E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama në Fushë-Arrëz: “Do të ndalim shkatërrimin e mjedisit”



Kryetari i Partisë Socialiste ka qenë në Fushë-Arrëz për të prezantuar programin e ri të Partisë Socialiste. Rama ka premtuar frenimin e shkatërrimit që po i bëhet mjedisit dhe pasurive natyrore në këtë zonë. “Pasuritë e përbashkëta mund t’i kthejmë në mirëqenie për të gjithë”, - tha Rama. Më tej kreu i PS-së u ndal edhe te fenomeni i largimit të të rinjve dhe të rejave nga Fushë-Arrëzi, pasi nuk arrijnë dot të punësohen në këtë zonë. “Ky fenomen duhet të ndalet, dhe PS-ja me programin e saj të ri do të bëjë çmos që të gjithë të jetojnë me punë të ndershme në tokën e të parëve”, - tha Rama. Ai foli gjithashtu për shkatërrimin që po u ndodh sot pyjeve shqiptare. “Ne do të marrim të gjitha masat e do të bëjmë gjithçka me mish e me shpirt që ta ndalim këtë shkatërrim e që pasuritë tona të përbashkëta t’i vëmë në dispozicion të shoqërisë sonë, duke ndryshuar rrënjësisht dhe marrëdhëniet me zonat rurale”, - deklaroi Rama.

PS, nis trajnimi i drejtuesve lokalë

Partia Socialiste ka nisur trajnimin e drejtuesve të saj në rrethe. Kompania amerikane “Kidron Strategies”, e cila do të menaxhojë fushatën elektorale të PS-së, ka zhvilluar dje një takim me të gjithë drejtuesit lokalë të PS-së. Takimi ka pasur për qëllim trajnimin e tyre në periudhën e fushatës elektorale, për mënyrën se si krerët lokalë të PS-së do të kontaktojnë me elektoratin dhe do të sigurojnë mbështetjen e tyre në zgjedhjet e 28 qershorit. Ky trajnim është zhvilluar në kuadër të strategjisë që ka hartuar dhe do të vërë në zbatim kompania amerikane për llogari të Partisë Socialiste. Ndërkohë, kompania “Kidron Strategies” ka vazhduar edhe me trajnimin e figurave kryesore të Partisë Socialiste, të cilët do të mbajnë peshën më të madhe të fushatës elektorale. Ata janë trajnuar për debatet televizive si dhe për komunikimin e drejtpërdrejtë me elektoratin.

Klosi në Sukth: “Do të katërfishojmë ndihmën ekonomike”

Sekretari Organizativ i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka zhvilluar dje një takim në Sukth të qarkut Durrës. Duke folur për programin e ri të PS-së, Klosi u shpreh: “ky program është një instrument për të qeverisur dhe jo një thes me premtime që bëhen thjesht dhe vetëm për fushatë elektorale”. Deputeti socialist është ndalur në takimin në Sukth në një pikë të rëndësishme të programit të PS-së, që ka të bëjë me ndihmën ekonomike për familjet e varfra. Klosi tha se brenda mandatit të ardhshëm qeverisës, Partia Socialiste do të katërfishojë ndihmën ekonomike për shtresat në nevojë. “Brenda mandatit tone ne do të bëjmë që mos ketë më familje të varfra që nga ndihmat e shtetit mos të përballojnë dot jetën e tyre. Të mos ketë prindër që mos të jenë dinjitozë karshi fëmijëve të tyre vetëm e vetëm se janë të varfër”, - deklaroi deputeti i Partisë Socialiste.

25 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›