Gjoni: Qeveria përdor Administratën Publike për qëllime elektorale
Rritja e numrit të punonjësve të përkohshëm në administratën qendrore është bërë për arsye elektorale. Deklarata vjen nga anëtari i Asamblesë Kombëtare në PS, Ilir Gjoni. Sipas tij, administrata publike po përdoret për interesat e Partisë në pushtet. Nën qeverinë Berisha administrata publike është bërë si fëmijë i adoptuar i Partisë Demokratike. Asgjë nuk del jashtë sferës së influencës politike të PD, duke filluar nga siguria kombëtare te sistemi i drejtësisë dhe gjithçka ndodhet mes këtyre, u shpreh Gjoni.
Sipas Gjonit, revanshi Qeverisë Berisha në përdorimin e aseteve dhe administratës publike në funksion të fushatës zgjedhore ka kapur dhe institucionin e Televizionit Publik. Ai tha se ky institucion financohet me dhunë nga taksa e rritur mbi çdo shqiptar, gjë e cila nuk ka ngelur pa rënë në sy të partnerëve ndërkombëtarë, sidomos profesionalizmi i [TVSH] që është vënë në pikëpyetje si pasojë e pasqyrimeve të njëanshme pro qeveritare. Kështu thotë raporti i DASH. Por nuk duhet shumë mund për ta konstatuar një fakt të tillë. Mjafton të ndjekësh një edicion lajmesh në TVSH dhe gjithçka është e qartë, u shpreh Gjoni. Ai tha se administrata publike në një shthurje të plotë sot shpreh një nga deficitet më të mëdha demokratike të Shqipërisë, ku ekspertët e politikave janë zëvendësuar me operativë politikë. Strukturat e PS po monitorojnë me skrupulozitet çdo veprim individual a kolektiv të punonjësve të administratës që funksionin publik e shpërdoron për qëllime partiake, deklaroi Gjoni, duke theksuar se Partia Socialiste garanton se me ardhjen në pushtet pas 28 Qershorit do ta zhveshë administratën publike nga sistemi i favoreve politike e korruptive, i ngritur nga qeveria e Partisë Demokratike. Gjoni deklaroi se opozita po merr masa lidhur me lëvizjet e shpeshta të administratës për arsye politike, moszbatimi i Ligjit për Shërbimin Civil, emërimet mbi baza partiake, mungesa e transparencës dhe llogaridhënies, përdorimi në tërësi i administratës publike për qëllime politike, të ngritura me shqetësim të vazhdueshëm edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Gjoni më tej u ndal tek përdorimi që po i bëhet arsimit dhe arsimtarëve në mbarë Shqipërinë, që sipas tij, shefat politikë të degëve të arsimit urdhërojnë arsimtarët të ndërpresin mësimin për të nxjerrë fëmijët në tubimet shterpe të ofiqarëve e pushtetarëve aktualë. Jo më kot raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit thotë se kontrolli qeveritar ndaj emërimeve akademike dhe kultura e korrupsionit në sistemin e arsimit kanë minuar liritë akademike, vuri në dukje Gjoni. Ai ka përmendur dhe rastin e bërë publik nga Partia Socialiste para disa kohësh, ku sipas tij, policia u urdhërua në kundërshtim me ligjet që rregullojnë funksionin dhe detyrat e saj, të verifikojë emigrantët shqiptarë për qëllime të mirëfillta elektorale, është shembull tipik sesi qeveria aktuale përdor për qëllimet e veta politike policinë e shtetit, këtë institucion kaq të rëndësishëm e të vyer.