E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjoricë, nata e tretë në qiell të hapur

Ndonëse lëkundjet e tokës tashmë janë rralluar dhe intensiteti i tyre ka qenë i dobët, banorët e Gjoricës vazhdojnë të flenë nën qiell të hapur. Prej katër netësh ata gdhihen në oborret e shtëpive dhe këmbëngulin të mos qëndrojnë brenda banesave, nga frika e tronditjeve të tjera më të forta. "Flemë në oborr me gjithë familje, thotë Limani, një nga banorët e fshatit të Çerenecit, në Komunën e Gjoricës. Jo vetëm fëmijët që vazhdojnë të jenë të tmerruar, dhe po t‘u thuash të hyjnë në banesë nisin të qajnë, por edhe ne të rriturit kemi frikë nga ardhja e një goditjeje tjetër tërmeti të fortë".
Por ndërkohë që banorët pohojnë se flenë në qiell të hapur prej tri netësh dhe po kështu do të vazhdojnë edhe në ditët në vazhdim, nënkryetari i Komunës së Gjoricës, Liman Gjeleshi, pohon për "Shqip" se frika e banorëve tashmë është "vrarë". Shifrat që paraqet duken si paradoks me pamjen që shfaqet në oborret e shtëpive. Sipas tij, 80 për qind e banorëve tashmë u janë kthyer banesave dhe vetëm një pjesë e vogël fle ende jashtë në oborr.
Ndihmat
Rreth mesditës mbërrijmë në fshatin Gjoricë, qendër e po kësaj komune, në Rrethin e Bulqizës, ku pak para mesnatës të së dielës u bë epiqendra e një tërmeti me intensitet 7 ballësh, i cili tronditi fort jo vetëm fshatrat e kësaj komune, por edhe ato fqinje. Grumbuj njerëzish dhe forca policore kishin mbushur qendrën e komunës, pasi pritej që nga momenti në moment të mbërrinte helikopteri me ndihma. Dhjetëra banorë nga 6 fshatrat e kësaj komune qëndrojnë në radhë para zyrave për t‘u takuar me drejtuesit e pushtetit lokal. Të gjithë kanë të njëjtin problem: kërkojnë ndihmë për të përballuar gjëmën që i gjeti, dëmtimin e shtëpive të tyre. Në ndryshim nga dita e parë, ku ata ishin të heshtur dhe të shokuar nga tmerri që kishin përjetuar, dukej se durimit të tyre u kishte ardhur fundi. "Vazhdojmë të flemë jashtë në oborr, askush nuk e çan kokën për hallin që na ka gjetur", shprehen pothuajse në refren të gjithë, teksa qëndrojnë në radhë duke pritur të takojnë kryetarin e komunës, i cili për momentin nuk gjendet në zyrë. Sipas nënkryetarit të komunës, Liman Gjeleshi, komisionet e ngritura për verifikimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti kanë konstatuar se janë bërë të pabanueshme 64 shtëpi dhe 320 të tjera rezultojnë të jenë dëmtuar. "Kemi shpërndarë vetëm 30 çadra për akomodimin e familjeve të dëmtuara, ndërkohë që na nevojiten edhe shumë të tjera që presim të vijnë", thotë nënkryetari. Ndërkohë, sipas tij janë shpërndarë edhe 1.2 tonë me ndihma ushqimore si: vaj, sheqer, makarona etj. "Ka nisur puna për ngritjen e një kampingu me 20 çadra, por banorët nuk pranojnë të vijnë për t‘u strehuar në kamping, pasi nuk mund t‘i braktisin shtëpitë ku në afërsi të tyre kanë edhe bagëtitë", thotë Gjeleshi. Ndërkohë, mjaft banorë të zonës shprehin dyshimet e tyre për administratën e komunës, që sipas tyre nuk i vlerëson dëmet e shtëpive siç janë në realitet, por mban anë për familje me lidhje gjaku dhe gjinie. Ndaj, kur marrin vesh se jemi njerëz të medias, shumë syresh të turren dhe thonë: " Eja te shtëpia ime të shohësh se çfarë është bërë, mos shiko çfarë thonë këta. Prej tri netësh flemë së bashku me fëmijët në oborr mbuluar me plastmasë dhe askush nuk e çan kokën për ne".

Frika

Një telefonatë nga Italia ka zgjuar sërish ankthin mes banorëve të fshatit Gjoricë. Një emigrantë, që dikur banonte në atë zonë, u ka komunikuar të afërmve se parashikohet të ndodhë një tërmet më i fortë se i pari, që do të arrijë deri në 9 ballë. Ndonëse i njëjti burim kishte dështuar në parashikimin e një dite pas tërmetit të së dielës, banorët duket se kanë qenë të prirur të besojnë më të keqen. Thashethemi është përhapur me shpejtësi dhe njerëzit janë tulatur sërish. Si për të shmangur frikën e banorëve, në Gjoricë ishte i pranishëm në ditën e sotme edhe Babai i Bektashinjve të Dibrës, Ismail Jangulli, i cili ka dhënë për banorët dhe pushtetarët vendorë, madje edhe për ata të Tiranës, mesazhin e paqes, dashurisë, drejtësisë dhe bashkimit për ta përballuar këtë situatë.

Shteti

Nis nga puna grupi i verifikimit të dëmeve

Mesditën e djeshme ka mbërritur në Gjoricë grupi i ekspertëve teknikë, që do të bëjë vlerësimet e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti. Në zyrat e Komunës Gjoricë janë paraqitur një grup ekspertësh nga Enti Kombëtar i Banesave Tiranë, i cili do të bëjë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti për gjithë banesat, si ato të pabanueshme, ashtu edhe për ato të dëmtuara pjesërisht. Në përbërje të këtij grupi me inxhinierë dhe teknikë do të inkuadrohen edhe kryepleqtë e fshatrave dhe drejtues të komunës. Po dje ka nisur puna e këtij grupi në fshatrat Gjoricë e Epërme dhe Çerenec, që kanë qenë dhe zonat më të prekura nga tërmeti i mesnatës së të dielës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›