"Kufiri me Greqinë, të shtyhet votimi"
Çështja e përcaktimit të kufijve detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë mblodhi dje historianë, politikanë, studiues dhe përfaqësues të medias në një tryezë të përbashkët për t‘i kërkuar Parlamentit mosratifikimin e saj. Fati i marrëveshjes është në dorë të Kuvendit, i cili ka të drejtë ta miratojë atë me shumicë të thjeshtë, ndërkohë që nga përfaqësues të shoqërisë civile kjo çështje ka hasur në shumë debate. Në takimin ku mungonin të dërguarit e qeverisë, koloneli në rezervë profesor, Myslym Pashaj, ka bërë një analizë të detajuar të të gjithë elementëve të kësaj marrëveshjeje. Sipas tij, ajo cenon tërësinë territoriale të Shqipërisë, e cila humbet në favor të Greqisë 354 kilometra katrorë sipërfaqe ujore. I ashpër në kundërshtim të kësaj marrëveshjeje ishte edhe historiani Pëllumb Xhufi, i cili e baraspeshoi atë me historinë e Shën Naumit që iu fal Jugosllavisë. "Ne kemi një sërë problemesh me vendin fqinj që duheshin zgjidhur me kohë. Kemi problemin çam, i cili është një problem i gjallë dhe që nuk mund të injorohet. Marrëveshja antipopullore nuk duhet pranuar", u shpreh Xhufi. Në të njëjtën vijë kanë qenë edhe përfaqësuesit socialistë, ndërkohë që presidenti i Asamblesë së Republikanëve, Sabri Godo, ka kërkuar një ekspertizë ndërkombëtare. "Duhet dëgjuar edhe pala tjetër, ndaj mos është më mirë që të thërrasim për ndihmë ekspertë të huaj", thotë Godo. Gjatë analizës dhe diskutimeve janë hedhur poshtë të gjitha deklaratat e Kryeministrit, që ka pohuar se Greqisë nuk i është falur asnjë metër tokë. Sipas të pranishmëve, ratifikimi i marrëveshjes duhet të shtyhet deri në vërtetimin dhe analizimin e plotë të saj. Prej muajsh, në mediat shqiptare po përflitet marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke, për kalimin në favor të Greqisë të rreth 354.4 kilometrave katrorë nga ujërat detare të territorit tonë. Kjo marrëveshje është shumë e përfolur dhe e lakuar edhe nga shoqëria civile. Janë hedhur hipoteza nga më të ndryshmet, lidhur me përfitimet e shtetit grek në këtë histori. Madje, studiues të ndryshëm shqiptarë kanë hedhur dyshimet e tyre, se tabani i zonës në fjalë është naftëmbajtës. Ndërkaq, nga autoritetet e vendit tonë nuk është bërë asnjëherë e ditur se kush është arsyeja e kalimit të këtij territori detar fqinjit. Gjithashtu, nuk është sqaruar opinioni publik se çfarë përfitimesh mund të ketë shteti shqiptar apo ai helen nga kjo marrëveshje. Iniciativa e bashkimit të vendeve të Mesdheut për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë së rinovueshme në të ardhmen, është vendosur të startojë në vitin 2012. Të gjitha këto janë të ilustruara edhe me një hartë, në të cilën përshkruhen stacionet e prodhimit të energjisë së rinovueshme në vendet e pellgut të Mesdheut dhe atyre europiane. Po në këtë hartë është dizajnuar edhe gjithë rrjeti shpërndarës i energjisë. Stacionet e shtrira në të gjithë hapësirën e shkretëtirës së Saharasë dhe të gadishullit Arabik, janë ato të cilat do të prodhojnë kryesisht energji të marrë nga dielli. Ratifikimin e marrëveshjes së ujërave territoriale me shtetin fqinj është një çështje që duhet ta zgjidhë Kuvendi, tashmë që Komisioni i Ligjeve e ka miratuar me unanimitet.
E.Ajazi
E.Ajazi