India refuzon për Nënë Terezën
Kërkesa e Shqipërisë për eshtrat e Nënë Terezës po shkakton reagime në Indi. Institucionet katolike kërkojnë që qeveria indiane të konsultohet me misionarët e bamirësisë, urdhri i themeluar nga Nënë Tereza në Indi. Në oborrin e selisë qendrore të misionit në Kalkuta ndodhet e varrosur Nënë Tereza, e cila vdiq në Kalkuta në vitin 1997. Agjencia "Express India" shkruan se zëdhënësja e këtij misioni nuk komenton, duke thënë se asnjë zyrtar nuk është lidhur me misionarët në Kalkuta për këtë çështje. Por, më të ashpra janë qëndrimet e politikës. Sipas sekretarit shtetëror në Kalkuta, Ardhendu Sen, nuk ka shumë gjasa, për të mos thënë e pazakontë, që qeveria të japë eshtrat e Nënë Terezës. "Për sa kohë që ata, pra shqiptarët, kanë qenë komunistë dhe nuk e pranonin Nënë Terezën, thotë publicisti Sunil Gangopadhyay, tani kërkesa e tyre duhet hedhur në koshin e mbeturinave". Ndërsa të tjerë kanë thënë se për deri sa Nënë Tereza punoi gjatë jetës së saj në Indi dhe ishte një qytetare indiane, si mund ta pretendojnë një gjë të tillë. Një prodhues filmash madje shprehet i çuditur se kjo është një kërkesë zyrtare.