Kuvendi, të rinjtë e PD-së nisin luftën për postet drejtuese
Eljona Ballhysa
Megjithëse demokratët do të mbajnë Kuvendin Kombëtar në datën 14 dhjetor, pas më shumë se katër vitesh, shumë pak flitet për të publikisht. Grupi Parlamentar i PD-së është i gjithi i angazhuar në një fushatë publike akuzash kundër opozitës dhe drejtuesve të saj, duke krijuar një mjegull përsa u përket zhvillimeve të brendshme në PD. Mbajtja e Kuvendit Kombëtar është një moment i rëndësishëm në jetën e një partie, aq më tepër që demokratët kanë më shumë se katër vjet që nuk zhvillojnë zgjedhje për strukturat vendimmarrëse dhe postet e larta drejtuese, siç janë sekretarët. Megjithatë, deputetët e PD-së heshtin publikisht përpara një evenimenti të tillë, ndërsa nën zë burimet bëjnë të ditur se e gjitha selia blu është nën ethet e Kuvendit. Kjo për faktin se deputetët e rinj kanë nisur fushatën e takimeve për të zënë një vend në Kryesinë Qendrore të partisë.
Fushata
Jo të pakët janë ata që kërkojnë të marrin një post në Kryesinë Qendrore. Të tjerë, më të vjetër në parti, synojnë poste më të larta, ato të sekretarëve, ndërsa ndonjë tjetër, që është afër kryetarit, synon postin e sekretarit të Përgjithshëm për shkak se nënkryetarët nuk pritet të lëvizin. Sipas burimeve, këta deputetë kanë nisur të zhvillojnë takime me lidershipin e partisë ose me njerëz sa më pranë tyre. Ata kanë filluar të bëhen pararojë e luftës së ashpër mes maxhorancës dhe opozitës në mënyrë që të bien në sy për protagonizmin e spikatur. Sipas burimeve, deputetë të tillë si Mesila Doda, Enkelejd Alibeaj, Fatbardh Kadilli, Albana Vokshi e Genc Strazimiri prej kohësh kanë shfaqur hapur ambiciet e tyre për pushtet dhe për t’u integruar sa më tepër në strukturat drejtuese të partisë. Këta deputetë po synojnë që të zgjidhen në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për të zënë një karrige në Kryesinë Qendrore të partisë, pasi kështu nis një karrierë politike. Sa më shumë shkallë të ngjisin, aq më lart shkojnë. Në bazë të Statutit të PD-së, duhet më parë të jesh anëtar i Këshillit Kombëtar që të kandidosh dhe të zgjidhesh për Kryesinë Qendrore. Më tej ke shanse të kandidosh në zgjedhjet e ardhshme për një post më të lartë të ndonjë sekretari. Por kusht parësor në Partinë Demokratike është të kesh mbështetjen e kryetarit të partisë ose të nënkryetares Topalli.
Postet
Përveç Kryesisë Qendrore ekzistojnë dhe postet e sekretarëve të PD-së, të cilët pritet të sjellin ndryshime. Sipas burimeve, janë disa figura të PD-së që synojnë prej kohësh të marrin një post drejtues të tillë si Arben Imami apo Genc Pollo e ndonjë tjetër. Gati një vit më parë, Arben Imami, asokohe drejtor i kabinetit të Berishës, hodhi zyrtarisht kandidaturën për postin e sekretarit të Përgjithshëm në PD. Por, sikurse u bë e ditur, kandidatura e tij nuk u prit mirë nga klanet në parti dhe zgjedhjet për postet drejtuese u shtynë për më vonë. Midis anëtarëve të PD-së qarkullojnë disa skema për emrin e sekretarit të Përgjithshëm. Disa përmendin mundësinë që këtë post ta vazhdojë ta mbajë Ridvan Bode, ndërsa të tjerë citojnë emra të rinjsh si Sokol Olldashi dhe Lulzim Basha. Ndërsa përsa i përket Pollos, dy janë skemat që citohen nga burime brenda selisë blu: ose Berisha shton një post sekretari Politik dhe emëron Pollon, ose shton një nënkryetar të tretë partie. Gjithsesi, këto zhvillime mbeten për t’u parë gjatë dhe pas zhvillimit të Kuvendit Kombëtar të PD-së.
5 Dhjetor 2009