Subashi: “Hetimi i Prokurorisë nuk ndikon në ndryshimin e rezultatit zgjedhor”
Nënkryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Dëshira Subashi, deklaroi dje për një media se përveç ndjekjes penale për komisionerët e komunës Ruzhdie në Fier, hetimi i Prokurorisë nuk mund të ndikojë në asnjë formë në rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit. “Çështjet në detyrë të komisionerëve janë të lidhura në mënyrë organike me çështjet zgjedhore, por çfarëdo përfundimi i Prokurorisë nuk ka lidhje me një rishqyrtim të rezultatit zgjedhor. Ai është përfundimtar”, - tha Subashi. Kjo vlen, sipas saj, dhe nëse komisioni hetimor parlamentar, që kërkohet nga socialistët, vendos ta çojë rezultatin e hetimit të tij në Prokurorinë e Përgjithshme. “Nuk ka asnjë mekanizëm ligjor për të rifutur në shqyrtim rezultatin zgjedhor lidhur me këtë zonë, apo çdo lloj rezultati zgjedhor që KQZ-ja e ka shpallur me vendim dhe Kuvendi ka filluar nga puna. Nuk ka asnjë mekanizëm ligjor në bindjen time që të rifusë në shqyrtim çështjen e një vendimmarrjeje për ndryshim rezultati zgjedhor, në mënyrë absolute”, - tha Subashi. Të 439-të fletët e votimit të kutisë së votimit të Ruzhdies kishin vetëm një vulë pas largimit të komisionerit socialist. Ky i fundit u largua së bashku me vulën për 2 orë, pasi pretendonte se ishte kërcënuar me jetë. Pas rinumërimit në ambientet e saj, KQZ-ja i shpalli fletët e vlefshme, vendim që u hodh poshtë nga Kolegji Zgjedhor. Sipas hetimit të Prokurorisë së Fierit rezulton se në Ruzhdie, rreth 80 persona që figurojnë si votues në regjistrin e zgjedhor nuk kanë qenë fare në Shqipëri më 28 qershor, pra firmat e tyre kanë qenë të falsifikuara. Çështja tashmë i ka kaluar gjykatës.
2 Mars 2010