E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk ka marrëveshje, PD e LSI bëjnë gati kandidatët

Zgjedhjet e pjesshme lokale "ndajnë" Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim. Demokratët dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të jenë rivale në zgjedhjet e 15 nëntorit, pavarësisht se këto dy forca kanë lidhur zyrtarisht aleancë bashkëqeverisëse deri në vitin 2013. Me gjithë qëndrimin e Kryeministrit Sali Berisha, se aleanca PD-LSI do të zgjasë deri më 2021, vetëm tre muaj pas firmosjes së marrëveshjes së bashkëqeverisjes, PD-LSI do të jenë kundërshtarë në zgjedhjet e këtij 15 nëntori. Demokratët kanë vendosur të mos i lënë asnjë zonë të lirë aleatit të tyre më të ri LSI-së për zgjedhjet e pjesshme lokale. Sakaq, Lëvizja Socialiste për Integrim shmang pretendimet për të marrë vota djathtas dhe bën me dije se në këto zgjedhje do të përfaqësohet me kandidatë të zgjedhur nga strukturat drejtuese të LSI-së. PD-ja pretendon se për zgjedhjet e pjesshme lokale të 15 nëntorit nuk ka asnjë marrëveshje me Lëvizjen Socialiste për Integrim, ndërsa LSI-ja shpjegon se në zgjedhjet e pjesshme do të dalë pa aleancë. Demokratët synojnë të marrin votat e djathta, ndërkohë që LSI-ja pretendon dhe kërkon votat e elektoratit të majtë, duke pasur edhe avantazhin se PS-ja deri tani është shprehur për bojkot të këtyre zgjedhjeve. Kjo lëvizje duket se do të jetë edhe testi i parë për LSI-në, për të parë se si është komportuar përfshirja e tyre në qeverisjen e Berishës nga elektorati i saj. Ndërsa demokratët do të kërkojnë të ruajnë të njëjtin rezultat që kanë pasur në komunat dhe bashkitë e drejtuara nga e djathta. Dy kampet politike, PD dhe LSI, nuk i kanë përcaktuar ende kandidatët zyrtarë me të cilët do të përfaqësohet në zgjedhjet e pjesshme lokale. Ndërsa kampi i LSI-së prononcohet se në këto zgjedhje, forca e tyre politike do të dalë e vetme, ende nuk është bërë përzgjedhja e emrave me të cilat kjo forcë do të përfaqësohet në zgjedhje. Kampi i demokratëve ndodhet në të njëjtën situatë, kur dilema më e madhe është fakti se me cilin kandidat do të përfaqësohen në minibashkinë 10 në kryeqytet. Më shumë se sa 4 komunat dhe bashkitë në Klos, Fushë-Arës, Otllak dhe Fierzë, Partisë Demokratike i intereson mandati i kryeqytetit. 15 nëntori do të zbulojë nëse PD-ja do të humbë apo do ta rifitojë sërish minibashkinë numër 10, e cila përpara zgjedhjeve lokale të shkurtit 2007 ka qenë e drejtuar prej një kohe të gjatë nga socialistët. PD-së i mungon ende emri i kandidatit me të cilin do të përfaqësohet në këtë minibashki. Ndërsa lidhur me 4 bashkitë dhe komunat e tjera, duket se struktura drejtuese e PD-së nuk do të ketë shumë pretendime, duke pranuar emrat e ardhur nga qarqet përkatëse për të kandiduar në zgjedhjet e 15 nëntorit.

E.A.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›