E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjoni: “Integrimi në BE, qeveria po bën propagandë boshe”



Partia Socialiste akuzon qeverinë se po dështon në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, si dhe në procesin e liberalizimit të vizave. Deputeti socialist, Ilir Gjoni, tha se qeveria nuk është në gjendje të përmbushë standardet. Sipas tij, integrimi në Bashkimin Europian nuk mund të realizohet duke ofruar propagandë boshe, aq më tepër duke ia faturuar dështimin opozitës. “Nga vlerësimi që i kemi bërë përmbushjes së reformave në bllokun e tretë të Udhërrëfyesit të Liberalizimit të Vizave, që përfshin çështjet e rendit publik dhe të sigurisë, rezulton se asnjë nga masat e parashikuara për t’u zbatuar gjatë muajit shtator, sipas Planit të Veprimit, të miratuar nga vetë qeveria në korrik të këtij viti, nuk është realizuar. Nuk është zbatuar Strategjia dhe Plani i Veprimit kundër Trafikut të Drogës. Nuk janë përmirësuar masat për aksesin në informacion mbi kapjen e drogës dhe personave të përfshirë në pikat e kalimit kufitar. Nuk është amenduar ligji për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar. Nuk është zbatuar Strategjia Ndërsektoriale si dhe Plani i Veprimit Antikorrupsion. Nuk janë implementuar ende plotësisht rekomandimet e Këshillit të Europës (GRECO) për çështjet e korrupsionit. Nuk është forcuar ende sistemi i kontrollit të brendshëm dhe aktiviteteve antikorrupsion në administratën publike dhe organet e zbatimit të ligjit. Nuk është përforcuar bashkëpunimi ndërmjet agjencive të zbatimit të ligjit. Në të kundërt, dy ministra të kabinetit ‘Berisha’ kanë shantazhuar Drejtësinë duke marrë nën sqetull përfundimisht çdo qelizë të shtetit të së drejtës. Siç mund të kuptohet lehtësisht, faktori pengues i procesit të liberalizimit të vizave në Shqipëri është, në këndvështrimin e Komisionit Europian, korrupsioni në veçanti dhe krimi i organizuar e varësia e drejtësisë nga pushteti. Integrimi i Shqipërisë në BE nuk bëhet as me propagandë boshe e as me letërkëmbime ministrore. Ai kërkon impenjim e përkushtim të të gjitha strukturave të shtetit për të forcuar administratën publike, duke pasur një Gjyqësor të pavarur e të paanshëm, prokurorë të specializuar në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, ashtu siç kërkohet, një Polici të depolitizuar e profesionale si dhe ligje të mira e të zbatueshme për të kontrolluar sa më mirë prokurimet publike, për të ushtruar kontrollin financiar dhe auditin dhe luftuar evazionin fiskal”, - tha Gjoni.

13 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›