E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malaj: Shpresoj t‘i largohemi bojkotit

Në pritje që Edi Rama të zyrtarizojë propozimin e tij për bojkotin e zgjedhjeve të pjesshme lokale, grupi i deputetëve, pjesë e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, brenda selisë rozë, nuk ka reaguar ende për këtë çështje. Të bindur se nga një bojkot në tjetrin, Partia Socialiste po dëmton rëndë imazhin e saj, kundërshtarët e Edi Ramës duket se kanë vendosur të presin që kreu i PS-së të flasë dhe më pas ata të kundërshtojnë, duke dhënë arsyet e tyre. Megjithëse anëtari i kryesisë së kësaj partie, kundërshtar i bojkotit, Arben Malaj, tregohet i kujdesshëm në reagimin e tij, duke premtuar se kur të njihen me propozimin e Ramës do e kundërshtojnë atë. "Shpresoj që Asamblesë t‘i shkohet me një qëndrim që unifikon Partinë Socialiste. Megjithëse, nëse ka një ide të tillë, natyrisht që ajo do të kalojë përmes debatit. Ne jemi këmbëngulës dhe vijojmë t‘i mbetemi idesë që Partia Socialiste duhet të zhvillojë debatin në Parlament, po aq sa mendoj se kjo parti bëhet më e besueshme në rast se bëhet pjesë e garave", theksoi Malaj. Megjithëse, vijoi ai, nuk paragjykoj asgjë, por shpresoj që t‘i largohemi bojkotit. Edhe pse ideja e Ramës për të zyrtarizuar bojkotin e zgjedhjeve ka disa ditë që është bërë publike, grupi kundërshtar nuk ka ende një qëndrim për këtë hap, duke e lënë gjithë reagimin e tyre për në mbledhjen e AK-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›