E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhori Qirjazi, një jetë me shumë punë e pak zhurmë



Llazar LlAZARI
Para një jave u nda nga jeta Dhori Qirjazi. Në një ceremoni të thjeshtë, siç ishte ai dhe jeta e tij, familjarë, miq e shokë, ish-kolegë e ish-nxënës e përcollën me dhimbje Dhorin modest, njeriun e mirë, punëtorin e palodhur. Vdekja është e natyrshme, por ajo dhemb për këdo. Ikën nga kjo jetë një prind, një bashkëshort, një shok, një mik....Por kur ky njeri ishte shembull mirësie, dhembja shtohet. Kur ky njeri ishte mësuesi i aftë e mbresëlënës i brezave të tërë nxënësish, kur ai ishte një poet i talentuar, një përkthyes i veçantë, një publicist i guximshëm, një studiues që e thotë bindshëm e me kompetencë fjalën e tij, dhimbja zgjerohet e krijohet një boshllëk që nuk mbushet lehtë. Këto e të tjera vlerësime për Dhorin, i kam dëgjuar nga dhjetëra e qindra njerëz. Ai u formua si i tillë në ambientin e thjeshtë kolonjar ku lindi e kaloi fëmijërinë, në Shkodër e në Tiranë ku kreu gjimnazin e universitetin, në shkollat ku punoi si mësues i shkëlqyer i letërsisë, në gjithë jetën e veprimtarinë e tij, ku spikati puna, talenti, kurajua, modestia, dinjiteti... Dhori Qirjazi është nga ata mësues, që për dekada të tëra ndriçoi mendjen e qindra e mijëra nxënësve. Ai u mësoi atyre letërsinë, por u ushqeu dhe dashurinë për të, për atdheun, për gjuhën dhe kulturën shqiptare. Me njohuritë e gjera, por dhe me talentin e tij si mësimdhënës, u fisnikëroi shpirtin, u transmetoi mirësi edhe me krijimtarinë e tij, me figurën dhe shembullin e tij.
Dhorin kishe kënaqësi ta dëgjoje tek shpjegonte. Ai të mbërthente me logjikën dhe aftësinë e të rrëfyerit. Nxënësit e donin dhe e dëgjonin me endje, përgatiteshin dhe kishin rezultate. Ai ishte mësues jo vetëm në klasë, por edhe jashtë saj, jo vetëm për nxënësit por edhe për shumë kolegë të rinj. I pakursyer për këro që i kërkonte një këshillë, një mendim, një rrugëzgjidhje në një moment të vështirë. Së pari ai dallohet si poet. Një poet i shquar lirik e tërë ndjenjë, pa tamtame politike, që i këndoi natyrës së bukur shqiptare, por edhe dashurisë, shpirtit të pasur të njeriut të thjeshtë. Ai ishte një poet brilant që shquhej sidomos për cilësinë e vargjeve të tij, poet i fjalës së zgjedhur e të ngrohtë, i jetës, i bukurisë, i dashurisë... Në fushën e studimit, do të veçonim librin mbi folklorin e pasur të krahinës së Kolonjës, që e botoi me titullin domethënës “Flakët e Vatrës”. Ashtu ishin ato këngë, që i mblodhi dhe i qëmtoi për vite me radhë Dhori Qirjazi. Flakë të vërteta, që i ndriçonin rrugën e popullit në shekuj të tërë errësire, por edhe i ngrohnin shpirtin në ftohtësinë e halleve të shumta të kohëve të vështira nën pushtimin e gjatë otoman. Një njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja, Dhori ishte një përkthyes i veçantë. Kjo duket që në përzgjedhjen e autorëve. Ai solli në shqip të mëdhenjtë Bërns e Bajorn, por edhe të madhin poet persian Rumiu, duke treguar veç kulturës së gjerë e mjeshtërisë, edhe bukurinë e gjuhës shqipe.
Dhori Qirjazi punoi gjatë në vendlindjen që e deshi, në Kolonjë. Ai nuk ishte atje vetëm një mësues e krijues i talentuar, por edhe një veprimtar që shquhej. Ai do të jepte mendimin e tij edhe kur hartohej një historik, kur ngrihej një muzeum, kur hartohej një program kulturor etj. Dhe fjala e tij zinte vend. Ai imponohej me forcën e mendimit dhe kompetencën profesionale. Ai u rrit në lartësinë e veprimtarisë e krijimtarisë së tij, që do ta lakmonin shumë krijues, falë punës, talentit, cilësive personale të figurës së tij. Ai nuk u vu në shërbim të politikave konjukturale, përveç njërës, asaj atdhetare. Ai edhe në dy dekadat e fundit nuk e lejoi veten të përdorej nga politika, por nga ana tjetër ishte aktiv në jetën kulturore e shkencore. Ai shkroi e botoi pa ndërprerje,e tha fjalën e tij me kurajo dhe kompetencë. Para viteve 90-të të shekullit të kaluar, pushteti i kohës nuk e vuri në vendin që meritonte. Ai herë e afronte dhe herë e linte në distancë, herë e vlerësonte dhe herë e linte në heshtje, kuptohet sipas ulje-ngritjeve të luftës që zhvillohej në periudha kohore e sfera të ndryshme të jetës. Dhorin dhe kur s’e donin e respektonin. Dhe ata që nuk e pëlqenin, e pyesnin. Dhe ziliqarët kur ishin para tij, silleshin me servilizëm...Dhorin nuk e mposhtën dallgët e jetës. Ai nuk e uli asnjëherë kokën. Ai qëndroi krenar e me dinjitet, si një lis që nuk u rrëzua as nga furtuna, as nga sopata e atyre që e mbanin “nën gunë”, as nga “krimbi” që mundohej ta brente nga brenda..Është kuptimplotë thënia e një miku të tij në atë kohë: “Dhorin e angazhojnë në përgatitjen e dasmës, por shpesh në tavolinë e harrojnë ta ftojnë”. Dhori ishte një njeri me zemër të gjërë, njeri që nuk e njihte ligësinë, që nuk urrente, që i falte dhe ata që ishin përpjekur ta dëmtonin. Ai ishte një demokrat i vërtetë në shpirt. Ai kishte shumë miq e shokë dhe u bënte nder me miqësinë që u ofronte me bujari. Ndër të tjera, Dhori Qirjazi mban titullin e lartë “Mësues i Popullit”. Titujt e ndertit janë vlerësime zyrtare shumë domethënëse, por qindra e mijëra nxënës, prindër, kolegë, bashkëqytetarë, shokë e miq në të katër anët, e thërrisnin Profesor Dhori, ashtu siç e ndjenin, ashtu siç e meritonte. Në morinë e vargjeve që buronin nga shpirti i tij, diku, ai me modestinë që e karakterizonte do të shprehej: Dhe skam dashur të bëj bujë, Dhe lavdinë prapë me të se mat”.
Por krijimtari e gjerë mbi 50-vjeçare, do të ketë vend të veçantë në historinë e letërsisë e të kulturës shqiptare. Për veprën e tij në disa fusha, për shpirtin e tij njerëzor e atdhetar, për kontributin e tij të pandërprerë shoqëror, Dhori Qirjazi do të kujtohet gjatë. Vepra e tij do të rrojë e do të çmohet kurdoherë.

12 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›