asnjëherë tjetër.

14 Dhjetor 2010

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›