ISSH: Pensionet, ja skema e re
Intervista. Flet nëndrejtori i Përgjithshëm i ISSH-së për reformën e pensioneve
Në korrik, pensionet do të kenë një indeksim që në total shkon rreth 25 milionë dollarë
Që në momentin e marrjes nën administrim të fondeve nga ana e kompanive private të pensioneve, do të caktohet një bankë në të cilën këto kompani do të kryejnë të gjitha veprimet dhe njëkohësisht, banka do të jetë e detyruar të raportojë te autoriteti shtetëror përgjegjës në çdo kohë për transaksionet dhe llogaritë.
Por këto kompani që do të administrojnë kontributet e pensioneve që do vazhdojnë të jenë të detyrueshme me ligj, do të jenë nën një supervizim të hollësishëm nga një organ i specializuar që do të ngrihet për këtë çështje. I gjithë aktiviteti i këtyre kompanive do të rregullohet me një kuadër ligjor tërësisht të reformuar.
Ne kemi aktualisht një raport zëvendësimi pagë mesatare-pension mesatar që shkon në 46-47 për qind. Pra, sipas këtij raporti, shpjegohet se pensioni mesatar aktualisht është sa 47 për qind e pagës mesatare në vend.
Skema e pensioneve në Shqipëri është në proces reformimi dhe në këtë reformë tepër të rëndësishme për sistemin financiar, janë përfshirë edhe Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Nga një skemë tërësisht e kontrolluar nga qeveria dhe ku fondet e mbledhura nga kontributet nuk investohen, pritet që skema e re jo vetëm të përfshijë investimin e këtyre fondeve por njëkohësisht, të realizojë një lidhje midis kontributit që paguan për pension dhe pensionit që merr. Detajet që lidhen me skemën e re që po përgatitet nga qeveria në bashkëpunim me Institutin e Sigurimeve Shoqërore, Bankën Botërore si dhe situatën aktuale të sistemit të pensioneve në Shqipëri, sqarohen nga nëndrejtori i ISSH në një intervistë për "Shekullin".
Si po funksionon skema e pensioneve në Shqipëri dhe ku bazohet ajo?
Skema aktuale e pensioneve në Shqipëri është e bazuar në atë që quhet financo pensionet e sotme për të marrë financim nesër, kur të dalësh në pension. Kjo skemë shtetërore është e bazuar në financim të pensionistëve aktualë nga kontributet aktuale. Skema ka një problematikë që lidhet midis asaj që paguan një punonjës për pension dhe asaj që ai merr. Pra, sipas kësaj skeme, nuk ka një lidhje të fortë midis asaj që paguan për pension nga paga jote sot dhe pensionit që do të marrësh ti nesër, por kjo çështje është zgjidhur në ligj me anë të asaj që quhet shkalla e zëvendësimit të pensionit. Ky tregues është nga më të rëndësishmit dhe me anë të tij, është bërë e mundur që të realizohet edhe ruajtja e parametrave midis asaj që kontribuon dhe përfitimit që merr në formën e pensionit. Ne kemi aktualisht një raport zëvendësimi pagë mesatare-pension mesatar që shkon në 46-47 për qind. Pra, sipas këtij raporti, shpjegohet se pensioni mesatar aktualisht është sa 47 për qind e pagës mesatare në vend. Por këtu jemi duke folur mbi baza mesatare, ndërsa po t'i referohemi dy skajeve, raportit të pensionit me pagën minimale dhe pagën maksimale, kemi rezultate krejt të ndryshme. Pensioni mesatar është sa 75 për qind e pagës minimale, ndërsa pensioni mesatar zë vetëm 35 për qind të grupit të pagave të larta në vend.
Cila është situata financiare e ISSH-së dhe sa është subvencioni që ajo merr nga buxheti?
Instituti i Sigurimeve Shoqërore regjistron në total një shumë shpenzimesh prej 64.9 miliardë lekësh. Në këtë shifër, përfshihet jo vetëm skema e pensioneve, por edhe disa skema të tjera, si pensionet suplementare për ushtarakët, etj., që janë të iniciuara nga qeveria. Ndërsa të ardhurat e ISSH-së, që përbëhen nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe kontributet e buxhetit të shtetit, shkojnë në 48.6 miliardë lekë. Shpenzimet në total shkojnë 52.5 miliardë lekë, ndërsa subvencioni në total kap një vlerë prej 12.4 miliardë lekësh. Por, përsa i përket vetëm zërit të pensioneve, raporti midis të ardhurave dhe shpenzimeve paraqitet më i zbutur. Të ardhurat totale përsa i përket kontributeve janë 48.6 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet 52.5 miliardë lekë. Skema në këto kushte merr një subvencion nga buxheti prej rreth 3.9 miliardë lekësh, ose 7.5% e totalit. Pavarësisht problematikës që ai mbart, edhe gjatë këtyre 15 viteve, në sistemin e pensioneve janë ndërmarrë një sërë reformash. Sistemi i pensioneve është përballur me reformën e parë në vitin 1993, ku u ndërmorën edhe disa reforma ligjore për të përshtatur skemën që ishte e bazuar në ekonominë e centralizuar. Ligji Nr.7703, i vitit 1993, kishte si qëllim të tijin që të siguronte një qëndrueshmëri të sistemit të Sigurimeve Shoqërore, gjithashtu të siguronte pagesën e pensioneve për kontribuuesit e të gjitha kohërave. Këto qëllime të sistemit në vetvete janë ruajtur gjatë gjithë ndryshimeve të bëra më vonë, duke ruajtur si kriter themelor mos përjashtimin e asnjë kontribuuesi nga përfitimi për pension, pavarësisht periudhës që ai ka kontribuar në skemë.
Cili është targeti që ka vendosur ISSH përsa i përket numri të kontribuuesve?
Deri në fund të muajit qershor të këtij viti parashikohet që numri i kontribuuesve të ketë një rritje me 50 mijë persona, duke shkuar në 410 mijë. Këtu nuk përfshihen të vetëpunësuarit në sektorin bujqësor dhe as kontributet e tjera vullnetare. Ky target ka qenë pjesë edhe e marrëveshjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar me Qeverinë Shqiptare, që është firmosur së fundmi.
Si zgjidhen problemet e sistemit të pensioneve në vend, sipas skemës së re?
Skema e re që po diskutohen nga qeveria në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Fondin Ndërkombëtar, bazohet në atë që quhet sistemi me 3 shtylla. Shtylla e parë, që njihet edhe si shtylla zero, përfshin kryesisht ndihmën sociale për shtresat në nevojë. Në Shqipëri, kjo shtyllë gjen pak aplikim pasi kryesisht është e bazuar në dhënien e ndihmës sociale për familje dhe jo për individ, siç është kryesisht në vendet e zhvilluara. Shtylla e dytë, që është edhe më kryesorja për të sjellë ndryshimin e sistemit shqiptar të pensioneve, ndahet në 2 grupe kryesore. Kontributet që derdhen nga paga, do të ndahen në një pjesë që do administrohen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe një pjesë tjetër që do administrohen nga kompanitë private. Por, sërish, të dyja këto kategori do të jenë të detyrueshme me ligj për t'u paguar nga i siguruari. Sistemi i sigurimeve shoqërore do të ketë edhe një skemë të tretë, që do të jetë tërësisht vullnetare dhe kontributet do të administrohen nga kompanitë private. Por këto kompani që do të administrojnë kontributet e pensioneve, që do vazhdojnë të jenë të detyrueshme me ligj, do të jenë nën një supervizim të hollësishëm nga një organ i specializuar që do të ngrihet për këtë çështje. I gjithë aktiviteti i këtyre kompanive do të rregullohet me një kuadër ligjor tërësisht të reformuar. Që në momentin e marrjes nën administrim të fondeve nga ana e kompanive private të pensioneve, do të caktohet një bankë në të cilën këto kompani do të kryejnë të gjitha veprimet dhe njëkohësisht, banka do të jetë e detyruar të raportojë te autoriteti shtetëror përgjegjës në çdo kohë për transaksionet dhe llogaritë. Njëkohësisht do të ketë një mbikëqyrje të hollësishme dhe përsa i përket investimeve, ku do të finalizohen këto kontribute. Kjo është edhe mënyra e duhur që sistemi i pensioneve të ketë një orientim tërësisht perëndimor. Në këtë mënyrë do të realizohet edhe struktura e nevojshme, që të zgjidhet përfundimisht problemi i shfaqur gjatë këtyre viteve midis kontributeve të paguara dhe pensionit të përfituar, pavarësisht zbutjes së këtij fenomeni me anë të metodikës së përdorur.
Kur parashikohet barazimi i pensioneve të fshatit me ato të qytetit dhe a sjell kjo një barrë financiare për skemën ?
Përsa i përket pensioneve të fshatit, ato parashikohet që të barazohen me ato të qytetit në vitin 2012.
Por edhe këtu, skema nuk parashikon që ky proces do të arrihet për të gjithë grupin e personave që do të kenë dalë në pension deri në këtë vit, në fshat. Barazimi i pensioneve të fshatit me ato të qytetit në vitin 2012, do të përfshijë kryesisht ato grupe që kanë kontribuar në skemë pas prishjes së kooperativave bujqësore. Pra, barazimi i pensioneve të fshatit me ato të qytetit, nuk përcakton domosdoshmërisht që në këtë vit të ketë një barazim për të gjitha pensionet e fshatit me qytetin, por në këtë klasifikim do të ketë një lidhje midis kontributeve të paguara dhe pensionit të përfituar. Pra, të gjithë ata persona që kanë dalë në pension në vitet '90, do të kenë një kohë më të gjatë për të patur një pension në nivelin e qytetit. Aktualisht, në ISSH regjistrohen 155 mijë pensione fshati, nga të cilat 142 mijë pensione pleqërie.
AMF, projektligj për pensionet private
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare(AMF), po punon për hartimin e një projektligji të ri për pensionet. Kryetare e AMF-së, Elisabeta Gjoni u shpreh dje, gjatë diskutimit të Raportit Vjetor në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, se po punohet për hartimin e një projektligji të ri të pensioneve, si dhe janë miratuar rregulla për raportimin e kompanive ekzistuese në treg, pasi ligji aktual është hartuar që në vitin 1995 dhe paraqet mangësi. Sipas saj, "Rregullimi i aktivitetit të pensioneve është i një rëndësie të veçantë, nisur nga kohëzgjatja e përgjegjësive të marra dhe niveli i lartë i ekspertizës që nevojitet për të menaxhuar këtë aktivitet". "Ligji i ri do të krijojë hapësirat për zgjerimin e tregut, në përmbushje edhe të angazhimeve të qeverisë shqiptare ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar, për ngritjen e një sektori cilësor e aktiv të pensioneve private suplementare",- tha Gjoni.