E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbajtja e projektligjit me firmat e qytetarëve për hetimin e zgjedhjeve

Cila është nisma e hartuar nga Partia Socialiste dhe ekspertët ligjorë. Projektligji përmban 13 nene dhe synon hetim të pakufizuar për zgjedhjet e 28 qershorit

Shaban Sulçe

Projektligji, i cili po firmoset nga qytetarët shqiptarë për hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, përmban të njëjtat kërkesa, të cilat Partia Socialiste i ka bërë në mënyrë të vazhdueshme dhe që janë njëkohësisht edhe kushtet e vendosura prej saj për të hyrë në Kuvend. Ekspertë dhe deputetë të Partisë Socialiste, në bashkëpunim me ekspertë të çështjeve juridike dhe konstitucionalistë, kanë hartuar projektligjin, i cili ka nisur të firmoset nga ana e qytetarëve që ditën e shtunë, kur u zhvillua edhe protesta e parë e PS-së për hapjen e kutive të votimit.

Projektligji

Projektligji përmban 13 nene dhe ka në thelb zbardhjen e së vërtetës dhe garantimin e transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit. Firmëtarët e këtij projektligji do të kërkojnë hetimin e zgjedhjeve, ngritjen e komisionit hetimor parlamentar, hapjen e kutive të votimit dhe rinumërimin e votave, të cilat përbëjnë kushtin dhe kërkesën kryesore të Partisë Socialiste. Projektligji përmban gjithashtu edhe disa nene, të cilat parashikojnë sanksionimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave që u bënë pjesë e dëmtimit, manipulimit dhe deformimit të procesit zgjedhor. Projektligji përmban hetim të pakufishëm të institucioneve publike, të administratës zgjedhorëve apo të individëve, të cilët janë bërë pjesë dhe kanë ndikuar në manipulimin dhe deformimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Hetimi dhe vënia përpara përgjegjësisë ligjore do të jetë për të gjithë ata titullarë institucionesh apo pjesëtarë të administratës zgjedhore, të cilët dëmtuan procesin.

Firmat

Procesi i firmosjes nga ana e qytetarëve e projektligjit të iniciuar nga Partia Socialiste nisi menjëherë pas përfundimit të protestës së organizuara nga Partia Socialiste dhe opozita për hapjen e kutive, ditën e shtunë. Qytetarë, mbështetës të PS-së dhe të partive opozitare, të pranishëm në protestën e organizuar, nuk hezituan të hidhnin firmat në projektligjin e ideuar nga Partia Socialiste. 12 tavolina të posaçme janë ngritur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pranë parkut “Rinia”, ku qytetarë të shumtë kanë vijuar edhe dje të hedhin firmat e tyre për të kërkuar hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Procesi i firmosjes së projektligjit do të vazhdojë edhe në qytete të tjera, ku socialistët do të zhvillojnë protestat e tyre për të kërkuar hapjen e kutive të votimit. Deri ditën e diel, numri i qytetarëve që kanë firmosur projektligjin ka kaluar shifrën 10 mijë. Ky numër pritet të pësojë një rritje edhe më të madhe në ditët në vazhdim. Gjithsesi, për kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, plotësimi i 20 mijë firmave nuk përbën një problem për Partinë Socialiste, por, sipas tij, e rëndësishme është që të ketë një unifikim të qëndrimit të qytetarëve me opozitën në lidhje me këtë çështje.

Përmbajtja e projektligjit
1-Realizimi i hetimit të pakufizuar të zgjedhjeve
2-Ngritja e komisionit hetimor parlamentar, me shumicë nga opozita
3-Hapja e kutive të votimit dhe rinumërimit të votave
4-Hetimin e institucioneve publike, administratës zgjedhore dhe individëve që kanë dëmtuar procesin zgjedhor
5-Vënien përpara përgjegjësisë ligjore të titullarëve, individëve, të cilët u bënë pjesë e manipulimit të zgjedhjeve
6-Hetim të titullarëve të institucioneve të posaçme, të cilët dhanë leje abuzive për të burgosurit që u bënë presion zgjedhësve gjatë ditës së votimit

13 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›