Skaneri i Komisionit Europian për vendet e Ballkanit
Agjencia e lajmeve "Balkaninsight" zbuloi dje një pjesë të raportit vjetor të Komisionit Europian për të gjitha vendet e Ballkanit. Referuar Shqipërisë, aty thuhet se ajo ka bërë shumë progres sa u takon reformave politike. Referuar zgjedhjeve të fundit parlamentare, Brukseli thotë se janë përmbushur pjesa më e madhe e standardeve ndërkombëtare, por më shumë përpjekje nevojiten për të përmbushur mangësitë e vëna re. Referuar aplikimit për statusin e vendit kandidat, thuhet se Komisioni Europian është gati të fillojë përgatitjen e opinionit nëse këtë e kërkon këshilli. "Shqipëria duhet të bëjë progres në veçanti në forcimin e shtetit ligjor, luftën ndaj korrupsionit dhe konkretisht edhe në pavarësinë e sistemit juridik", thuhet në raport. Referuar Bosnjës, raporti thotë se ajo ka dëshmuar progres të limituar sa u takon reformave. Komisioni thotë se Bosnja urgjentisht duhet të shpejtojë reformat kryesore. "Një vizion të përbashkët për drejtimin e përgjithshëm të vendit nga udhëheqja e saj dhe vullnetin politik për të përmbushur kërkesat europiane të integrimit janë të domosdoshme që të konsiderohet progresi", thuhet në raport. Komisioni bën thirrje për reforma kushtetuese për t‘u mundësuar institucioneve të funksionojnë siç duhet. Kroacia konsiderohet vendi më i avancuar nga grupi i Ballkanit Perëndimor dhe këtë vit do të konfirmojë në Bruksel se ka bërë progres në reformat kyçe politike. Kroacia duhet të bëjë përpara në reformat e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sa i takon Maqedonisë, në raport thuhet se ajo ka bërë përparim thelbësor në përmbushjen e prioriteteve kyçe të partneritetit të pranimit. Komisioni konsideron se Maqedonia ka përmbushur angazhimet në kuadrin e MSA-së. Kapitulli mbi Maqedoninë prek zgjedhjet e fundit, të cilat Brukseli thotë se janë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Referuar Malit të Zi, thuhet se kapaciteti administrativ i këtij vendi "mbetet shumë i dobët" dhe se ky është konkluzioni i progres-raportit çdo vit. Raporti vë në dukje se zgjedhjet parlamentare të mbajtura në mars plotësuan pothuajse të gjitha standardet ndërkombëtare, por shton se "mangësitë e mbetura duhet të adresohen". Në rastin e Serbisë, ajo konsiderohet të ketë kapacitet administrativ për të bërë përparim të konsiderueshëm drejt BE-së. Komisioni konsideron se Serbia e ka përmirësuar bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës, por vë në dukje se dy të kërkuarit kryesorë, Ratko Mlladiç dhe Goran Haxhiç, mbeten të lirë. Në Kosovë, siç raporton Komisioni Europian, situata "mbetet e brishtë". Dokumenti përmend se Kosova i është bashkuar FMN-së e Bankës Botërore dhe se ajo ka miratuar disa ligjeve kyçe. Por, dokumenti paralajmëron se sfidat kryesore mbeten: sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimi i kapaciteteve administrative, mbrojtja e minoriteteve dhe forcimi i dialogut mes komuniteteve.