E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjuajtës të rinj me baltën e vjetër

Eduard Shalsi 

U habita pamasë kur pashë të botuar ndoca ditë përpara në gazetën “Panorama” një shkrim identik me atë të dy javëve më parë ...I njëjti autor dhe e njëjta përmbajtje. Por me titull të ndryshuar! I pari titullohej ”Tirana modeli të ezauruar”, ai më pas “Tirana qeverisja e shtrembëruar”. Nuk dija se mund të ndodhte botimi i të njëjtit shkrim me dy tituj të ndryshëm në të njëjtën gazetë. Brenda më pak se dy javësh. Me siguri botuesit s’i ka shkuar dot ndërmend kjo manovër aspak etike në raport me gazetën e lexuesit e saj dhe në respekt të lirisë së opinioneve të ndryshme që karakterizon “Panorama”-n i ka bërë vend autorit të shkathët. I cili flet në emër të Ilir Metës, në kuadrin e planit grotesk të rritjes së kapitalit politik të LSI-së, duke goditur bashkinë dhe Edi Ramën. Dje, po ky autor, për të tretën herë brenda dy javëve përsëriti detyrën e tij të partisë. Por duhet thënë se të paktën kishte bërë që i njëjti shkrim të dukej si një shkrim tjetër, pavarësisht se me të njëjtën përmbajtje.
Kjo përmbajtje në fakt është e njëjtë me atë të sulmeve tradicionale të Sali Berishës, në një periudhë të caktuar kohë më parë edhe të Fatos Nanos, e së fundi edhe të kandidatit të preferuar të dyve bashkë në zgjedhjet e 18 shkurtit Sokol Olldashi. E vetmja e re këtu është se kësaj arradheje gjuajtësish me baltë mbi modelin e suksesit të qeverisjes në Shqipëri i është bashkuar edhe Ilir Meta. Pra, miku e aleati ynë i betejës së vitit të shkuar, ka zgjedhur të njëjtën linjë që ndoqën humbësit e lartpërmendur. Dhe arsyeja pse po shkruaj, është pikërisht se në planin e akuzave apo të “argumenteve” s’ka absolutisht asgjë të re dhe Ilir Meta po thotë ato që përqeshte deri një vit më parë. Pikërisht këto akuza ai vetë i rrëzonte me përçmim. E pajustifikueshme që Iliri të marrë nga toka një flamur të rrëzuar prej kryeqytetasve, më 18 shkurt dhe që tashmë po e tund bashkë me një togë të vogël përçuesish të mllefit të tij nëpër gazeta e banaqe televizive. Natyrisht që nuk i përkas asaj kategorie njerëzish mendjengushtë për të cilët opinionet nuk mund të ndryshojnë me kohë nën dritën e zhvillimeve e fakteve të reja. Jo përkundrazi, mendoj se opinionet mund të ndryshojnë, siç po ndryshon fatkeqësisht opinioni i shumë njerëzve për Ilir Metën. Të cilët po shohin përditë e më qartë se axhenda e tij politike është tërësisht nën ndikimin e një mllefi verbues dhe të një ambicieje jokorrekte për pushtet personal. Them fatkeqësisht sepse e përsëris, Iliri është një miku ynë dhe hyn padyshim ndër ata që ende mund të japin kontribut për ndryshimin e vendit. Po çfarë ka ndodhur në fakt në Bashkinë e Tiranës dhe në kryeqytet pas fitores së 18 shkurtit, ditës kur edhe Ilir Meta mendonte si shumica dërrmuese e kryeqytetasve dhe ishte në frontin e fitimtarëve? Eshtë kryer me ekspertizë ndërkombëtare një analizë e thellë funksionesh dhe jetësuar një reformë shembullore strukturale për të rritur cilësinë e performancës së institucionit. Nuk na detyroi kush, po ne jetojmë me ambicien për t’u matur me sfidat e së ardhmes jo me sukseset e së shkuarës. Duam që ky mandat i tretë të sjellë edhe më shumë për kryeqytetasit dhe kjo reformë e brendshme është garanci për t’ia arritur. Ndërkohë janë përfunduar të gjitha punët e vonuara prej konfliktit politik bllokues, që mbaroi me fitoren e 18 shkurtit dhe janë hapur kantiere të reja në të gjithë perimetrin e Tiranës. Sot punohet nga periferia në qendër, ku do të nisin së shpejti edhe punimet e mëdha në kantierin që do ta sjellë sheshin qendror të Tiranës në shekullin e ri. Janë ndërtuar e po ndërtohen shkollat e një gjenerate të re në cilësinë e projektimit e të zbatimit. Plot 23 të tilla! Të cilat janë të shtrira po ashtu deri në periferi duke transformuar rrënjësisht vizionin si duhet të jetë infrastruktura shkollore në Shqipërinë e shekullit XXI. Janë mbjellë 1 500 pemë të tjera dhe 5 000 rrënjë për gjelbërimin e ulët në të gjitha rrugët kryesore e në disa blloqe banimi. Vetëm përmes njërit prej projekteve që nis këto ditë do të shtrohen 61 rrugë të reja dytësore e tretësore. Praktikisht këto janë të gjitha rrugët e kërkuara me prioritet nga banorët e kryeqytetit gjatë dëgjesave publike, që u zhvilluan vjet për buxhetin e këtij viti, përveç disave syresh ku vlerësohet se duhet një investim i veçantë për shkak të amortizimit të kanalizimeve. Autori i shkathët i të njëjtit artikull me dy tituj e ngre zërin kundër dëgjesave publike të Edi Rames, me zellin karakteristik të atij që gënjen për hir të partisë, duke i komentuar si monologje këto dëgjesa të vëmendshme. Por në zyrën ku po shkruaj janë plot dosjet me formularët e mbushur prej qytetarëve të çdo njësie që kanë marrë pjesë në to.
Po le të kthehemi tek kanalizimet dhe ujësjellësi. Toga e shkronjësve që përçojnë mllefin e Ilir Metës në gazeta, po edhe vetë miku ynë, e kanë kthyer këtë pikë në kalin e betejës së tyre me mullinjtë e erës duke tentuar më kot të kthejnë erën në favor të tyre përmes goditjes së të vetmit model shprese që shqiptarët kanë për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Pse këta miq duhet t’i gënjejnë kryeqytetasit duke u thënë, s’keni ujë sepse s’ua sjell Edi Rama, s’keni kanalizime se s’ua bën Edi Rama?! Ish-kryeministri Meta dhe përfaqësuesit e tij në Këshillin Bashkiak e dinë fare mirë që Bashkia e Tiranës nuk e ka ende nën administrimin e saj Ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve. E cila mbahet peng nga qeveria për
militantët e PD-së edhe në rast se zbatohet vendimi skandaloz për gjoja kalimin e saj tek pushteti vendor. Në atë vendim është e qartë se ne s’mund të ndërrojmë as drejtorin e ndërmarrjes. Madje, thuhet shprehimisht se deri në vitin 2009 s’mund të ndryshojmë as forma e organizimit të saj. Pra, ne s’kemi pse e pranojmë këtë kalim formal, po absolutisht jo përmbajtjesor të kësaj ndërmarrjeje që do një reformë rrënjësore. S’jemi të marrë të marrim përsipër thjesht barrën e fajit për keqfurnizimin me ujë të kryeqytetasven ndërkohë që çelësat e ndërmarrjes u mbeten të paaftëve të Sali Berishës dhe s’na jepet asnjë kompetencë reale mbi ndërmarrjen. Megjithatë aspekti më qesharak i këtij plani të dështuar rritjeje të kapitalit të tkurrur politik të LSI-së, duke ulur aksionet e mëdha të Bashkisë së Tiranës e të Edi Ramës, është përputhja e tij me strategjinë e dështuar të kundërshtarëve tanë tradicionalë edhe në “shqetësimin” për ndotjen. E di i madh e i vogël se nëse ka një forcë antindotje në Tiranë e Shqipëri, kjo është Bashkia e Tiranës. Brenda kuadrit shumë të ngushtë ligjor që ka sot Shqipëria e politikës së vjetër ne vetëm mund të pastrojmë më mirë e të shtojmë çdo vit gjelbërimin. Një miku im që jeton në Angli më tha pardje: Kisha katër vjet pa ardhur. Rrugët janë bërë do prishen dhe do bëhen prapë. Dritat do digjen e do vihen prapë. Shumë gjëra do bëhen edhe më mirë pas shumë vjetësh. Po gjithë këto pemë që po rriten në rrugët e reja të Tiranës janë gjëja që asnjë e ardhme nuk do ia harrojë dot Bashkisë së Tiranës në kohën e Edi Ramës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›